Lojërat e pushtetit të Putinit mund të dalin jashtë kontrollit

Putini ka arritur ta bëjë Kremlinin lojtar kryesor në Lindjen e Mesme duke mbajtur marrëdhënie të ngushta me Iranin, Sirinë dhe Turqinë. Por tensionet po përshkallëzohen, ai duhet të ketë kujdes, thotë Konstantin Eggert.

Sezoni festiv i Presidentit rus Vladimir Putin është trazuar jashtë mase. Së pari, Kongresi amerikan vendosi sanksione kundër kompanive që ndërtojnë tubacionin Nord Stream 2, projekti kyç evropian për energji nga Kremlini. Pastaj Izraeli, Qiproja dhe Greqia – të gjitha këto kanë marrëdhënie të përzemërta me Moskën – i dhanë një goditje tjetër projektit, duke njoftuar ndërtimin e një tubacioni gazi në Evropë, që mund të minojë përfitimin e Nord Stream-it. Dhe vetëm tre ditë para Krishtlindjes Ortodokse Ruse, amerikanët e goditën me forcë aleatin e Moskës Iranin, duke vrarë në Bagdad gjeneralin Qassem Soleiman, shkruan DW.

Sipas burimeve në Moskë, Putini e njihte shumë mirë Soleimanin: ai luajti një rol kryesor në krijimin e aleancës ruso-iraniane që shpëtoi regjimin e Bashar al-Asadit në Siri nga ai që në vitin 2015 dukej si fund i afërt.

Që Presidenti amerikan Donald Trump vuri në shënjestër dikë që shumë e konsideruan figurën e dytë më me ndikim në Iran, pas udhëheqësit shpirtëror Ayatollah Ali Khamenei, duhet ta ketë tronditur Kremlinin dhe të ketë ringjallur fantazmën e një ndryshimi të regjimit që po përgatitet. Kërcënimi gati i pafshehur i Shtëpisë së Bardhë për të goditur jo vetëm objekte ushtarake dhe ekonomike, por edhe “objektiva kulturorë” në Iran – një referencë jo aq e paqartë për të bombarduar qytetin e shenjtë të Qom-it, ku ndodhet rezidenca kryesore e Khameneit – e shton ankthin.

Synim i përbashkët

Akti gjithashtu i kujton në mënyrë të pakëndshme udhëheqjes ruse se ka një gjë të rëndësishme të përbashkët me pushtetarët në Teheran. Objektivi kryesor i të dyja regjimeve është në fund shumë i thjeshtë – mbijetesa. Dhe, megjithëse Amerika nuk do (dhe as nuk mundet) ta ndryshojë sistemin politik të Rusisë, vdekja e Soleimanit pa dyshim që do të shihet në Moskë në këtë këndvështrim. Prirja e papritur e Trumpit për të luajtur lojën politike të simboleve – pesëdhjetë e dy objektivat e përcaktuara iraniane korrespondojnë me numrin e punonjësve të ambasadës amerikane të marrë peng në Teheran në nëntor 1979 me urdhër të Ayatollah Ruhollah Khomeinit – vetëm e shton shqetësimin. E gjithë kjo duhet ta shqetësojë Moskën.

Në vështrim të parë, Rusia do të përfitonte nga një rritje e çmimeve të naftës po të acarohet konfrontimi amerikano-iranian. Padyshim që kjo do të shtynte Teheranin të blejë më shumë armë nga Moska dhe të nënshkruajë më shumë marrëveshje me Rosatom-in, monopolistin e energjisë bërthamore të Rusisë, i cili po ndërton reaktorin Bushehr në brigjet e Gjirit Persik të Iranit. Por megjithë deklaratat e ashpra të Ministrisë së Jashtme ruse dhe histerisë anti-amerikane dhe pro-iraniane në mediat e kontrolluara nga shteti, në prapaskenë Kremlini duhet të shpresojë që Teherani të japë një përgjigje të kufizuar ndaj vrasjes në Bagdad.

Opsione të kufizuara

Po të zgjedhin konfrontimin iranianët, Presidenti Putin do të ketë dy alternativa – ose t’u qëndrojë besnik aleatëve të tij iranianë çfarëdo që të ndodhë, ose të dalë në heshtje nga skena duke e lënë Teheranin të kujdeset për veten e tij. Mundësia e parë nënkupton rrezikimin e konfrontimit të drejtpërdrejtë ushtarak me Shtetet e Bashkuara, pothuajse me siguri sanksione të reja (dhe më të ashpra) nga Kongresi Amerikan, duke shkatërruar marrëdhëniet e ndërtuara me dhimbje me sauditët dhe izraelitët. Për më tepër, e gjithë kjo do të ishte e kotë – Irani nuk ka shanse t fitojë në një ndeshje të tillë.

Mundësia e dytë për Putinin është të vështrojë nga larg se si aleatët e tij iranianë dërrmohen ushtarakisht dhe ekonomikisht. Por ajo që është më e keqe është se kjo mund të nënkuptojë edhe ndryshimin e regjimit në Teheran – qeveritë që humbasin luftërat zakonisht nuk fitojnë ndonjë popullaritet. Shërbimi i sigurisë i gjeneralit të ndjerë Suleimani dhe kolegët e tij të policisë kanë vrarë dhjetëra nëse jo qindra demonstrues antiqeveritarë muajt e fundit. Kremlini mund ta ketë të vështirë – nëse jo plotësisht të pamundur – të bjerë dakord me qeverinë e re, e cila me shumë gjasa do të përpiqet të bëjë paqe me Perëndimin dhe t’i kthejë shpinën Moskës.

Në një rast të tillë, Rusia jo vetëm që do të humbiste një aleat kryesor për mbështetjen e Asadit në Siri, por do të bëhej shumë më pak e rëndësishme për Izraelin (i cili e sheh Putinin si një ndikues te iranianët) dhe sauditët (të cilët në thelb kanë të njëjtin qëndrim). Kjo do të përfshinte edhe Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili tashmë duket se do të ketë konflikt me Rusinë për Libinë.

Me regjimin iranian të minuar ose shkatërruar masivisht, pozicioni i Moskës në Lindjen e Mesme dhe prestigji personal i Vladimir Putin si autoriteti më i lartë në botë për ndalimin e “ndryshimit të regjimeve” dhe si një njeri që kurrë nuk i lë aleatët në baltë, do të goditej keq dhe do të zbulohej se është më i dobët sesa duket. Roli i intensifikuar i Rusisë në Lindjen e Mesme tani ka të bëjë vetëm me tërheqjen e vullnetshme të Amerikës nga rajoni, dhe jo me peshën politike, ekonomike dhe ushtarake të Moskës.

Ngatërrestari tani paqebërës?

Presidenti Putin ka çdo arsye që të urojë që iranianët të tërhiqen nga konfrontimi me Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, shenjat e para nuk janë inkurajuese. Me votimin e parlamentit irakian të ndikuar nga Teherani për të dëbuar trupat amerikane nga vendi dhe me Iranin që zyrtarisht e lë Planin Gjithëpërfshirës të Përbashkët të Veprimit të paprekur, dhe në përgatitje për të rivënë në punë centrifugat e tij bërthamore, përshkallëzimi mund të jetë i parashikueshëm. Amerikanët tregojnë pa pushim që “e zotërojnë” përshkallëzimin.

Shansi më i mirë i Putinit për të shmangur këtë dramë është të luajë rolin e paqebërësit – jo vetëm por i shoqëruar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Erdogani i Turqisë, të cilët po nxitojnë ta takojnë atë në dy ditët e ardhshme. Berlini dhe Ankaraja nuk duan ta shohin Lindjen e Mesme të shpërthejë dhe do t’i kërkojnë Putinit të përdorë lidhjet e tij të ngushta në Teheran për të arritur një marrëveshje dhe për ta kursyer konfrontimin. Nëse kjo përpjekje e minutës së fundit nuk do të ketë sukses, burri i fortë i Rusisë mund të kthehet së shpejti në spektator në dramën që ka shkruar deri tani – por që mund ta ketë të pamundur ta përfundojë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button