RMV, sivjet  do të investohen mbi 31.7 milionë euro në infrastrukturën hekurudhore

Fillimi i ndërtimit të linjës hekurudhore Belakovc – Kriva Pallankë, përfundimi i seksionit hekurudhor Kumanovë – Belakovc dhe fillimi i rindërtimit të stacioneve hekurudhore në Korridorin 8 janë tre projektet kryesore që ka planifikuar t’i realizojë Ndërmarrja publike për infrastrukturë Hekurudhat e RMV-së në vitin 2020. Mbi 31.7 milion EUR janë parashikuar për ndërtim, rindërtim dhe përmirësim të infrastrukturës hekurudhore, theksohet në planin e biznesit të kësaj kompanie publike për vitin 2020, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Nga pothuajse 44 milion euro, deri më tani janë realizuar 24.9 milion euro nga projekti për rindërtimin dhe rehabilitimin e hekurudhës Kumanovë-Belakovc. 6.6 milionë euro do të ndahen për fazën e parë të lidhjes hekurudhore midis Maqedonisë dhe Bullgarisë, ndërsa pjesa tjetër e fondeve për ndërtim të hekurudhës do të shpenzohen në vitin 2021. Këtë vit është parashikuar të përfundojë shpronësimi i tokës nëpër të cilën kalon traseja e këtij seksioni hekurudhor.

Të dhënat nga Ministria e transportit dhe lidhjeve tregojnë se deri në fund të vitit 2019, ka përfunduar ndërtimi i 64 përqind të hekurudhës Kumanovë-Belakovc. Ky segment i hekurudhës, i gjatë 30.8 km, është dashur të përfundojë vitin e kaluar, por afati i realizimit u zgjat deri në fund të vitit 2020.

Sipas planit të biznesit, vitin e ardhshëm gjithashtu do të zgjidhet kompania që do të ndërtojë fazën e dytë të projektit të lidhjes hekurudhore me Bullgarinë. Ndërmarrja e Infrastrukturës Hekurudhore PE pret që të realizohen gjithsej 20 milionë euro të projektit për ndërtim të hekurudhës ndërmjet Belakovcit dhe Kriva Pallankës. Projekti e ka vlerën 145 milionë euro dhe është planifikuar që të mundësojë në vitin 2023 treni të arrijë deri në Kriva Pallankë. Disa fonde janë parashikuar edhe për shpronësimin e tokës nëpër të cilën do të kalojë kjo linjë.

Ministria e transportit dhe lidhjeve informon se ka pranuar 15 oferta nga kompani të ndryshme për ndërtimin e hekurudhës Belakovc – Kriva Pallankë. Aktualisht po bëhet vlerësimi i  ofertave, ndërsa deri në fund të vitit 2020 duhet të zgjidhet një kontraktues dhe të fillojë ndërtimi. Ky është tenderi i dytë me radhë, i cili u shpall në vitin 2018.

Këtë vit, është planifikuar të fillojë shpronësimi i tokës për fazën e tretë të hekurudhës për në Bullgari, në segmentin ndërmjet Kriva Pallankës dhe Deve Bairit. Mbi 320.000 euro nga buxheti i NP për infrastrukturë Hekurudhore do të ndahen për procesin e shënimit dhe vlerësimit të tokës në këtë trase.

Këtë vit duhet të lëshohet në qarkullim edhe linja hekurudhore Manastir – Kremenicë e Korridorit 10d, e cila ka përfunduar vitin e kaluar. Ndërmarrja publike do të ndajë fonde nga buxheti, për vitin 2020, për të përfunduar shpronësimin e tokës së kësaj hekurudhe në vlerë prej rreth 15.000 euro. Lëshimi në qarkullim i hekurudhës Manastir – Kremenicë ka vonesë prej disa muajsh për shkak se duhet të instalohet kablloja optike për të siguruar telekomandë të sinjalizimit dhe kontrollin e qarkullimit të trenave.

Ndërmarrja Publike për infrastrukturë hekurudhore planifikon që këtë vit të fillojë rindërtimin e stacioneve hekurudhore në Korridorin 8. Për këtë projekt, deri në vitin 2024, planifikohet të ndahen gati 590.000 euro për objektet që ndodhen në hekurudhën Shkup-Kërçovë. I pari për rindërtim është stacioni i trenit në Tetovë, për të cilin këtë vit do të ndahen mbi 190.000 euro.

Edhe pse tashmë është rikonstruktuar me fondet evropiane në vitin 2015, për stacionin kryesor hekurudhor në Shkup këtë vit do të nevojiten fonde shtesë. Rreth 300.000 euro janë ndarë për hidroizolimin e ulluqeve dhe fugat e stacionit, me çka do të parandalohet rrjedhja e ujit në hapësirat e poshtme të Qendrës së transportit.

Me buxhetin aktual të Ndërmarrjes Publike për infrastrukturën hekurudhore, këtë vit pritet një vëllim më i madh i investimeve në projekte të infrastrukturës sesa vitin e kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button