Kjo informatë nuk e përmbush parimin bazë të gazetarisë profesionale

Burimi: KriThink 

Lajmi që recensojmë flet për mundësinë e një koalicioni parazgjedhor mes BDI-së dhe RDK-së. Autori shkruan se ka mësuar që “Vesel Memeti është duke e lutur BDI-në” për këtë bashkëpunim parazgjedhor. Informacioni, siç citon media, është akoma jozyrtar por edhe i dyshimtë. Ja përse!

Fotografi nga lajmi qe recensohet

Linku deri te artikulli origjinal: Vesel Memedi i ka tejkaluar inatet me BDI-në, e lut për koalicion!

Data e publikimit: 13.01.2020

Data e recensionit: 15.01.2020

Recensues: Fatlume Dervishi

Në këtë lajm ka dy palë. Në njërën anë është Vesel Memeti dhe partia që ai drejton, RDK-ja, dhe në anën tjetër është BDI-ja. Nëse autori ka mësuar se “Memeti është duke e lutur BDI-në” për koalicion, duhet t’i kishte pyetur të dyja palët. Memeti mund ta konfirmonte ose ta hidhte poshtë këtë. Po ashtu edhe BDI-ja.

“Nga burime të besueshme brenda degës së BDI-së në Gostivar mësohet se Vesel Memedi është duke e lutur BDI-në për të bërë koalicion  për zgjedhjet e 12 Prillit.
Kujtojmë se para disa vitesh BDI ishte kundështarja më e madhe e RDK-së, por siç duket Vesel Memedi i ka tejkaluar inatet me BDI-në dhe do përkrahë BDI-në në zgjedhjet e 12 Prillit të këtij viti, njejtë siç bëri në zgjedhjet lokale të vitit 2017 në Gostivar …” – shkruan në tekstin që recensojmë.

Burimet anonime nga BDI-ja janë të pranueshme por nuk duhet të mungonte as përpjekja për konfirmim zyrtar nga partia. Në mungesë të burimeve shumë të nevojshme për besueshmërinë e këtij lajmi dhe në mungesë të fakteve shtesë, ai len hapësirë për dyshime sa i takon vërtetësisë.

Verifikimi, është neni i parë i Kodit etik të gazetarëve.

Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur. – shkruan në Kodin etik të gazetarëve.

Teknikat e manipulimit

Në këtë shkrim, autori thirret në autoritet, duke treguar prirje për t’i atribuuar vërtetësinë një deklarate nëse thuhet nga njw autoritet. Në këtë rast autoriteti është burimi anonim nga dega e BDI-së në Gostivar. Kjo e bën lajmin të duket më i besueshëm. Po ashtu, është shfrytëzuar edhe mungesa e provave të kundërta. Informacioni nga burimi anonim është prezantuar si i vërtetë vetëm pse nuk ka prova që nuk është i vërtetë. Teknikat bazohen në Doracakun e Crithink-ut.

Për lexuesit

Në këtë periudhë, kur kanë mbetur edhe disa muaj deri në zgjedhjet e parapara për më 12 prill, partitë janë duke vëzhguar terrenin dhe duke analizuar pozitat e tyre. Mundësitë për koalicione ekzistojnë. Për secilin informacion jozyrtar që mund të bie në vesh të gazetarit, ai është i detyruar, në bazë të parimeve etike dhe profesionale, të përpiqet ta verifikojë atë. Përpjekja për verifikim e sjellë gazetarin sa më afër të vërtetës dhe me këtë reduktohet mundësia që publiku të keqinformohet ose të manipulohet.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button