RMV, gazifikim apo burime të rinovueshme të energjisë?

Autoritetet duhet të mendojnë nëse Maqedonia, si vend me 280 ditë me diell në vit duhet të mbështetet në përdorimin e gazit ose burimeve të rinovueshme, thonë nga OJQ “Eko-vetëdija” (Eko-svest). Vendi është në prag të gazifikimit, por emetimet globale të CO2 po rriten pikërisht për shkak të rritjes së përdorimit të gazit, shkruan REL në gjuhën maqedonase, transmeton Portalb.mk.

Maqedonia është vend në zhvillim dhe si e tillë ka të drejtë të zhvillohet ende, duke përdorur gaz natyror si lëndë djegëse kalimtare, por nga ana tjetër jemi para rishikimit kombëtar të kontributeve kombëtare për ndryshimin klimatike në vitin 2020 për të gjitha vendet nënshkruese të Konventës kornizë për ndryshime klimatike, thotë Eko-aktivistja Elena Nikollovska nga Qendra për hulumtim dhe informim për mjedisin jetësor “Eko-svest”.

“Mesazhi nga Konferenca e 25-të për klimë ishte që kontributet kombëtare patjetër duhet të jenë më ambicioze, përkatësisht që vendet duhet të premtojnë ulje shumë më të lartë të emetimeve të gazrave serë, përkatësisht CO2 (dyoksid të karbonit), për të ngadalësuar pasojat nga ndryshimit klimatike dhe për të mbajtur ngritjen e temperaturave globale nën 1.5 gradë”, thotë Nikollovska.

Konferencën e fundit, e 25-ta, për ndryshime klimatike në Madrid, u theksua se emetimet e CO2 nga përdorimi i thëngjillit po bien, por që të dhënat tregojnë se rreth gjysma e rritjes së emetimeve globale të CO2 në 3 vitet e fundit vjen nga djegia e gazit natyror dhe naftës.

Politikat energjetike të Maqedonisë aktualisht janë orientuar, në masë të madhe, drejt gazifikimit të vendit me disa projekte të tubacionit të gazit që janë planifikuar të realizohen së shpejti, duke kontribuar pjesërisht për mjedis më të pastër jetësor.

Në atë drejtim, në vitin 2020 është parashikuar rritje e mjeteve në Buxhet, për gazifikim, për pothuajse dy milionë euro, siç ka informuara para pak kohësh Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

Nikollovska thotë se shumë anëtarë të Konventës, të cilët janë vende në zhvillim dhe kanë të drejtë të kenë zhvillim shtesë, planifikojnë të përdorin gazin si lëndë djegëse kalimtare.

“Kjo është pikërisht ajo që tregon „Carbon budget“ global, se për shkak që vendet në zhvillim mbështeten në gazin natyror si lëndë djegëse kalimtare, po shohim rritje të emetimeve të CO2 nga gazi. Pra, me të vërtetë duhet të mendohet nëse ne, si vend që ka 280 ditë me diell në vit, duhet të mbështetemi te gazi kur i marrim parasysh këto numra ose duhet të shkojmë drejt përdorimit të dielit”, thotë Nikollovska.

Kryeministri Zoran Zaev në dhjetor 2019 deklaroi se i gjithë rrjeti kombëtar i gazit aktualisht është duke zhvilluar përmes Shoqatës aksionare për veprimtari në fushën e energjetikës Resurse Nacionale të Energjisë (RNE) në pronësi të shtetit.

“Aktualisht rrjeti i gazsjellësit nga Shkupi është lëshua deri në Shtip dhe Kleçovcë dhe njëkohësisht vazhdon deri në Negotinë, Kavadar, Prilep dhe Manastir, ndërsa pjesa e dytë është lidhja nga Shkupi deri në Tetovë, Gostivar dhe nga viti i ardhshëm do të vazhdojë deri në Kërçovë”, deklaroi Zaev në tryezën e rrumbullakët për krijimin e një tregu rajonal të energjisë duke e përmirësuar lidhjen energjetike midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Është planifikuar gjithashtu një projekt për ndërtimin e një ndërlidhësi për gaz midis Maqedonisë dhe Greqisë.

Megjithëse Zaev theksoi se gazifikimi është “me rëndësi strategjike kombëtare”, vendi gjithashtu ka nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare, siç është Marrëveshja e Parisit për klimën dhe sipas tyre ka detyrime për të zvogëluar emetimet e gazrave serë.

Nikollovska thotë se Bashkimi Evropian po bën përpjekje që deri në vitin 2030 të zbatohen qëllimet e përcaktuara në sistemin EU ETS, të cilat parashikojnë futjen e taksës së emetuesve të dyoksidit të karbonit (CO2) dhe sipas kësaj përdorimi i karburanteve fosil si lëndë djegëse mund financiarisht të mos shpaguhet dhe më i shtrenjtë krahasuar me burimet e rinovueshme të energjisë, veçanërisht në relacion me diellin dhe energjinë e erës që do të jenë më të lira.

“Pas vitit 2030 nuk do të jemi në gjendje të përdorim lëndë djegëse fosile. Nëse tani shkojmë në gazifikim, atëherë kjo do të thotë që në dhjetë vjet do të duhet të planifikojmë të ri-investojmë në”fade out”  (shuarjen) e gazit si lëndë djegëse fosile dhe ta zëvendësojmë gazin me fotovoltaikë. Është diçka që ne mund të bëjmë tani, “thotë Nikollovska.

EU ETS – (Sistemi i tregtimit me emetime në BE), është një nga mjetet kryesore të Unionit për zvogëlimin e emetimeve të gazrave serë në mënyrë efikase, ndërsa objektivat kryesore sipas këtij sistemi për vitin 2030 janë të paktën 40 përqind të zvogëlohen emetimet e gazit serë në BE, krahasuar me nivelet e vitit 1990, vendet kanë të paktën 32% të aksioneve në energjinë e rinovueshme dhe ka të paktën 32.5% përmirësim të efikasitetit energjetik.

Në Maqedoni, sipas të dhënave të MEPSO, gjatë dy viteve të kaluara, më pak se dy përqind e energjisë elektrike të konsumuar vjen nga fotovoltaikët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button