Messi: “El Clasico” ishte special me Ronaldon, rivaliteti ynë do mbahet mend përgjithmonë

Lionel Messi beson se dueli i tij special në La Liga me Cristiano Ronaldon do të mbahet mend përgjithmonë, derisa thekson se “El Clasico” ishte gjithmonë special kur portugezi ishte në Real Madrid.

Messi e Ronaldo patën përballje direkte nga viti 2009-2018, me dy yjet që dominuan futbollin botëror për një dekadë, transmeton Koha.net.

Argjentinasi thotë se intensiteti edhe periudha e gjatë e rivalitetit të tij me Ronaldon ishte gjithmonë në qendër të vëmendjes dhe se fansat nuk do të harrojnë lehtë rivalitetin e tyre.

“Është një duel që do të zgjasë përgjithmonë sepse vazhdoi për aq gjatë, dhe nuk ishte e lehtë të mbash nivelin më të lartë për aq kohë – veçanërisht në klubet që ishim, të cilat ishin aq kërkuese, Reali dhe Barça, më të mirat në botë”, është shprehur Messi për DAZN.

Ai thekson se në nivelin personal ishte shumë mirë, dhe rivaliteti sportiv ishte i jashtëzakonshëm pasi tifozët e kanë pëlqyer.

“Duke konkurruar kokë më kokë për aq vite do të mbahet mend përgjithmonë. Rivaliteti sportiv ndërmjet nesh ishte shumë i mirë në nivelin personal. Mendoj se edhe tifozëve u ka pëlqyer pa dallim, si atyre të Realit ashtu edhe atyre të Barçës, e gjithashtu edhe atyre që thjesht e duan futbollin”, ka thënë argjentinasi.

Gjatë kohës sa Ronaldo ishte pjesë e La Ligas, Messi ka arritur të shënoj 472 gola në 476 paraqitje, derisa portugezi ka shënuar 450 gola në 438 ndeshje.

E sipas Messit “El Clasico” ishte special kur Ronaldo ishte pjesë e Real Madridit.

“Kur Cristiano ishte në Madrid ndeshjet kundër tyre ishin gjithmonë speciale, por tani ato kohë janë prapa nesh dhe gjërat vazhdojnë”, ka deklaruar Messi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button