Arriti edhe viti 2020, teleferiku me gjashtë ulëse mbetet në labirintet administrative

Në prag të fillimit të sezonit të skijimit në Kodrën e Diellit, teleferiku me gjashtë ulëse ende nuk është i gatshëm për përdorim, edhe përkundër premtimeve të ministrit për Ekonomi, Kreshnik Bekteshi. Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, gjegjësisht Komisioni për Inspektim Teknik për marrjen e licencës për përdorim, ka afat edhe 8 ditë pune (deri më 22 janar) të jep përgjigje për kërkesën e kompanisë ELEM në lidhje me lëshimin në funksion të teleferikut me gjashtë ulëse. Problemin e rëndon më shumë fakti se kompania në fjalë, vetëm tre ditë para Vitit të Ri dhe festave të tjera e ka dorëzuar kërkesën, ndërkaq këtë ka mundur ta bëjë që në tetor, shkruan Portalb.mk.

ELEM ka pritur dimrin që të vijojë me procedurën për lëshimin e teleferikut

Nga tetori 2019, kur edhe zyrtarisht ka përfunduar procedura e përsëritur për lëshim në funksion të teleferikut me gjashtë ulëse, gjegjësisht shndërrimi i tokës bujqësore në industriale, dokumentet për vijimin e procedurës kanë fjetur në sirtarët e ELEM-it deri në fund të dhjetorit.  Pra, kërkesa për shndërrimin e tokës nga bujqësore në industriale ka përfunduar me datë 21.10.2019 dhe e njëjta është publikuar në Gazetën Zyrtare.
Është e habitshme pse sërish është ndërmarrë ky veprim, kur i njëjti ka mbaruar që në vitin 2014?!

Nga ELEM na thanë se “në qoftë se të gjitha procedurat e papërfunduara (marrja e lejes nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve) përfundojnë në gjysmën e dytë të janarit 2020, presim të fillojë përdorimi komercial i teleferikut me gjashtë ulëse në qendrën për skijim Kodra e Diellit”, shprehen ata për Portalb.mk.

Kodra e Diellit
Kodra e Diellit

Pasi e kanë dorëzuar kërkesën me 27 dhjetor, mu para festave, tani radhën e ka Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, gjegjësisht Komisioni për Inspektim Teknik për marrjen e licencës për përdorim, të jep përgjigje deri më 22 janar.

Nga kjo ministri na thanë se “aktualisht janë duke e kontrolluar dokumentacionin e kompanisë nëse është i plotë”.

Sipas Ligjit për ndërtimtari, nëse është në rregull atëherë do të kryhet inspektimi në terren. Nëse jo, do të kërkohet plotësim të dokumentacionit, gjë që mund të zgjatë ende më shumë procedurën. Dhe në fund, nëse gjithçka shkon siç duhet, sërish duhet të kërkohet leje nga Ministria e Ekonomisë për vendosjen në funksion të pajisjes.

Ministri Bekteshi shfajësohet

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi para disa muajsh tha se ky teleferik do të jetë i gatshëm për sezonin 2019/2020, madje ai shtoi se për këtë “mund ta mbajmë për fjale”. Megjithatë, në momentin kur kërkojmë përgjegjësi për vonesat dhe zvarritjen e procedurës për lëshimin e të njëjtit, nga ministria me të cilën ai udhëheq potencojnë se nuk janë kompetent për këtë.

Kreshnik Bekteshi
Kreshnik Bekteshi

“Pikërisht sot në mëngjes u takova me drejtorin e inspektoratit teknik. Sa i përket ingerencave të Ministrisë së Ekonomisë, çertifikata për siguri, sa i përket sigurisë teknike por edhe sigurisë së qytetarëve të cilat do të shfrytëzojnë këtë skilift, veçmë është dërguar tek centralet e Maqedonisë. Sa i përket ditës se kur do të lëshohet në përdorim duhet të drejtoheni në centralet e Maqedonisë”, deklaroi për TV 21, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Procedura ka nisur që në vitin 2014!

Kontrata e parë e nënshkruar për ndërtimin e teleferikut është nënshkruar me 10 mars 2014. Që atëherë është shndërruar toka bujqësore në tokë ndërtimore. Vendimi i Qeverisë për këtë është botuar në Gazetën Zyrtare numër 190/14 me datë 02.12.2014.
Por, për shkak të zhagitjes së procedurave nga institucionet, dhe disa faktorë të tjerë të panjohur, ndërtimet e teleferikut kanë filluar në qershor 2016. Megjithatë, menjëherë hasen pengesa tjera, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor shkaku i disa parregullsive, solli vendim për ndërprerjen e punimeve në korrik 2016. Punimet rifilluan në korrik të vitit 2018 dhe lëshimi në funksion, as sot 13 janar 2020 nuk ka ndodhur.

Teleferiku me gjashtë ulëse, Kodra e Diellit.
Teleferiku me gjashtë ulëse, Kodra e Diellit.

Ndryshe, që nga viti 2012 e deri më sot diskutohen problemet e shumta dhe të njëjta me të cilat përballet “Kodra e Diellit”.  Dikur ishte qendër skijimi e njohur në rajon dhe më gjërë. Në të ishte investuar në infrastrukturë, ka pasur gara skijimi me garues nga e tërë bota dhe ishte destinacion i preferuar për shumë aplinistë dhe skijator. Sot, ka ngelur vetëm dëshira e madhe e turistëve skijator për ta parë këtë qendër të zhvilluar si dikur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button