U nënshkrua marrëveshja për autostradën Shkup-Bllacë

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka firmosur marrëveshjen me një firmë ndërtimore për nisjen e punimeve për dy kilometrat e parë të autostradës Shkup-Bllacë, e cila do të lidhë Maqedoninë e Veriut me Kosovën, përmes autostradës “Arbën Xhaferi”, njofton REL.

Punimet pritet të nisin në pranverë, ndërsa deri atëherë pritet të përfundojë edhe procesi i shpronësimit të 68 parcelave të tokës, në pronësi të banorëve të Bllacës.

Autostrada do të jetë në gjatësi prej 12 kilometrash, me një kosto prej 120 milionë eurosh.

Dy kilometrat do të financohen nga buxheti i shtetit të Maqedonisë së Veriut, ndërsa pjesët tjera me kredi të Bankës Botërore dhe nga fondi i Ballkanit Perëndimor.

Gjatësia totale e autostradës do të jetë 12.5 kilometra dhe pritet të vihet në shfrytëzim në vitin 2021.

“Projekt i një rëndësie të veçantë strategjike për vendin dhe gjithë rajonin. Unë besoj se shumë shpejt Prishtinën dhe Shkupin do ta lidhim me një autostradë moderne, e cila do të kalohet për më pak se 45 minuta. Këto dy kryeqytete do të bëhen më të afërtat në rajon, duke ofruar një mundësi për lidhshmëri të njerëzve, mallrave dhe një klimë të re të bashkëpunimit mes shteteve dhe popujve”, ka deklaruar zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, koordinator i projektit.

Ndryshe, “Graniti” nga Shkupi është zgjedhur zyrtarisht si ofertuesi më i favorshëm për ndërtimin e dy kilometrave të parë të autostradës Shkup – Bllacë.

Tenderi për autostradën Shkup-Bllacë përfundoi me sukses këtë herë, pasi tre kompani Granit”, “Beton” dhe “ISA 2000” e Bullgarisë, i paraqitën ofertat për të marrë pjesë në këtë procedurë.

Nga Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore, për “Meta.mk”, informuan se kompania e Shkupit “Granit” e ka paraqitur ofertën më të favorshme për ndërtimin e autostradës, ndërsa nënshkrimi i kontratës me këtë kompani vijon pas skadimin e afatit për paraqitjen e ankesave nga ofertuesit e tjerë.

Puna ndërtimore pritet të fillojë në pranverë, e NP rrugët shtetërore pret që në periudhën prill – qershor 2020 të shpallet tenderi për përzgjedhjen e kontraktuesit për ndërtimin e fazës së dytë të autostradës Shkup-Bllacë.

Aktualisht është duke u përgatitur dokumentacioni i projektit për fazën e dytë të trasesë së gjatë 12.5km. Ndërtimi i autostradës Shkup-Blace pritet të kushtojë rreth 110 milionë euro.

Ndërtimi i autostradës Shkup -Bllacë, është i rëndësishëm sepse ajo do të mundësojë lidhjen me autostradën “Arbër Xhaferi”, e cili lidhet me autostradën “Ibrahim Rrugova”, që bashkërisht mundësojnë lidhje rrugore të RMV-së me Shqipërinë dhe Malin e Zi.

LEXO: Autostrada Shkup-Bllacë, është hapur tenderi për mbikëqyrje të punimeve ndërtuese

Përndryshe, për autostradën Shkup – Bllacë u tha se në muajin shkurt duhet të hapet tenderi për fazën e parë. Faza e parë do të fillojë nga kufiri Bllacë – Hani i Elezit dhe do të jetë e gjatë 2 kilometra. Punimet në terren për këtë fazë do të zgjatin 18 muaj.

Faza e dytë – Do të fillojë nga Bllaca deri në Shkup, do të jetë e gjatë 10.5 kilometra, ndërkaq projektimi pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2019. Tenderi do të hapet në fillim të vitit 2020. Do të ketë 4 tunele në gjatësi prej 4 kilometra, 8 ura dhe objekte të tjera. Do të jetë në dy drejtime, me nga dy korsi me gjatësi prej 3 metra, dhe një korsi për ndalesë me gjerësi prej 2.5 metra. Punimet për këtë fazë do të zgjatin 36 muaj.

Gjatësia e tërë autostradës do të jetë 12.5 kilometra, do të kushtojë 110 milionë euro, do të ketë 4 tunele, 8 ura, ndërkaq pritet të përfundojë për 54 muaj – 4.5 vjet. U paralajmërua edhe vendosja pikëpagesave rrugore.

Paralajmërimi për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë në dy faza dhe në kohëzgjatje prej 54 muaj ka ngjallur reagime të shumta në opinion. Qytetarët në mënyrë ironike komentuan se me kazmë do ta ndërtonin më shpejtë, e kurse sipërmarrësit thonë se kjo do ta ulte fitimin dhe do të rriste shpenzimet e ndërmarrjeve që gravitojnë në zonën ekonomike të Vizbegut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button