Maqedonia duhet të presë edhe një vit për riorganizimin e administratës publike

Në vitin 2021 duhet të mbarojë projekti për riorganizim të administratës publike në Maqedoninë e Veriut. Me këtë projekt do të mundësohet që ministritë të jenë institucione krijuese të politikave, agjencitë të jenë organe të cilat zbatojnë politika, dhe inspektoratet të kenë funksion vëzhgues. Sipas premtimeve të ministrisë, nuk do të ketë më përzierje të kompetencave mes institucioneve dhe pritet që të zvogëlohet numri i institucioneve, njofton Portalb.mk.

“Projekti ka disa nivele të indikatorëve, por qëllimi kryesor është që të fitojmë kornizë ligjore koherente për vendosje institucionale të organeve të administratës, agjencive dhe shërbimet inspektuese, për mënyrën e themelimit të institucioneve, kompetencat e tyre dhe linjat e llogaridhënies”, thonë nga MShIA për Portalb.mk.

Ata gjithashtu thonë se po bëhet përgatitja e propozimit për riorganizim të institucioneve. Po punohet edhe në Ligjin për organizim të punës në administratën shtetërore.

“Propozimi i versionit të ri të Ligjit për Organizim dhe Punë të Organeve të Administratës Shtetërore, duhet që të dorëzohet në konsultime deri në fund të janarit”, shtojnë nga MShIA.

Në projekt punojnë ekipi i ekspertëve të huaj, por edhe ekspertë të cilët janë angazhuar përkohësisht, për temë/fushë specifike.

Ekipi i MShIA-së është i obliguar që të bashkëpunojë vazhdimisht me ekipin e ekspertëve, ndërkaq është formuar edhe Bord Udhëheqës në të cilin ka përfaqësues nga institucionet relevante, prej ekipit të ekspertëve, por edhe të Delegacionit të BE-së. Sipas tyre, çdo institucion i cili është paraqitur në Këshillin e Reformave në Administratën Publike ka nominuar edhe person për kontakt për komunikim me ekipin e ekspertëve, me qëllim bashkëpunimi dhe me kohë të mblidhen të dhënat.

IPA projekti ka filluar në nëntor të vitit 2019, por paraprakisht janë zbatuar analiza fillestare dhe mapimi i institucioneve dhe kornizës ligjore, me mbështetje prej donatorëve tjerë. Projekti ka buxhet prej 1.7 milionë euro, në kuadër të projektit IPA, gjegjësisht financimi është siguruar tërësisht prej parave të Komisionit Evropian.

Ndryshe, ministri aktual i MShIA-së, Damjan Mançevski në qershor të vitit 2017-të paralajmëroi se “nuk do të ketë shkarkim nga administrata shtetërore, por do të bëhet riorganizim për efikasitet më të madh”.

Problem i administratës publike është numri i madh i institucioneve. Maqedonia ka gjithsej 1.299 institucione shtetërore, numër ky që konsiderohet tepër i lartë dhe që i kushton shumë arkës së shtetit. Paralajmërimet nga pushteti janë se do të zvogëlohet numri i institucioneve, nëpërmjet shuarjes së institucioneve që nuk kanë të punësuar, por edhe nëpërmjet bashkimit të institucioneve që kanë kompetenca të ngjashme apo të njëjta.

Nga ana tjetër, ndonëse pritej që paralelisht me reformat në administratën publike, sipas rekomandimeve të ekspertëve numri i të punësuarve në sektorin publik të ulet, megjithatë numrat zyrtarë tregojnë që i njëjti është rritur. Autoritetet arsyetohen se punësimet kanë qenë të domosdoshme. Numri i të punësuarve në sektorin publik deri më 31 dhjetor të vitit 2018-të, është 132.068 të shpërndarë në 1.314 institucione.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button