KELI PI STAMOLLI

“O be, a ka kush çi ma matën tensionin, se m’pjasi krajet”! tha Bardhi me zë të mekur, i shtrirë në krevat në dhomën e tij të gjumit.

“Ja ki, hiç nuk ka sabër! Prajt pak o njeri, se sa folëm n’telefon me Kelin”, iu përgjigj e shoqja, Makja.

“M’xhumon krajet be grue”, ia ktheu Bardhi, të cilin e thërrisnin Mjeshtër ngase ishte bërë i njohur si këpucëtar i mirë në qytet. “Nuk a kjo punë sabri! Dhajmcë e madhe ash kjo! Ene shpajna a tu m’u ça pi dhajmcës”! shtoi Mjeshtri. Por gruaja nuk ia vari fort.

“Hajde-hajde, Mjeshtër…  Nuk ije kot mjeshtër. Mjeshtrat janë t’fortë, ia bëri duke qeshur dhe shtoi: “Prajt sa t’u thom rejave ta dretojnë shpajnë se do vaje Keli pi Stamolli, or taj”.

“Calli Kel be grue”?

“Keli, najpi i gjalit t’tezes Gjilnaz pi Stamolli. A e paske harrau, a”?

Bardhi  vazhdoi të rënkojë në krevat, kurse e shoqja e tij, Makja, i thërriti të dy rejat e veta, t’u japë detyra se cila çfarë të punojë, se tha, “do vaja Keli pi Stamolli”. Ndërkohë derisa ajo fliste duke i shoqëruar fjalët e saj me gjestikulacione, fëmijët, katër nipa e mbesa, luanin “Fluturon, fluturon” në dhomën e pritjes, kështu që dëgjoheshin vetëm fjalët e Makes: “Pjuhnat, tepihat, xhamat, derët”…  Këto i theksonte sepse i konsideronte me rëndësi. Pastaj Makja  u kthye kah fëmijët e u bërtiti:

“O majmuna, ma kadale! Xhi bërtajtni aç shaum? A najtët xhi thashë une, a jo?!

“Jo”! i tha Dija, vajza më e madhe ndër fëmijët.

“Do vaje Keli pi Stamolli, moj”!

“Kush a ki Keli, oj nanë e madhe”?

“Pajte nanën tande, t’kallxon ajo”, i tha Makja me ton të lartë Dijes. “Hajt se s’kam vakët”, shtoi  Makja dhe shkoi në dhomën e gjumit ku ishte Bardhi. I kishin mbetur dorëzat e llastikta atje.

“O krajet, be”!… murmuronte Bardhi.

“O njeri mos çit kajde tahi. Hajt se t’kapërcen krajet. Paje ni aspirin. Kot ditë xhet to t’dhame krajet, kur do vaje Keli pi Stamolli?… tha Makja dhe doli me dorëzat në dorë.

Pastaj u dëgjua fshesa elektrike të ushtonte në dhomën e pritjes. Makja u ndal të shohë si shkojnë punët. Njëra re i kishte marrë leckat dhe po pastronte dritaret, tjetra i kalonte qilimat me fshesë elektrike. Makja vet, nisi t’i fshijë minderët me një leckë me deterxhent special. Patjetër do të pastrohej shtëpia sa më shpejt, se do të vinte Keli prej Stambolli. Fëmijët e panë se nuk luhej më në atë hallakamë dhe dolën jashtë duke bërtitur:

“Do vaje Keli pi Stamolli, do vaje Keli pi Stamolli”!…

Bardhi më kot rënkonte. Makja e harroi të shoqin sepse iu përkushtua pastrimit të shtëpisë.

Për dy orë, dhoma e pritjes u bë akull, si thonë. Shkëlqente. E si mos të shkëlqente?  Punuan me zell tri gra sepse do të vinte Keli prej Stambolli.

Pastaj gratë u ulën të pushojnë. Reja e vogël i poqi tri kafe dhe po pinin, të lumtura për punën që kishin bërë.

Derisa po pimim dhe po flisnin për pluhurin e trashë qi kishte mbuluar vitrinat, cingërroi telefoni. Makja u ngrit të flasë, e lumtur që e kishin  pastruar dhomën. “Hajde tash t’u biem dheomave të tjera dhe banjos”, tha. Në atë çast ja telefoni:

“Alo”! bëri me një krenari Makja duke e ngritur dëgjojsen, sepse e dinte që do të ishte Keli prej Stambolli që paraqitej prej aeroportit të Stambollit.

“Alo”, ia ktheu një zë femre. “Jam  Gylshenja, gruja e Kelit. Deshta t’u kallxoj se Kelit i ka dalë ni punë me ngut e s’do  mundemi  t’vajmë. Keli u ban shaum selam. Hajt për t’majr”, tha Gjylsheni dhe e mbylli telefonin. Makja mbeti e habitur. “Si mundën t’na e bojnë këtë? e pyeste veten.

Ajo e zhgënjyer thellë pse s’do të vinte Keli prej Stambolli nuk u foli rejave fare, i injoroi thuajse nuk ishin aty para saj. U nis e habitur t’i tregojë të shoqit në dhomën e gjumit se nuk do të vinte Keli prej Stambolli.

“O njeri”, i tha, “a najn, Keli nuk vajn pi Stamolli”. Heshtje. Makja edhe një herë e ngriti zërin: “Ej, a po m’najn taj a jo”? Përsëri heshtje. “Epo inatin xhi e ka ki burri jem”, mendoi Makja dhe e shpejtoi hapin me nervozë drejt shtratit ku ishte i shtrirë i shoqi.

Në krevat i mbështetur në krah të majtë qëndronte pa lëvizur Bardhi.

“O njeri”! bërtiti Makja kur u gjet afër tij. Prapë nuk mori përgjigje. Iu afrua edhe më shumë, e lëvizi trupin e të shoqit. Ai nuk reagoi. E rrotulloi në shpinë. Ai, i palëvizshëm, syhapur dukej se shikonte në një pikë në tavan. Makja e preku në venën e qafës, nuk ndjeu ritëm. Ia shpërthekoi këmishën, ia vuri dorën te zemra. S’kishte regëtimë.

“Mulni gra se na paska lanë i zoti i shpajs! Ia dha vajit e britmave Makja.

Fëmijët dëgjoheshin jashtë nga dritarja:

“Do vaje Keli pi Stamolli, do vaje Keli pi Stamolli”!…

Keli prej Stambolli nuk u paraqit kurrë as për ngushëllime.

Makja e përlotur tha:

“E prajta Kelin pi Stamolli, e hupa burrin n’shpaj”!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button