Shkup, 8 vite nuk ka punësime të reja në Institutin e Kimisë së FSHMN-së

Të punësuarit në Institutin e Kimisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në Shkup të cilët disa muaj më parë protestuan për kushtet e vështira të punës, ende nuk kanë marrë asnjë informatë rreth punësimeve të reja që institucioni të funksionojë siç duhet, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Nuk kemi asnjë informatë zyrtare, nuk kemi përgjigje konkrete se a do të miratohen punësimet për dy asistentë dhe katër asistentë laborant. Nuk e dimë se çfarë do të bëjmë nëse nuk na pranohen të njëjtat. Dëgjuam se në fakultetet e tjera kanë pranuar staf të ri, ndërsa ne presim ende. Dokumentet e nevojshme gjinden në kabinetin e Ministrisë për Arsim si dhe asaj për Financa”- shprehet Viktor Stefov, profesor në Institutin e Kimisë.

Ai, bashkë me kolegët dhe studentët e tij, kohë më parë në mënyrë të qetë protestuan për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj kushteve në të cilën veprojnë dhe punojnë. Ata u ankuan se në këtë institucion të lartë arsimor nuk ka kushte elementare për punë dhe se ato asnjëherë nuk kanë qenë kaq të vështira.

“Kjo është rezultat i mbështetjes së keqe dhe politikave të këqija në arsimin e lartë në këto njëzet vitet e fundit, ndërsa ndaj shkencës gjatë dekadës së fundit. Veçanërisht në përkujdesjen për potencialin njerëzor dhe për kushtet materiale për mësimdhënie dhe kërkime shkencore. Për shkak të reputacionit të tij dhe vetëdijes së lartë të zhvilluar akademike, ka disa vite që stafi i Institutit ka bërë përpjekje të mëdha për të zbutur përkeqësimin e vazhdueshëm të situatës, duke treguar njëkohësisht problemet dhe duke bërë përpjekje për zgjidhjen e tyre. U janë bërë kërkesa autoriteteve për të marrë pëlqimin punësim të bashkëpunëtorëve të rinj, për të investuar në përmirësimin e kushteve materiale dhe mbështetje për kërkime, por asnjë përgjigje nuk kemi marrë” – thonë profesorët.

Profesorët thonë se ata me buxhetin e tyre personal blejnë materialet dhe kimikatet e duhura që janë të nevojshme për zhvillimin e eksperimenteve laboratorike dhe për të mbajtur ushtrimet e duhura me studentët e tyre.

Përndryshe, dhjetë vjet më parë, një e treta e të gjitha punimeve në Maqedoni që u botuan në revista shkencore ishin nga Instituti i njohur i Kimisë. Tani, kjo përqindje është ulur në mënyrë drastike.

Profesorët kërkojnë nga ministritë e lartpërmendur, aprovimin urgjent të kërkesave të tyre për punësimin e bashkëpunëtorëve të rinj, me qëllim që siç shprehen “për zbutjen e situatës katastrofale me të rinjtë në mënyrë që të mund të ofrohet trajnim praktik, diçka që aktualisht është e paimagjinueshme.”

Ka tetë vite që nuk është dhënë leje për punësim të asistentit në këtë Institut, ndërkohë që vazhdojnë pensionimet e laborantëve dhe profesorëve, kuadër i nevojshëm për pjesën praktike të punës dhe studimeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button