Shqiptarët as që ua marrin erën parave të shtetit!

Nuk ka asgjë nga premtimet dhe projektet e paralajmëruara kapitale infrastrukturore që duhej ta përmirësonin standardin në rajon me popullatë dominante shqiptare. “Shkupi 2014” edhe në Buxhetin për vitin e ardhshëm sërish është si projekti më i rëndësishëm qeveritar. Kjo është pjesë e vlerësimeve të deputetëve shqiptarë pasi u shpalosën pozicionet buxhetore për shpenzimet e Qeverisë në vitin 2013.

“BDI-ja qeveritare paralajmëroi se nga investimet e sivjetme kapitale, 25 për qind do të realizohen në rajonet shqiptare, kjo do të thotë se këtë vit duhet të shpenzohen diçka më pak se 100 milionë euro. Projektet e premtuara dhe të paralajmëruara, nuk janë realizuar”, theksoi deputeti Izet Zeqiri nga RDK-ja.

Në pritje të debatit kuvendor për Buxhetin 2013, ai zbulon se argument kyç në kritikën e partisë së tij do të jenë pikërisht projektet e premtuara dhe të parealizuara të BDI-së, partneri qeveritar i VMRO-DPME-së.

“Projektet e buxhetit të sivjetme ceken në buxhetin për vitin e ardhshëm. Është e vërtetë se janë rikonstruuar disa rrugë lokale dhe janë ndërtuar disa salla sportive, por ku janë projektet tjera si ndërtimi i terminali Tetovë – Jazhincë, rruga Bogovinë – Gostivar, Kumanovë – Nekushtak, Ura e Boshkut në Dibër”, pyet Zeqiri.

Edhe biznesmenët e pjesës perëndimore të Maqedonisë prisnin se pushteti do të ndajë më shumë para për projekte strategjike si ai për gazifikimin. Ajo për çka theksohej është se ndërtimi i rrjetit gazsjellës në rrugën Shkup – Tetovë – Gostivar – Kërçovë, në vend të fazës së pestë të vendoset në fazën e dytë. Problem i dytë është konstruksioni financiar. Deri në vitin e ardhshëm Qeveria planifikon të harxhojë vetëm 3.9 milionë euro për gazifikim – shumë që sipas ekonomistëve është thuajse simbolike për një mega-projekt të tillë. Përveç për gazifikimin, nga Oda ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore vazhdimisht theksojnë edhe për disa pozita tjera për të cilat i bëjnë thirrje Qeverisë që me kujdes t’i menaxhojë.

– punësimet në administratën publike
– ndalimin e shpenzimeve joproduktive
– kthimin me kohë të TVSH-së

Në të njëjtën kohë, si faktor për zhvillim ekonomik, punësime të reja dhe standard më të mirë u përmendën edhe Zonat e lira ekonomike. Ajo e Tetovës ende pret koncesionerë, zonës në Kërçovë i është vënë gurëthemeli, ndërsa Zona e lirë ekonomike në Strugë është në paralajmërim. Dyert për hyrje të investitorëve të huaj përmes zonave zhvillimore në këtë pjesë të vendit, tani për tani mbesin të mbyllura.

Buxhet, Paga, Investime!

Deri në vitin e ardhshëm dyshja qeveritare VMRO-DPMNE dhe BDI planifikon të shpenzojë 2.7 miliardë euro. Buxheti për vitin 2013 konsiderohet si njëri nga buxhetet më të mëdha të projektuara deri më tani. Ja sa para të popullit janë shpenzuar gjatë viteve të kaluara:

2012         2.6 miliardë euro
2011         2.6 miliardë euro
2010         2,4 miliardë euro
2009         2.2 miliardë euro

Një pjesë e analistëve shqiptarë njëzëshëm e hapin edhe dilemën për ndarjen e arkës buxhetore sipas çelësit etnik.
Në konceptin e tanishëm të ndarjes së parave të popullit edhe biznesmenët shohin model diskriminues.

“Politika aktuale ekonomike deri më tani nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të ecur në këtë vijë e cila do të siguronte dispenzim proporcional të parave të popullit nga buxheti. Sipas kësaj me politikat që momentalisht i zbaton Qeveria nuk ka shenjë të tillë, meqë ajo praktikon politikë populiste. Evidente është edhe me projektin e gazifikimit të Maqedonisë, në të cilin rajoni veri-perëndimor, kryesisht i përbërë nga shqiptarët është lënë për në etapën e fundit”, theksojnë nga Oda dhe shtojnë “Qeveria nuk ka investuar gjatë viteve të fundit në asnjë projekt infrastrukturor në pjesën veri-perëndimore dhe këto të dhëna mjaftojnë për të demantuar proporcionalitetin dhe disperzimin e buxhetit shtetëror”.

Deri tani edhe biznesi në kontinuitet tregon për shpenzime kapitale dhe proporcionale të parave shtetërore. Deputeti Zeqiri thekson hulumtimin adresa e së cilit është Bashkimi Evropian.

“Në vitin 2009 në ekonomi ka pasur 480 mijë të punësuar. Në vitin 2011 ky numër është zvogëluar për 30 mijë, por për këtë shkak rritet numri i nëpunësve shtetëror prej 110 mijë në vitin 2009 tani është rritur në 161 mijë”, thekson Zeqiri.

“Për projektin e vendkalimit kufitar Llojan-Miratoc, iku edhe viti 2012, çdo ti thoshte vallë tani plaku i Llojanit Ali Ahmetit!  Çdo fletë në këto buxhete paraqet diskriminim të shqiptarëve. Këto fletë të buxhetit dhe këto para në këto buxhete janë mundi dhe djersa e shqiptarëve, është ndarja nga kafshata e gojës për ta mbushur këtë buxhet. BDI dhe Ali Ahmeti do të vazhdojnë të tallen me shqiptarët edhe në vitin 2013. Me Monstra e Branitella, me Buste kafshësh dhe heronj të kontestuar, me tekste shkollore ofenduese e me nxënës shqiptarë të përjashtuar nga procesi arsimor, aksione policore, vrasje e arrestime e krejt kjo është si pasojë e fenomenit të çmendurisë  Ali Ahmeti i cili i adresohet ajrit dhe as që  e dëgjon piskamën e popullit te vet, varfërimin dhe shkatërrimin ekonomik te tyre’ tha deputeti i PDSH-së Bekim Fazliu.

Derisa blloku opozitar bëhet gati për debatin e ashpër kuvendor për Buxhetin 2013, Qeveria del në mbrojtje të komponentës zhvillimore të buxhetit, do të argumentojë me faktin se investimet kapitale deri vitin e ardhshëm në krahasim me atë të këtij viti do të jenë më të mëdha për 10 për qind. Planet dhe projektimet do t’i mbrojë Qeveria, realizimi do të jetë temë e debatit të opozitës.

Aneta Dodevska, bashkëpunëtore e jashtme e Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button