Sa herë zjarri i Prometheut po merr jetët e reja?

Mitologjia antike shpesh na ngërthen në një botë fantazie, në të cilën mbizotërojnë qenie me karaktere të ndryshme. Ajo na tregon se Prometheu është revolucionari i parë në historinë e botës, dëshira dhe synimi kryesor i të cilit ishin sjellja e zjarrit në tokë dhe ndihma për qeniet e gjalla në mënyra të ndryshme. Hapa të tillë të ndërmarrë në një kohë kur perënditë antike të mitologjisë luftonin për fron dhe fuqi mbi të dobëtit, ishin me fat të mirë për qeniet në tokë, por tragjike për vetë Prometheun, i cili u dënua me vdekje, dënim ky, vetëm pse synonte të mirën e përbashkët dhe barazinë ndërmjet popullit.

Zjarri erdhi me ndihmën e tij, për t’u bërë bota një vend i ngrohtë, në të cilën njerëzit në të ardhmen do të frymonin lirshëm. Kjo është dëshira dhe kërkesa e të gjithëve, të cilët zgjohen me ëndrrën që bota të jep shenja pozitive dhe në të pa ndalë të burojnë të mirat dhe vlerat e natyrave të ndryshme, qoftë kur përreth natyra bën ftohtë, apo kur dielli me fuqinë e tij ngroh edhe skutat më të errëta të botës.

Jemi në një muaj të ftohtë. Nga çdo anë po mbizotëron ftohtësia. Shtëllungat e tymit marrin me vete edhe ëndrrat e pakta njerëzore, për një të ardhme më të mirë, dashuri familjare, suksese dhe ditë të mbushura me harmoni. I dërgojnë larg. I arratisin nga dhomat e vogla me dritare të heshtura, nga të cilat përveç dritës së paktë në dhomë, nuk hynë gjë tjetër, bile as edhe ndihma e tjetrit për të dobëtin dhe njeriun e pafuqishëm. Jetesa sa vjen e po rëndohet. Po bëhet më e vështirë.

Po ngulfatet me veten dhe me ne, për ta parë ndoshta të nesërmen me viktima të reja. Me qenie që ende nuk i kanë qoftë edhe dy dëshira për të ardhmen jetësore, ngase janë të vegjël dhe përveç lojërave të mbetura në gjysmë nga ftohtësia e dhomës dhe e trupit, nuk njohin gjë tjetër. Nuk njohin vështirësitë dhe vuajtjet, të cilat për të mëdhenjtë shtohen dita-ditës. Bëhen më të rënda, aq shumë sa ndonjëherë ka frikë t’i quhen të tijat/sajat. Ka turp nga to. Ka frikë të mos e mbysin. Të mos ia marrin jetën. Të mos e degdisin në një skaj, ku përveç pluhurit dhe merimangës nuk do të njeh gjë tjetër. Ka frikë edhe të mendoj për to. Janë këto shenja ftohtësie. Shenja të pambrojtjes njerëzore. Të ëndrrave të vrara, të lëna në gjysmë, të djegura bashkë me shtëpinë dydhomëshe, të bëra hi bashkë me rrobat, të lëna në harresë edhe nga vetë jeta.

Zgjohemi çdo ditë nga lajme të ndryshme. Përditshmëria jonë ka filluar të ngjasojmë me ferrin dantesk, me vuajtjet e mëdha të Sizifit. Me çdo gjë që bota njerëzore, apo qoftë edhe ajo artistike/letrare e njeh si të dëmshme dhe të ngulfatur në dhembje. Dita-ditës sa vijmë e po mbarojmë. Po ndahemi nga jetët e reja dhe nga qeniet të cilat i duam me gjithë shpirt, ndihmën e të cilëve sërish e kërkojmë te një Promethe, por që në të sotmen ai është larg nesh, e ne, të paarritshëm për të, aq shumë sa që ndonjëherë kemi frikë ta quajmë tonin.

Zgjohemi mëngjeseve të ftohta dhe presim se çdo të na sjell dita. Thuajse jemi mësuar të jemi në pritje dhe të na dhemb shpirti kur kuptojmë se një vend ka një të humbur, diku tjetër dikush është djegur, ka mbaruar jetën në pamundësi shpëtimi, ose diku ndonjë tjetër edhe lufton për një dhomë të ngrohtë. Për të gjitha këto raste, nuk dimë se ku të mbështetemi dhe ku realisht ta lëmë fajin. Të shpëtojmë nga e keqja dhe të jemi sa më larg saj.

Jemi bërë qenie të paqena më parë. Aq ndryshe sa ndonjëherë kemi frikë të flasim me veten, sepse nuk e njohim, nuk ka të bëjë me ne, nuk na njeh as ajo neve, thjesht ecim veç për të pritur se ku do të mbarojë jeta, ku do të lidhen shpresat tona të pakta dhe sa ditë do të zgjasë vuajtja jonë shpirtërore. Ngushëllohemi me faktin se sërish do të vijë pranvera, se sërish do të del dielli, por për dhembjen tonë shpirtërore dimë se as zjarri më nuk bën punë, sepse ai në këtë kohë po na merr edhe jetët e reja. Po na shkatërron gjithçka, duke na lënë të lirë vetëm për t’ia dëshiruar tjetrit një qetësinë në botën tjetër, në të cilën ndoshta sërish Prometheu do i del në ndihmë, e së paku do ia jep lumturinë e pa marrë mbi tokë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button