Vonesat në krijimin e deponive, shkaktarë të ndotjes së madhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut

Formimi i deponive rajonale në Maqedoninë e Veriut përmes të cilave në bazë të ligjit duhet të menaxhohen mbeturinat, duket se është bërë një mision i pamundur, theksuan përfaqësuesit e organizatave që në fokus kanë mbrojtjen e ambientit, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Beteja mes pushtetit vendor dhe atij qendror ka bërë që të stagnojnë projektet për ndërtimin e deponive rajonale.
Bllazhe Josifovski nga organizata joqeveritare “Ajde Maqedoni”, për Radion Evropa e Lirë tha se qytetarëve dhe komunave duhet tu sqarohet për benefitet që do të sjellin deponitë regjionale nëse ata lëshojnë hapësirat për këtë qëllim, ndonëse thotë se është e kuptueshme frika e popullatës lokale sepse në shumë raste organet kompetente nuk respektojnë standardet sa i përket menaxhimit me mbeturinat.

Josifovski u shpreh se “deponitë rajonale me çdo kusht duhet të ekzistojnë në përputhje me standardet që vlejnë për vendet e zhvilluara evropiane”, duke shtuar se mjafton tu referohemi praktikave të suksesshme të vendeve që tani paraqesin storie suksesi siç është rasti me Kroacinë dhe Slloveninë.

“Mospajtimet e pushtetit qendror me popullatën lokale, mendoj se janë rezultat i mungesës së një fushate adekuate për rëndësinë e këtyre deponive, në kuptimin e dobive që do të sjell funksionimi i deponive rajonale për ambientin, por gjithsesi shteti duhet tu ofrojë benefite të caktuara komunave që do të lëshojnë hapësirë për ndërtimin e të njëjtave” .

”Për shembull, në Kroaci, komuna e cila ka lëshuar hapsirën për ndërtimin e deponisë rajonale përfiton benefite të shumta, në kuptimin e punësimit të popullatës lokale, investimeve në këto komuna si në shkolla, spitale etj”,thekson Josifovski.

Ndërkaq Arianit Xhaferi nga organizata Eko Guerrila tha se problemi qëndron në atë se kryetarët e komunave nuk arrijnë të merren vesh se si do të ndahet profiti nga deponitë rajonale, dhe jo më pak problem, shton ai, është dhe fakti se një pjesë e drejtuesve të komunave u kërkojnë investitorëve të ndajnë përfitime nga deponitë rajonale pa investuar as një qindarkë nga buxheti komunal.

“Investitorët e huaj që vijnë këtu në Maqedoninë e Veriut që janë të interesuar të investojnë në menaxhimin me mbeturinat jo rrallë janë frikësuar në një far mënyre janë përzënë, janë shantazhuar nga kryetarët e komunave të cilët kanë kërkuar të bëhen partnerë në biznesin me menaxhimin e mbeturinave pa investuar asgjë”, thotë Xhaferi.

Por, autoritetet e pushtetit qendror kanë pranuar se ka ngecje të mëdha në procedurat për fillimin e ndërtimit të deponive rajonale megjithëse shtojnë se në asnjë mënyrë nga ndërtimi i tyre edhe pse duket se procesi duhet të fillojë nga e para.

”Ka diskutime në vazhdim në këtë drejtim. Ka komuna që duhet të binden se ku duhet të ketë stacione transferimi dhe deponi kryesore. Ne kemi një plan kombëtar dhe po punojmë për zhvillimin e mëtutjeshëm të planit”, është shprehur për mediat kohë më parë ministri i Ambientit, Naser Nuredini.

Në bazë të të dhënave zyrtare qytetarët e Maqedonisë së Veriut krijojnë rreth 700 mijë ton mbeturina në vit, gjë që sipas organizatave që në fokus kanë mbrojtjen e ambientit një pjesë e madhe e kësaj sasie në mungesës të deponive regjionale përfundon në deponitë e vogla në më shumë pjesë të vendit sepse kostoja që të gjitha mbeturinat të dërgohen në deponinë Drislla të Shkupit është e papërballueshme për pjesën më të madhe të komunave të vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button