Al-Shabaab ka vrarë 3 amerikanë gjatë sulmit në një bazë në Kenia

Komanda amerikane e Afrikës (AFRICOM) konfirmoi të dielën se një anëtar i shërbimit amerikan dhe dy kontraktorë të Departamentit të Mbrojtjes u vranë kur militantët al-Shabaab sulmuan bazën ushtarake të përdorur nga forcat keniane dhe amerikane në qarkun Lamu afër kufirit të Kenias me Somalinë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Gjatë një sulmi nga al-Shabaab, një grup i al-Kaedës në Afrikën Lindore, një anëtar i shërbimit amerikan dhe dy kontraktorë të Departamentit të Mbrojtjes u vranë në një bazë ushtarake të Forcave të Mbrojtjes në Kenia në Manda Bay”, tha AFRICOM në një njoftim.

SHBA tha se dy anëtarë të Departamentit të Mbrojtjes gjithashtu janë plagosur dhe se aktualisht janë në gjendje të qëndrueshme dhe janë evakuar.

Komandanti i AFRICOM-it, gjenerali i Ushtrisë së SHBA-ve, Stephen Townsend, tha se emrat e të vdekurve dhe të plagosurve nuk do të publikohen derisa të njoftohen të afërmit e tyre.

“Lutjet tona janë me familjet dhe miqtë e ekipit të cilët humbën jetën sot”, tha Townsend në një njoftim.

“Së bashku me partnerët tanë afrikanë dhe ndërkombëtarë, do t’i ndjekim ata që janë përgjegjës për këtë sulm dhe al-Shabaab i cili kërkon të dëmtojë amerikanët dhe interesat e SHBA-ve. Ne mbetemi të përkushtuar për të parandaluar al-Shabaab nga mbajtja e një strehimi të sigurt për të planifikuar sulme vdekjeprurëse kundër SHBA-ve, Afrikës Lindore dhe partnerëve ndërkombëtarë”, tha ai.

Forcat keniane të mbrojtjes njoftuan se ata kishin zmbrapsur me sukses sulmin, duke vrarë katër militantë.

AFRICOM konfirmoi se ka dëme në infrastrukturë dhe pajisje tjera, duke përmendur se raportet tregojnë se gjashtë avionë civilë të operuar nga kontraktorët janë dëmtuar në njëfarë mase.

Qeveria e Somalisë ka dënuar ashpër sulmin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button