PDK emëroi zëdhënësin dhe drejtorin për komunikim në parti

Partia Demokratike e Kosovës, pas zgjedhjes së Kryesisë së re, me propozim të kryetarit të partisë, Kadri Veseli, ka emëruar dy zyrtarë përgjegjës për komunikim dhe marrëdhënie me publikun,transmeton Koha.net.

Shefi i Kabinetit të kryetarit Veseli, Avni Bytyçi, është emëruar në pozitën e zëdhënësit të partisë, ndërsa Bashmir Xhemaj është emëruar drejtor i Zyrës së Komunikimit në parti.

Para se të shërbente në pozitën e zëdhënësit të PDK-së, Avni Bytyçi ishte për dy mandate zëvendës shef i stafit të kryeparlamentarit, Kadri Veseli.

Më parë, Avni Bytyçi ishte angazhuar në sektorin e shoqërisë civile, duke mbajtur pozita të ndryshme menaxheriale dhe udhëheqëse, duke avokuar për demokraci dhe institucione transparente dhe llogaridhënëse.

Në vitin 2013 ai ka pranuar bursën Fulbright nga Departamenti i Shtetit Amerikan, për të vazhduar studimet. Pas përfundimit të studimeve themelore, drejtimin e shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, ka ndjekur studimet e nivelit master në “Maxwell School of Citizenship and Public Affairs” në Universitetit Syracuse, në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa, drejtori i Zyrës së Komunikimit, Bashmir Xhemaj, ka diplomuar në shkenca politike dhe magjistruar për komunikim në Universitetin e Sheffildit, fakulteti ndërkombëtar në Selanik. Ka përvojë të gjatë në gazetari dhe shoqëri civile.

Ndërsa nga viti 2014, ka punuar si këshilltar në Ministrinë e Jashtme dhe më vonë si këshilltar i lartë i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Partia Demokratike e Kosovës që nga themelimi i saj dhe në përvojën gati dy dekada si parti politike, ka kultivuar çdo herë një raport të veçantë dhe të afërt me mediat dhe publikun.

Emërimet e reja do ta forcojnë edhe më shumë këtë lidhje dhe rrisin bashkëpunimin e përditshëm me të gjitha palët e interesit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button