Lëvizja BESA pranon të bisedojë për koalicion trepalësh, Alternativa vetëm me Aleancën për Shqiptarët

Informatat se është arritur marrëveshje për koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e 12 prillit mes Aleancës për Shqiptarët, Lëvizjes BESA dhe Alternativës janë të pavërteta. Për Lëvizjen BESA është i pranueshëm koalicioni trepalësh, ndërkaq për Alternativën i papranueshëm, gjegjësisht ata e lënë të hapur mundësinë e koalicionimit vetëm me Ziadin Selën, njofton Portalb.mk.

Zeqirja Ibrahimi nga partia Alternativa, në një deklaratë për Portalb.mk, i hedh poshtë shkrimet nëpër media se kanë arritur marrëveshje për koalicion parazgjedhor.

“Ne s’kemi biseduar as nuk kemi çfarë të bisedojmë, Lëvizja BESA jemi ne, ata vetëm vulat na i kanë marrë dhe në këtë rast nuk mund të flasim me vetveten. Spekulime janë informatat për koalicion të tillë. Me Aleancën për Shqiptarët mundësia është e hapur”, thotë Ibrahimi.

Edhe Fadil Zendeli nga Lëvizja BESA thotë se ende nuk ka marrëveshje për koalicion, sipas tij, një gjë e tillë për ata është e pranueshme.

“Ne jemi që të shkojmë në koalicion parazgjedhor me Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën. Kemi kontakte jo të niveleve të larta me Alternativën, por më shumë këtë iniciativë e ka marrë Ziadin Sela, ka biseduar edhe me ne, por edhe me ato. Ne parimisht jemi që në tresh të shkohet. Nuk ka marrëveshje konkrete, por ka vullnet që të shkohet së bashku”, thotë Zendeli.

Portalb.mk, tentoi të kontaktojë edhe me Aleancën për Shqiptarët, megjithatë të njëjtit nuk ishin të kapshëm për redaksinë tonë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, sekretari gjeneral i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka theksuar se ata është gati të bëjnë koalicion me partitë shqiptare opozitare, me përjashtim të BDI-së dhe PDSH-së.

“Unë ju sigurojë se ne do të bëjmë koalicion para zgjedhor me një ose dy parti shqiptare me të cilat do të jetë mjaftueshëm të fitohet BDI-ja. Ose me BESËN ose me Alternativën, ose me të dyja”, tha Taravari.

Ndërkohë, BDI ka deklaruar tashmë se nuk do të futet në koalicion parazgjedhor me asnjë parti, derisa PDSH është deklaruar vetëm për koalicionim me LSDM-në me dy kushte – në koalicion të mos jetë e përfshirë BDI dhe kryetari i saj, Menduh Thaçi të bëhet zv/kryeministër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button