Rasti “TNT” sërish u anulua, Trajkovski është në terapi

Gjykimi për shkatërrimin e kompleksit banesor “Kosmos” është anuluar për 20 janar pasi që përbërja e re e Këshillit Gjykues e pranoi kërkesën e mbrojtjes për gjendjen shëndetësore të të akuzuarit Toni Trajkovski, njofton Portalb.mk.

Përbërja e re e Këshillit Gjykues për lëndën “TNT” për shkatërrimin e kompleksit banesor “Kosmos” të investitorit Fijat Canovski në fillim të seancës është përballur me kërkesa të njëjta nga mbrojtja dhe Prokuroria.

Gjykata dha pauzë për 20 minuta, që të vendos për kërkesën e mbrojtjes për anulim të procedurës pasi që i akuzuari Trajkovski është në terapi, pas së cilës prokurori kërkoi ndarje të procedurës për të akuzuarin.

Avokati i të akuzuarit Trajkovski, Jovica Strashevski, në fillim të seancës, reagoi se klienti i tij është në terapi dhe nuk është në gjendje që të marrë pjesë në seancë gjyqësore.

“Nga dokumentacioni mjekësor mund të shihni se gjendja e këtillë nuk do të zgjatë shumë, pesë deri në dhjetë ditë”, thotë Strashevski.

Prokurori Burim Rustemi, për shkak të rrethanave të këtilla kërkoi ndarje të procedurës për Trajkovskin.

“Vlerësoj se për shkak të çështjes ekonomike të procedurës ekzistojnë kushte që të ndahet procedura për të akuzuarin Trajkovski me qëllim që të shfrytëzohen seancat e caktuara”, deklaroi Rustemi.

Ndaj kësaj reagoi mbrojtja, duke thënë se nuk mundet të udhëhiqet procedurë për nxitës me ndarje të procedurës.

Ndryshe, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në mars të vitit 2015, gjegjësisht në të ashtuquajturën “Bombën e 13” apo materialin e përgjuar, ka lëshuar një bisedë për të cilën thotë se Gruevski duke biseduar me Janakievskin pranon se e ka gënjyer pronarin e kompleksit të rrënuar “Kosmos”, Fijat Canovski, lidhur me dokumentacionin e këtij kompleksi.

“Më erdhi këtu, asnjëherë nuk e kam parë më të frikësuar. Asnjëherë nuk kam parë dikë aq të frikësuar. Më tha se do ta sjellë Velinë (Ramkovskin) që të merremi vesh. I thash se do të mendoj dhe do ta thërras sonte. Më tha : ‘Të lutem më thirr sonte, se nesër fillon ramazani, dua ta pres i qetë”, dëgjohet duke thënë Gruevski. Ai gjatë tërë kohës qeshet me zë lidhur me frikën që e ka vërejtur te Canovski.

“I thash se ka gabime. Ai pranoi se ka gabime, e lëshova në ujë pak..”, dëgjohet të ketë thënë Gruevski, për më shumë dëgjojeni incizimin telefonik të mëposhtëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button