ANALIZË:  Në 1.8 të punësuar – 1 pensionist: si janë paguar pensionet dhe si është mbushur arka e FSPIM-së!

Të ardhurat nga kontributet e papaguara të FSPI-së zvogëlohen për çdo vit, transferimet buxhetore për mbulimin e “vrimës” në Fondin për Sigurimin Pensional rriten. Dobësi në ruajtjen dhe azhurnimin e të dhënave për shfrytëzuesit e pensioneve, gabime në evidencën e personave të siguruar, për shkak të të cilave, megjithëse disa prej tyre është dashur të vendosen në shtyllën e dytë pensionale, kjo nuk është bërë. Këto janë një pjesë e gjetjeve të publikuara në Raportin e ri të revizionit që e mbulon funksionimin e Fondit Pensional në vitin 2018, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Revizorët përmbahen të japin mendim mbi vërtetësinë dhe objektivitetin e disa prej elementeve të raporteve financiare, si dhe për pajtueshmërinë e aktiviteteve dhe transaksioneve financiare me legjislacionin përkatës ligjor.

Si janë paguar pensionet, si janë arkëtuar kontributet…

Injeksioni financiar buxhetor për pagesën e rregullt të pensioneve bëhet gjithnjë e më i fortë nga viti në vit, ndërsa nga ana tjetër, mbledhja e kontributeve të papaguara nga FSPI-ja shënon rënie, që tregon se gjendja financiare e fondit shtetëror nuk është përmirësuar deri në fund të vitit 2018. Revizorët në raportin e fundit theksojnë se varësia e FSPIM-it nga buxheti është në rritje të vazhdueshme, kështu që në vitin 2011 mjetet që janë ndarë nga buxheti merrnin pjesë me 35.7% të të ardhurave të përgjithshme totale të FSPIM-it, ndërsa në vitin 2018 ato ishin në nivelin prej 43%.

“Në vitin 2018, u transferuan 478.0 milion euro për ta mbuluar deficitin. Situata e konstatuar është rezultat i përqindjes së papunësisë, zgjidhjeve ligjore për lirimin nga pagesa e kontributeve dhe pagesën e tyre preferenciale, raportit të pafavorshëm të numrit të të punësuarve dhe pensionistëve, 1.83 punonjës në 1 pensionist, lartësisë së përqindjes së detyrueshme të SPI-së, e cila sipas zgjidhjeve ligjore të Fondit është 18% deri në fund të vitit 2018” – shkruajnë revizorët.

Megjithëse në vitin 2009 u fut në përdorim sistemi i integruar i arkëtimit të të ardhurave nga kontributet, me ç’rast shumë institucione morën për obligim t’i shkëmbejnë të dhënat, revizioni zbuloi një numër dobësish dhe lëshimesh.

“Ekzistimi i më shumë bazave paralele të të dhënave të të gjithë punonjësve të obliguar për pagesën e kontributeve për institucione të ndryshme, të cilat dallojnë në mes tyre, e pamundëson dhe kufizon kontrollin e DHP-së për tërësinë dhe saktësinë e kontributit të përcaktuar dhe të papaguar. Mund të konstatohet se sistemi i vendosur për përcaktimin, kontrollin dhe arkëtimin e kontributeve nuk bazohet në integrimin e plotë dhe të saktë dhe në shkëmbimin në kohë të të dhënave të institucioneve, që nuk është në përputhje me Ligjin për Kontributet” – thuhet në raportin e revizionit.

Revizioni e shqyrton edhe shpërndarjen e punonjësve të siguruar në shtyllën e dytë të pensioneve, me ç’rast e konstaton gjendjen vijuese:

“Që nga viti 2006, për shkak të gabimeve, janë paraqitur kërkesa të pavlefshme, duke bërë që disa punonjës të siguruar të mos shpërndahen në shtyllën e dytë të pensioneve. Nga numri i përgjithshëm i punonjësve të siguruar q nuk janë shpërndarë në shtyllën e dytë, 12,103 më 31.12.2018, më shumë se gjysma janë paraqitur në fillim kur të është futur në përdorim sistemi, kur është bërë edhe transferimi më i madh nga shtylla e parë e pensioneve në të dytën, i anëtarëve që i kanë plotësuar kushtet ligjore. Mungesa e një afati të përcaktuar me ligj për zgjidhjen e situatave të tilla ka bërë që problemi të zgjatet me vite. Edhe pse Fondi dhe Ministria përgjegjëse i kanë identifikuar problemet, deri në fund të 2018 nuk është ndërmarrë asnjë veprim për transferimin e personave të siguruar në shtyllën e dytë të pensioneve, ndërsa paratë që janë paguar për ta kanë mbetur në llogarinë e Fondit”.

Për shkak të kësaj situate, në fund të 2018 shuma totale e pagesave të paidentifikuara dhe të pa alokuara arriti në 1.8 milionë euro, numri i konstatuar i personave të siguruar të pashpërndarë arriti në 12,103 persona, ndërsa shuma e kontributeve të paguara nga personat e siguruar potencialisht të pashpërndarë arriti në 14.9 milion euro, me ç’rast në këto llogaritje nuk është përfshirë shuma parave që është dashur ta marrin personat e siguruar.

“Gjendja e konstatuar ndikon që një numër i personave të siguruar të mos jenë në gjendje t’i ushtrojnë të drejtat e tyre për SPI” – konstaton revizioni dhe thekson se që nga fillimi i vitit 2019 ka filluar reforma e sistemit të pensioneve, me të cilën sigurohen para nga buxheti për pagesën e të ardhurave të personave të siguruar “të dëmtuar”, janë vendosur disa kritere për shpërndarjen e papenguar dhe të saktë të anëtarësisë, është ndryshuar kushti për anëtarësim të detyrueshëm, janë futur kritere të reja për anëtarësim në shtyllën e dytë të pensioneve, me të cilat 30,000 persona të siguruar u kthyen në shtyllën e parë të pensioneve.

Në Bilancin e gjendjes, në fund të vitit 2018, Fondi shtetëror raportoi kërkesa në vlerë prej 210 milionë eurove, që paraqet 48% të aktivit të përgjithshëm të Fondit.

Sa i përket pagesës së pensioneve, revizorët konstatuan mospërputhje të shumta, duke përfshirë:

“Nuk është paraparë harmonizim i të dhënave midis Njësisë për pagesën e pensioneve dhe Njësisë për kontabilitet në lidhje me shumën e llogaritur për pagesë, dosjet financiare në letër ruhen pa mbrojtje adekuate në arkivin e Njësisë për pagesën e pensioneve, dhe përkundër aktiviteteve të ndërmarra për lidhjen e bazave të të dhënave të institucioneve të ndryshme për shkëmbimin e të dhënave, ato nuk merren çdo herë në kohë dhe në mënyrë të plotë. Sistemi elektronik nuk ka kontroll të integruar për ndërprerjen e së drejtës së shfrytëzimit të pensionit familjar në rastet kur shfrytëzuesi e ka humbur të drejtën ligjore për ta shfrytëzuar atë, dhe për këtë arsye ekziston mundësia që t’u paghet pension familjar shfrytëzuesve që nuk i plotësojnë kushtet për këtë. Pas identifikimit të rasteve të tilla, në fund të vitit 2018 fondi kërkon dëmshpërblim prej gati 4 milion eurosh” – thonë revizorët.

Udhëheqësia e FSPIM-së i ka pranuar gjetjet e Propozim-raportit të revizionit, duke vlerësuar se ai e paraqet situatën në mënyrë objektive në kushte kur, siç thuhet në përgjigje, ka mosharmonizim të legjislacionit të përgjithshëm në vend, ka mungesë të personelit për ta realizuar veprimtarinë e Fondit, si dhe ka mungesë të të dhëna cilësore që FSPIM-ja i merr nga institucionet e tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button