Shteti do të investojë 30 milionë euro në Mal të Sharrit

Kryeministri Nikolla Gruevski kumtoi se plani përmban  investime në tri faza. Në të parën “Elektranet e Maqedonisë” (ELEM) do të investojë 30 milionë euro në rrugë të reja dhe zgjerimin e të njëjtave,  në parkingje më të mëdha dhe rikonstruimin e rrugës kryesore, do të ketë edhe aktivitete të reja me të cilat do të dyfishohet kapaciteti i turistëve dhe skiatorëve në Malin e Sharrit.

Në fazën e dytë dhe të tretë do të ketë investime të mëdha për ndërtimin e hoteleve dhe restoraneve dhe për to Qeveria në shpallje ndërkombëtare do të kërkojë koncesioner.

“Ky është një investim serioz në Mal të Sharrit. Qëllimi është që ai të bëhet një qendër e madhe evropiane për tërheqjen e turistëve dhe skiatorëve. Vëmendje i kushtohet edhe asaj që edhe në verë, kur nuk ka borë, të ketë përmbajtje  interesante në Sharr. Master-plani jep përmbajtje gjithpërfshirëse të aktiviteteve të cilat Qeveria së bashku me partnerët potencial privat duhet që t’i bëjë në  të ardhmen, me qëllim që Mali Sharr të shndërrohet në njërën nga qendrat më të mëdha evropiane për skijim, deklaroi Gruevski në Kumanovë pas shënimit të fillimit të punëve ndërtimore për revitalizimin e shinave të Korridorit 10.

Gruevski shtoi se Qeveria paralelisht investon në qendra tjera dimore-për modernizimin e qendrave të skijimit në Krushevë dhe në Ponikvë (përmirësimin e rrugëve dhe ndriçimin) janë investuar rreth 2.5 milionë euro. Në plan janë investime edhe në Pelister si dhe në qendrat tjera dimore sepse, theksoi kryeministri, turizmi është sektor i cili mund t’i sjellë shtetit shumë të ardhura.

Në deklaratën kryeministri informoi se ka interesim për investime për agrokombinatin “Xhumajlia”. Ai shpreson se shpallja për shitjen e tij do të përfundojë me sukses dhe do të gjendet investitor. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button