​Kurti: Dëshirojmë takim sa më të shpejtë me LDK-në, por nuk ka kthim pas

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidati për kryeministër Albin Kurti pas takimi konsultativ me presidentin Hashim Thaçi, ka thënë se diskutimi disa minutash mes tyre ishte pa efekte juridike dhe se pas mbledhjes së kryesisë së partisë do të dërgojnë emrin e mandatarit për qeverinë e re, transmeton OraNews.

Krahas kësaj, Kurti kërkoi sa më shpejt takim me LDK-në në mënyrë që të formojnë qeverinë e ardhshme pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Por mbi mundësitë e kompromiseve të reja, Kurti theksoi se nuk ka kthim mbrapa për postin e kryeparlamentarit, pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, dhe se çështja e postit të presidentit duhet të lihet për më vonë.

Duke shprehur optimizmin e tij për marrëveshje me LDK-në, Kurti tha se për të, takim do të kishte qysh ditën e djeshme dhe sot.

Kryetari i VV-së i hodhi poshtë gjitha zërat për shkarkimin e Glauk Konjufcës si kryeparlamentar, pasi tha se në marrëveshjen me LDK-në nuk do të ketë kthim prapa.

Për propozimet e emrave të ministrave që e bëri gjatë ditës sotme, Kurti tha se kjo ka qenë e nevojshme, pasi qytetarët duhet t’i dinë emrat e tyre.

Pretendenti për kryeministër edhe një herë tha se posti i presidentit duhet të diskutohet më vonë dhe jo tani sikurse kërkon LDK-ja.

Për mundësitë e zgjedhjeve të reja, Kurti tha se nuk i dëshiron ato, por nëse imponohen, atëherë janë të gatshëm, pasi sipas tij partia e tij nuk ka partner tjetër përveç LDK-së, derisa theksoi se qeveria e pakicës nuk është njëra prej opsioneve të tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button