Inflacioni i irelevancës institucionale

Propozimi i ligjit për pjesëtarët e forcave të sigurisë të vitit 2001 shkaktoi avalansh të natyrshëm politik, së pari përmes deklaratave dhe ballafaqimeve partiake dhe më pas gjatë javëve të fundit në Kuvend. Kulmi i çështjes u arrit me parashtrimin e mbi 15.000 amendamenteve nga partneri shqiptar i koalicionit, me qëllim të prolongimit të miratimit të këtij ligji. Ligjërisht, nuk ka asnjë pengesë për këtë dhe pa dallim nuancave formale, sistemi ia lejon partive politike akrobacionet e këtilla. Historia politike evropiane njeh mjaft raste të ngjashme, përfshirë edhe demokracitë e mirëfillta si Britania e Madhe ose Franca, ku në pjesën dërmuese, veprimet e këtilla ndërmerren nga partitë opozitare që nuk kanë mekanizma tjerë për kundërshtim.
 
Njëjtësimi i politikës me akrobacione sjell rezultate afatshkurte, por dëmi që krijohet është permanent dhe efektet e kësaj që ndodh tani do të ndjehen më vonë. Konkretisht, nëse mijëra amandamentet e parashtruara e synojnë prolongimin ose eliminimin e ligjit të njëanshëm dhe diskriminues, kjo do të arrihet në kurriz të precedencës së krijuar për në ardhmëri. Duke e ditur veprimtarinë politike të partisë më të madhe brenda Kuvendit dhe posaçërisht jashtë tij, është shumë e logjikshme të pritet që ky model të kthehet si bumerang në mundësinë e parë nga VMRO-DPMNE, e cila gjithsesi do ta shfrytëzojë argumentin se vetëm e kopjon praktikën tashmë të etabluar.  
 
Edhe në prizmin afatshkurtë, dobësimi i institucioneve i dëmton shumë më tepër palët joshumicë, meqë forca dominante edhe ashtu udhëheqë me sistemin, ndërkohë që të gjithë tjerët mbështeten vetëm në kornizat institucionale dhe normat si mekanizëm mbrojtës. Në rastin aktual, funksionimi i mirëfilltë i Kuvendit dhe institucioneve tjera që tentojnë të mbeten të pavarura janë gardi i fundit i mbrojtjes nga pushteti absolut që rezulton me korrupsion po aq absolut. Pikërisht kjo është arsyeja se pse pala shqiptare duhet të insistojë në ruajtjen e relevancës institucionale të Kuvendit – secila humbje ose dobësim do të jetë më i madh se përfitimi momental, qofshin ato përmes deklaratave bombastike ose kërcënimeve fëmijërore për djegien e Kuvendit.
 
Duke u nisur nga praktika që parashtrimi i mijëra amendamenteve shihet si vegël opozitare, aplikimi i tij nga partia politike që është pjesë e pushtetit e ngrit pyetjen e forcës së saj reale brenda koalicionit, por edhe të aftësisë për negociimin e politikës së përbashkët, për të cilën deklarohet se është kombinim i dy programeve zgjedhore. Për ilustrim, ky hap u ndërmorr edhe në vitin 2007 kur BDI ishte në opozitë, duke parashtruar ‘vetëm’ 4.100 amandamente kundër propozimit të Kodit zgjedhor.  Andaj, ngritet pyetja se prej nga lind ky dallim mes numrit të amandamenteve të parashtruara, që para pesë viteve vetëm se i paralajmëruan zgjedhjet e parakohshme.
 
Përtej politikës së bazuar në rejtingun ditor, me këto veprime rënohet edhe ai pak kredibilitet që i ka mbetur partive si lojtarë politikë dhe Kuvendit si institucion suprem. E pasqyruar në mikro-nivel, vlen të rikujtohemi në lajmin kryesor të muajit të kaluar, kur vendimi përjashtues i Kryetarit të Komunës Aerodrom me të cilin u goditën nxënësit shqiptarë, u balancua me vendime po aq diskriminuese nga Komuna Çair dhe ajo e Sarajit. Një muaj më vonë, nuk kemi dëgjuar se fëmijët janë kthyer në shkollat e tyre, që do të thotë se hakmarrja nuk ka dhënë efekt, përpos që u tregua forcë ndaj atyre që nuk mund të mbrohen. E vetmja që mbetet, është dëmi i krijuar dhe humbja e kredibilitetit për në ardhmëri, që do t’i eliminojë argumentet për drejtësi që ngriten nga pakica (në rastin konkret shqiptarët në Aerodrom dhe maqedonasit në Saraj e Çair).
 
Me përfitimet e pakta reale nga ky rast, do të jetë tejet e vështirë të kërkohet barazi dhe tolerancë në ardhmëri, kur pabarazia dhe jotoleranca është pritur me hakmarrje në vend të ndreqjes institucionale. Mbi domethënien e rasteve të kundërta, me freski shihet vendimi i Këshillit komunal të Gostivarit, ku gjuha turke është shpallur zyrtare ndonëse nuk e plotëson kërkesën ligjore sipas përqindjes së popullatës. Për dallim nga rasti paraprak, ky i fundit e krijon kredibilitetin dhe legjitimitetin për të kërkuar një gjë të tillë sipas nevojës edhe në komunat tjera. Me këtë logjikë, mund të kthehemi edhe tek konstatimi i natyrshëm i ish-Kryeministirt Hari Kostov gjatë rikrijimit të hartës territoriale, kur deklaroi se nuk mund të pritet që pakica në nivel shtetëror të jetojë si e tillë, kur pakica në nivel lokal nuk e pranon realitetin e të qenit pakicë komunale. Deklaratë kjo që mund të shfrytëzohet edhe aktualisht, pikërisht falë kredibilitetit dhe logjikës së shëndoshë në këtë kontekst.   

Joshja nga përfitimet momentale pak para zgjedhjeve vetëm se e thellon bindjen se gjithçka është pjesë e fushatës, tani e zgjeruar edhe me lojën emocionale të vitit 2001 dhe udhëtimet turistike-politike jashtë vendit. Po të kishte qenë ndryshe, llogaritësit e palodhur do ta kishin bërë hesapin mirë që vetëm me shpenzimet e seancave të pafund parlamentare, do të stërpaguheshin të gjithë ata të vitit 2001 mbi të cilët përfitimet nuk kanë të sosur. Pavarësisht lojërave politike, parimi njerëzor i krijimit të shembullit të mirë mbase krijon humbje momentale, por e rrit kredibilitetin që të kërkohet e njëjta prej të tjerëve. Me më pak kalkulime dhe më tepër qasje vizionare si dy të cekurat, gjithsesi se lajmet numerike do të zëvendësohen me argumentime përmbajtësore që krijojnë model. Fundja, me aq shumë përkushtim për vlera evropiane dhe mirëkuptim, e pakta që mund të bëhet është që përbetimet për ardhmëri të dëshmohen tani dhe këtu, duke krijuar diçka edhe për ardhmërinë e atyre që vijnë pas qeverisjes aktuale.  

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button