Ish-ambasadori i OSBE-së, Walker në Kosovë për përvjetorin e masakrës së Reçakut

Ish-ambasadori i OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, William Walker ka ardhur në Kosovë për të marrë pjesë në shënimin e 21 vjetorit të masakrës së Reçakut. Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se Walkeri po kthehet në Kosovë, si çdo vit, për të respektuar viktimat e Reçakut si dhe për t’ia treguar Serbisë dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, krimet e tyre.

“Javën tjetër është 21 vjetori i masakrës së Reçakut. Është kjo një nga krimet më të rënda kundër njerëzimit në vitet ‘90 të kryera nga Serbia. Ishte Ambasadori William Walker ai që e dëshmoi para botës këtë krim dhe parandaloi fshehjen nga forcat serbe. Disa javë më parë Aleksandar Vuçiq mohoi masakrën e Reçakut dhe sulmoi ambasadorin Walker. Kur të gjithë reaguan ndaj politikës së mohimit, askush nuk doli në mbrojtje të Ambasadorit Walker dhe punës së tij. Puna e tij atëherë është kujtimi i Reçakut sot. Me ftesën e zëvendëskryeministrit/ministrit të jashtëm, Behgjet Pacolli, Walker si çdo vit po kthehet për të respektuar viktimat e Reçakut dhe për t’i treguar Serbisë dhe Vuçiqit krimet e tyre”, ka shkruar ai.

Edhe Pacolli, në një postim të djeshëm në Facebook, tha se William Walker mbetet një hero i gjallë i Kosovës i cili tregoi para botës mizoritë e tmerrshme të regjimit të Millosheviqit.

“Puna parimore dhe e drejtë e tij është shqetësim për Serbinë edhe sot. Ai e ka ndihmuar Kosovën pas vitit 1999 shumë. Unë kam qenë i nderuar që punova me të për pavarësinë dhe njohjen e Kosovës ndërkombëtarisht para shpalljes së pavarësisë dhe më pas. Miqtë si ai Kosova duhet gjithmonë t’i respektojë dhe t’i dëgjojë ata. Ambasadori William Walker e do më të mirën për ne. Në Kosovë ju jeni gjithmonë në shtëpinë e juaj ambasador Walker”, shkroi Pacolli.

Forcat serbe, dy dekada më parë, më 21 janar 1999, në fshatin Reçak, vranë e masakruan 45 civilë. Ndërkaq, Serbia refuzon të ketë kryer masakër, duke u justifikuar se shqiptarët e vrarë ishin anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button