Disa të arrestuar në Iran lidhur me rrëzimin e avionit ukrainas

Organi gjyqësor i Iranit thotë se janë bërë disa arrestime lidhur me rrëzimin e avionit ukrainas që u godit gabimisht nga forcat iraniane, sapo u ngrit nga toka në Teheran, duke shkaktuar vdekjen e 176 vetëve në bord.

Njoftimin e bëri të martën zëdhënësi i gjyqësorit, Gholhossein Esmaili, por ai nuk dha detaje mbi numrin e të arrestuarve dhe lidhjet e tyre me çështjen.

Po të martën, presidenti iranian Hassan Rouhani u zotua që të ndëshkojë personat përgjegjës për rrëzimin aksidental të një avioni pasagjerësh ukrainas, ndërsa e quajti incidentin “të pafalshëm”.

Gjatë një fjalimi në televizor, udhëheqësi Rouhani bëri thirrje për ngritjen e një gjykate speciale dhe tha se “e gjithë bota do të shikojë”.

Zhvillimet ndodhin ndërsa qeveria e atij vendi përballet me protesta pasi fillimisht këmbënguli se problemet mekanike kishin çuar në rrëzimin e avionit, para se të pranonin të shtunën se personeli ushtarak iranian e kishte qëlluar dhe rrëzuar aeroplanin duke vrarë 176 njerëzit në bord.

Qindra studentë në një universitet prestigjoz të Iranit i dënuan hapur sundimtarët e tyre islamikë në ditën e tretë të protestave të hënën.

Në disa videoklipe të verifikuara nga Zëri i Amerikës, studentët në Universitetin e Teknologjisë Sharif në Teheran, që njihet për reputacionin në teknologji, duket se ishin mbledhur pranë kampusit duke hedhur parulla dhe dëgjuar folës të ndryshëm që kritikonin qeverinë.

Në një nga videot, studentët thërrisnin “ata vranë elitat tona dhe i zëvendësuan me mullahë”.

Ata i referoheshin dhjetra studentëve iranianë që kishin qenë në avionin e linjës ukrainase që u rrëzua.

Rrëzimi ndodhi vetëm disa orë pasi Irani goditi me raketa bazat amerikane në Irak dhe po bëhej gati për një kundërpërgjigje amerikane që nuk ndodhi. Sulmet me raketa të Iranit, që nuk shkaktuan viktima, u ndërmorën si hakmarrje ndaj vrasjes nga Shtetet e Bashkuara të kryegjeneralit iranian, Qassem Soleimani në Bagdad më 3 janar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button