Detyrat e shtëpisë duhen mbaruar

Komisioneri i ri për zgjerim të Unionit Evropian, Oliver Varhelyi vizitoi Shkupin gjatë kësaj jave. Është kjo vizita e parë e Komisionerit që zëvendësoi ish-Komisionerin Johannes Hann dhe ai erdhi me një mesazh të qartë. Mesazhi ishte që përbërja aktuale e Kuvendit duhet ta sjellë Ligjin e ri për prokurorinë publike më së voni në Shkurt në mënyrë që në Mars Maqedonia e Veriut të konsiderohet për të marë datë për fillim të negociatave të aderimit në UE.

Kjo është pikërisht koha kur duhet të vazhdojnë bisedimet për konsolidimin e Ligjit për Prokurorinë Publike. Është koha përfundimtare që ky ligj të sillet. Aq më tepër tani kur situata lidhur me këtë ligj nuk është më aq e tensionuar si më parë, kur me këtë ligj duhej poashtu të zgjidhet edhe statusi i Prokurorisë Speciale. Duke qenë se prokurorja speciale vetë e vulosi fatin e vetë dhe përfundoi në paraburgim dhe e akuzuar për veprat penale që pikërisht ajo duhej t’i ndiqte, dhe duke pasur parasyshë që rastet e prokurorisë speciale vazhdojnë të trajtohen dhe të udhëhiqen nga prokuroria e rregullt, atëherë të gjitha zënkat disamujore lidhur me statusin e kësaj prokurorie e mes pushtetit dhe opozites bëhen irelevante sepse subjekti kryesor i zënkës, PSP nuk është më në lojë. Prandaj, nuk ka asnjë arsye pse kjo çështje të zgjatet më tej kur dihet që ai ligj përmendet si shumë i rendësishëm nga disa vende të Bashkimit Evropian të cilët duhet të japin dritën jeshile për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut.

Si edhe herët tjera, ky është kushti i rradhës që duhet ta plotësojmë e lidhur me të cilin nuk kemi zgjidhje tjetër. Gjithmonë është kështu, na vendosen kushte, që ne nuk kemi zgjidhje tjeter pos t’i plotësojmë dhe megjithatë nuk kemi asnjë garancë se negociatat vërtet do të hapen. Ne ndryshuam edhe emrin e shtetit po me të njëjtin qëllim e megjithatë kjo nuk i mjaftoi Francës e cila vendosi veto për hapjen e këtyre negociatave. Tani thonë duhet ta sjellim Ligjin e prokurorisë publike. Në rregull, edhe atë do e sjellim. A do të thotë kjo që sigurt do të marim datë për hapjen e negociatave? A do të jetë kjo tani e mjaftueshme për Francën? Askush nuk e di.

E megjithatë ne nuk kemi zgjidhje tjeter pos t’u përmbahemi këtyre kërkesave dhe t’i kryejmë detyrat tona, bile jo vetëm t’i sjellim ligjet por edhe t’i zbatojmë ato, jo vetëm sepse duhet të marrim datë për negociata por sepse duhet të jetojmë si shoqëri e civilizuar dhe jo si anarki. Është kjo dilemma e përhershme morale që e kemi pasur që kur kemi qenë nxënës, dilemë që tani e kanë edhe fëmijët tanë. A ia vlen të bëjmë detyra, të mësojmë e të angazhohemi në një botë të padrejtë kur jo gjithmonë ata më të zellshmit fitojnë më shumë, por përkundrazi mund të përfundojnë të zhgënjyer në krahasim me ata më pak të zellshmit që kanë investuar pak në përgatitjen e tyre profesionale e megjithatë kanë fituar shumë duke shfrytëzuar konkurencën jolojale dhe shembjen e sistemit të vlerave? Si kur jemi nxënës dhe fëmijë ashtu edhe tani kësaj dileme duhet t’i qasemi vetëm duke pasur parasyshë vlerat morale dhe jo ato materiale. Sepse shpesh ndodh që materialisht nuk ia vlen sakrifica pa të cilën moralisht nuk mund të përmbushesh. Kështu edhe me detyrat tona të shtëpisë si shtet. Ne duhet të kemi sistem për ta luftuar krimin dhe atë ta luftojmë me gjithë mend, sepse jeta në një shoqëri të kriminalizuar është thjesht e padurueshme për vetë ne e jo vetëm e papranueshme për komisionerët evropianë që na tregojnë shartet e europeizmit. Kur ta kemi pastruar këtë dilemë morale me vetëvehten ndoshta gjërat do bëhen më të lehta se sa që janë tani.

Por është tmerësisht e dhimbshme ironia me të cilën përballemi. Një herë ishte çështja e emrit që me shumë sakrifica e zgjodhëm, e megjithatë nuk mjaftoi. Tani është çështja e ligjit të prokurorisë që nuk është ndonjë detyrë e parealizueshme e megjithatë as kjo nuk është garancë se do arrijmë aty ku duhet sepse Evropa, me gjithë madhështinë e saj, ka dëshmuar që nuk i mban premtimet e dhëna. Për më tepër, Komisioneri i respektuar që duhet të negociojë për zgjerimin e Unionit Evropian në Ballkanin Perëndimor e që na bën thirrje të sjellim njërin ndër ligjet kruciale që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës është në fakt njëri ndër njerëzit më të afërt të Orbanit, i cili i dha azil politik ish-kryeministrit tone të dënuar për korrupsion dhe e mban atë në shtetin e vet si mysafir nderi. Ky është kulmi i ironisë e megjithatë ne jemi në atë situatë kur duhet t’i kapërdimë të gjitha dhe të shpresojmë që do të vine ditë më të mira sepse nuk kemi zgjidhje tjetër. Alternartiva është lindja, totalitarizmi dhe izolimi. Pra nuk ka alternativë, të paktën jo për ata që e quajnë vehten sado pak demokratë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button