Zhgënjimet dhe frustrimet e ballkanasve ndaj Bashkimit Evropian

Vetoja franceze kundër anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ishte një shok dhe ‘debacle’ (dështim) i papritur për liderët e Ballkanit Perëndimor. Lënia e shteteve të Ballkanit Perëndimor në margjinë dhe jashtë familjeve evropiane i inkurajon popujt e Ballkanit që të kthehen drejt Lindjes. Muslimanët e Ballkanit – boshnjakët, shqiptarët dhe grupet e tjera etnike muslimane e shohin Turqinë si të vetmen alternativë. Kurse popujt sllavo-orthodoksë – serbët, maqedonasit, malazezët do të kthehen nga Rusia si aleate tradicionale me të cilën kanë kulturë, gjuhë e fe të përbashkët.

Gazeta Dnevnik e Shkupit shkruan se vetoja kundërshtuese e BE-së, mospranimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor është përplasje qytetërimesh. Autori shkruan se po të ishin popujt e Ballkanit Perëndimor të krishterë me konfesion katolik ose protestant, ata do të hynin në BE së bashku me polakët, çekët, hungarezët, etj. Evropa si një klub katoliko-protestant ka paragjykime dhe ksenofobi ndaj popujve lindorë bizantino-islamikë.

XXX

Turqia dhe Kina janë prezente në Ballkan. Ato i kanë zgjeruar investimet e tyre në Ballkan dhe në gjithë Evropën Lindore. Turqia është shumë e lidhur me muslimanët e Maqedonisë Veriore, Kosovës, Shqipërisë dhe Bosnjës. Një diplomat turk me origjinë nga Ballkani pohon se në tre vilajete me ekonomi gjigande dhe më të industrializuara – Stambolli, Izmiri dhe Bursa, shumica e firmave, kompanive dhe koncerneve drejtohen nga pronarë me origjinë nga Ballkani. Shumica e stërgjyshërve dhe e gjyshërve të tyre kanë folur dhe akoma flasin gjuhën shqipe dhe boshnjake.

Lidhjet e gjakut, lidhja historike, gjendja emocionale ndaj origjinës dhe atdheut të stërgjyshërve dhe gjyshërve kanë kontribuar në rritjen e investimeve të ndërsjella. Po japim një shembull. Një ndër miliarderët e Stambollit, prindërit e të cilit janë nga Novi Pazari dhe janë shpërngulur në Turqi në vitet 1960-të, ka bërë investime kolosale dhe ka punësuar mbi 10.000 punëtorë në vendlindjen e prindërve të tij në Sanxhak (provincë serbe me shumicë muslimane). Po ashtu, koncerni i këtij miliarderi ka hapur një fabrikë në Kralevë ku janë punësuar mbi 2000 punëtorë vendas. Midis Kralevës dhe Novi Pazarit kompanitë turke  kanë ndërtuar aeroportin e kompanisë Turkish Airlines.

Eksperti dhe analisti ballkanik Dushan Raljiç thotë edhe se ballkanasit kanë divergjenca kulturore ndërmjet tyre, sidomos të krishterët.  Në fakt, gjashtë shtete ballkanike kanë lidhje historike, kulturore e religjioze. Ne popujt e Ballkanit kemi pesë shekuj që jemi të lidhur historikisht me njëri-tjetrin. Kemi të njëjtën kuzhinë, të njëjtin mentalitet, zakone e tradita të ngjashme, veshje të ngjashme. Stërgjyshërit tanë ballkanas, pavarësisht nga përkatësia etnike, kanë pasur veshje osmane me fes të kuq e me xhybe. Në shumë qendra urbane në Serbi, Maqedoni, Kosovë apo Shqipëri, etj., pas orës 8 të mbrëmjes rrallohen lëvizjet nëpër rrugë sepse njerëzit shkojnë në shtëpi për të ndjekur serialet turke. Nëpër këto vende janë hapur plot kolegje turke, si edhe kurse të gjuhës turke për t’u punësuar në firmat turke.

Dushan Raljiç shkruan se është më mirë që Ballkani Perëndimor të pranohet dhe të integrohet në Bashkimin Evropian. Po qe se Brukseli vazhdon të injorojë, të anashkalojë e të sfidojë Ballkanin Perëndimor, në të ardhmen Ballkani mund të ndahet në dy pjesë: në pjesën sllave, të cilën do ta kontrollojë Rusia, dhe në pjesën muslimane, të cilën do ta ketë nën kontroll Turqia. Amerika edhe më tej do të jetë prezente dhe në fund, me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut mbyllet kapitulli i NATO-s. Shqiptarët do të vazhdojnë të jenë aleatë të SHBA.

Amerikanët, për të ruajtur ekuilibrin dhe për të shmangur sfidat dhe dominimin e hegjemonisë ruse në Ballkan, do të kenë shqiptarët si aleatë besnikë.  Aleanca dhe miqësia midis Ankarasë dhe Moskës është sikur një çift i dashuruar që betohet se nuk do të ndahen deri në vdekje. Turqia edhe më tej do të vazhdojë të jetë aleate tradicionale e SHBA. Interesat e amerikanëve në Ballkan do të vazhdojnë të jenë prezente duke pasur si rival Rusinë. Amerika do të lërë Turqinë si policë për të mbikqyrur pjesën e Ballkanit Perëndimor që ka shumicë muslimane, shqiptarë dhe boshnjakë.

“Thellësia strategjike”

Ish-Kryeministri dhe hiperdiplomati i Turqisë Ahmet Davutoğlu në veprën e tij të famshme “Thellësia strategjike” shkruan: “Ne kemi qenë dhe do të kthehemi”. Davutoğlu si premisë ka rikthimin dhe lidhjet historike ekonomike dhe kulturore me popujt e ish-Perandorisë Osmane në Ballkan, Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore dhe Azinë Qendrore Turkmene. Turqia në dekadat e fundit si fuqi ekonomike me nofkën “tigri i Anadollit” është dominuese në kompanitë dhe koncernet turke në shtetet që kanë qenë nën sundimin dhe qeverisjen e ish-Perandorisë Osmane. Sipas veprës së Ahmet Davutoğlus, doktrina, prestigji dhe projekti i Turqisë është kthimi në skenën globale dhe në shtetet, provincat dhe vilajetet e dikurshme të Perandorisë Osmane.

Çdo shtet dhe komb ish-perandorak, kur arrin të përpunojë një strategji gjeopolitike, ekonomike, ushtarake dhe ideologjike, rikthehet në skenë për të përhapur hegjemoninë dhe ekspansionin si perandori ose të paktën si fuqi rajonale.

XXX

“Nuk do të lejojmë edhe një herë të përsëritet Bosnja dhe Kosova”

Presidenti i Turqisë Taip Erdogan gjatë një vizite në shtetet ballkanike tha: “Ne kemi qenë dhe do të jemi gjithnjë në Ballkan. I emocionuar nga nostalgjia dhe dashuria e vëllezërve muslimanë, pasi fali namazin e së premtes, përsëriti frazën e Millosheviçit që mbajti në Fushë-Kosovë më 1987: “Tani e tutje nuk guxon askush t’ju prekë, t’ju rrahë e t’ju vrasë. Ne nuk do të lejojmë që të përsëritet historia. Nuk do të lejojmë të përsëritet gjakderdhja, masakrat dhe gjenocidi. Nuk do të lejojmë të përsëritet Srebernica. Nuk është më Turqia e viteve 60-70. Po të fillojë ndonjë sulm ushtarak kundër Bosnjës apo Kosovës, ne brenda natës do të vijmë me anijet luftarake në Neum dhe Durrës.” Me këto fjalë, i emocionuar, e mbylli ligjëratën e tij Erdogani.

XXX

Në Samitin Trilateral (tripalësh) dhe fillimin e punimeve të autostradës Sarajevë-Beograd Presidenti serb Aleksandër Vuçiçi, lideri i serbëve të Bosnjës Millorad Dodik, dhe lideri boshnjak Bakir Alija-Izetbekoviç thanë se Turqia është faktor stabiliteti në Ballkan. Sipas gazetës së Sarajevës “Dnevni Avaz”, Turqia mund të luajë rol pozitiv në përmirësimin e konflikteve ndëretnike midis serbëve dhe boshnjakëve, po ashtu edhe midis shqiptarëve të Kosovës dhe Serbisë.

XXX

Shumë ekspertë dhe analistë perëndimorë e shohin me skepticizëm zgjerimin e kompanive turke në Ballkan. Ata parashikonin se Turqia, me recensionin ekonomik dhe stabilitetin e brishtë pas të ashtuquajturit “grusht shteti” në Stamboll, do të dobësohej në rajon dhe Ballkan. Mirëpo ndodhi e kundërta. Kompanitë turke, përveç pranisë në Ballkan, vazhduan të zgjerohen edhe në shtete të BE. Një diplomat dhe promotor i investimeve turke në Ballkan thekson në shkrimin e tij në revistën NIN të Beogradit se Turqia nuk tenton rikthimin e hegjemonisë së neo-osmanëve. Ai shkruan: “Ne nuk krijojmë monopole, nuk krijojmë arenë futbolli mes liderëve politikë. Investimet e koncerneve tona janë me interes reciprok. Popullit me bark të zbrazur nuk i intereson se kush janë inverstitorët që do të hapin vende pune. Për punëtorët nuk ka rëndësi nëse investitorët janë rusë apo kinezë, muslimanë apo të krishterë, por a do të kenë ekzistencë afatgjatë.”

“Turqia dëshiron që shtetet e Ballkanit Perëndimor të jenë në NATO dhe në BE. Kompanitë turke, si premisë në Ballkan, e kanë tregun afër BE dhe bashkëpunojnë me kompanitë dhe koncernet e shteteve të Bashkimit Europjan në Ballkan. Ne dëshirojmë që Ballkani të jetë oazë paqeje,” shkruan diplomati dhe promotori i investimeve turke në Ballkanin Perëndimor.

XXX

“Turqia është distancuar nga BE. Mospranimi i Shqipërisë dhe i Maqedonisë së Veriut është lajm i mirë dhe ngazëllim për Vladimir Putinin dhe Taip Erdoganin”, shkruajnë analistët dhe ekspertët e çështjes për Ballkanin Perëndimor. Interesi dhe influenca e Rusisë fokusohet së pari e më së shumti në Ukrainë dhe në Siri, por Rusia do të jetë tradicionalisht e pranishme edhe në Ballkan. Për Turqinë gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor do të kenë lidhje në fushën e biznesit, lidhje ekonomike e kulturore, kurse Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë qenë dhe janë zemra dhe xhevahiri i Turqisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button