fbpx

Iran, tensione të larta pas rrëzimit të avionit ukrainas

Policia në Iran tha të hënën se nuk i ka qëlluar protestuesit që kanë dalë në rrugë qëkur Teherani ka pranuar të shtunën se ka rrëzuar një aeroplan ukrainas të pasagjerëve, shkruan REL, transmeton Portalb.mk. 

Videot e postuara në mediat sociale, megjithatë, kanë treguar pamje nga të shtënat dhe të njerëzve me gjak.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përmes një postimi në Twitter, ju la porosi autoriteteve iraniane që “Mos i vrisni protestuesit. Bota po ju shikon. Më e rëndësishme, SHBA po ju shikon”.

Teherani ka pranuar se ka rrëzuar gabimisht avionin e Ukrainës, duke vrarë të 176 njerëzit në bord.
Tragjedia ka ndodhur vetëm pak orë pasi Irani ka sulmuar me raketa bazat amerikane në Irak, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e komandantit iranian, Qasem Soleimani, në një sulm të SHBA-së, më 3 janar.

Publiku iranian shpërtheu në protesta të shtunën, pasi autoritetet pranuan se kanë rrëzuar avionin. Protestat vazhduan edhe të dielën në disa qytete të Iranit.

“Udhëheqësi ynë është skandaloz dhe budalla”, thirri një protestues, duke aluduar në liderin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

Të tjera video tregonin policinë duke i goditur protestuesit me shkopinj, ndërsa njerëzit pranë bërtisnin: “Mos i rrihni”, raporton Reuters.

Agjencia e lajmeve, megjithatë, thotë se nuk ka mundur të konfirmojë vërtetësinë e videove.

Shefi i policisë në Teheran, Hossein Rahimi, mohoi se ka pasur të shtëna në drejtim të protestuesve.

“Policia nuk ka qëlluar drejt protestuesve, sepse oficerëve të kryeqytetit u është dhënë urdhër që të tregojnë përmbajtje”, tha Rahimi.

Hadi Ghaemi, drejtor ekzekutiv i Qendrës për të Drejtat e Njeriut në Iran – organizatë me seli në Nju Jork – tha se iranianët “duhet të lejohen të shprehin hidhërim dhe të kërkojnë përgjegjësi”.

Në fluturimin e Ukrainës PS752 humbën jetën 82 iranianë, 57 kanadezë, 11 ukrainas, 10 suedezë, 10 afganë, tre gjermanë dhe tre britanikë.

Irani ka ftuar Kanadanë dhe Ukrainën të marrin pjesë në hetime dhe ka thënë se ata që janë fajtorë, do të mbahen përgjegjës.

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, tha se do të kërkojë “drejtësi” për të vrarët.

“Më vjen shumë keq për humbjen tuaj. Kjo tragjedi nuk do të duhej të ndodhte kurrë. Dua t’ju siguroj se e keni mbështetjen time të plotë gjatë kësaj kohe jashtëzakonisht të vështirë”, tha Trudeau në një vigjilje për kanadezët e vrarë në tragjedi.
“Nuk do të pushojmë derisa të ketë përgjigje”, shtoi ai.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close