“Dervishi dhe vdekja” jermitë e një shpirti para çasteve të fundit

Në një Kasaba të vogël në Bosnje, në periferi të Perandorisë Osmane, një Dervish mundohet të shkruajë historinë e jetës së tij. Ka dhe pak çaste. Jashtë troku i natës po afrohet bashkë me fundin e jetës së tij. Pena i dridhet, ndërsa ajo që do të shkruajë si dëshmi të jetës, është e madhe. Ahmed Nuredini, personazhi kryesor i “Dervishit dhe Vdekja”, i ka humbur të gjitha. Fillimisht të vëllanë, pastaj veten. Qetësinë. Është futur në rrotullën e frikshme të shtetit dhe tashmë i ka ardhur fundi: Po ulem në gjunjë dhe po dëgjoj. Në dhomën e qetë, diku tutje murit, nga tavani, nga hapësira e pashquar rreh Kudret-sahati, e në tejnatë tingëllon i pandalur fati.

“Po kridhem në llahtar, si uji. Të gjallët nuk dinë gjë. Më mësoni, o të vdekur, si mund të vdes pa tmerr, ose të paktën vetëm me pak llahtar. Sepse vdekja është pakuptim ashtu si edhe jeta”. Në këtë pezull të pafundmë, Mesha Selimoviq, solli një nga historitë më të bukura, që është shkruar ndonjëherë në letërsinë e Ballkanit. 

“Dervishi dhe Vdekja”, botuar më 1966, tregoi sfilitjen shpirtërore të vetë autorit dhe ndjesinë e pamasë të fajit ndaj vëllait të tij të vrarë në Goli Otok. Vetëm se ndryshe nga Dervishi, autori mundi që ta përçojë në letërsi ankthin e tij, pasi libri u përkthye në të gjithë gjuhët e Perëndimit dhe më gjerë dhe vazhdon të ekranizohet e të vendoset shpesh në skenën e teatrit.
Pak vite pas botimit në gjuhën origjinale diku në fund të viteve ’60 “Dervishi dhe vdekja” u përkthye edhe në gjuhën shqipe nga Esad Mekuli dhe Tajar Hatibi dhe u botua në vitin 1968 në Prishtinë. Çdo kapitull i romanit të tij hapet me një varg Kuranor. 

Për autorin, pas vdekjes, u thanë shumë gjëra, por në një pikë ish-bashkëkohësit e tij ishin të bashkuar: Dervishi duhet ta përcillte Selimoviqin tek “Nobeli”.

Autori boshnjako-serb Mesha Selimoviq (Mehmedalija “Meša” Selimovi?) (26 Prill 1910 – 11 Korrik 1982) mbetet një nga shkrimtarët më të mëdhenj të Evropës Juglindore.

“Unë rrjedh nga një familje myslimane e Bosnjës, ndërsa nga etniteti jam serb. I takoj letërsisë serbe, ndërsa për sa i përket letërsisë boshnjake, së cilës i takoj gjithashtu, atë e konsideroj vetëm si denotim gjeografik të letërsisë, dhe jo njësi të veçuar nga ajo serbo-boshnjake”. Mbasi mbaroi studimet për gjuhën dhe letërsinë serbe në Universitetin e Beogradit më 1930, Selimoviq shkroi në gjuhën serbo-kroate. Dialekti i tij i shkruar ka influencuar sot gjuhën standarde, e cila përdoret në Bosnje. Puna e tij më e njohur “Dervishi dhe Vdekja” (Botuar më 1966) lidhet me Bosnjën e Hercegovinën dhe me kulturën e banorëve myslimanë në një nga pjesët otomane të Bosnjës.

U arrestua që në fillim të luftës në vendlindjen e tij në Tuzlla, për antifashizëm dhe për dy vjet ishte në burg. Pas lirimit, u bë një nga emisarët kryesorë të antifashizmit në Tuzlla, ku sot i kanë ngritur një shtatore. Gjatë luftës, vëllai i Meshës u pushkatua pa gjyq, me akuzën për vjedhje nga komunistët. Letra dhe përpjekja e Meshës në mbrojtje të tij dështoi e pafat.

Ishte tamam sfilitja shpirtërore dhe ndjesia e fajit ndaj vëllait, ajo që i dha jetë romanit të tij “Dervishi dhe Vdekja”, ku personazhi kryesor i veprës, Ahmet Nuredin, i trajtuar disi në formën e “Procesit” të Kafkës, sipas kritikës, rreket më kot të shpëtojë vëllanë, që e kanë vrarë ndërkohë.

Paslufta e gjen në Beograd, por më pas zhvendoset në Sarajevë, ku ishte profesor në Shkollën e Lartë të Pedagogjisë dhe në Fakultetin e Filologjisë, drejtor artistik i “Bosna Film”, shef i seksionit të dramës në Teatrin Kombëtar dhe pastaj kryeredaktor i “Svjetlost”. Këtu filloi një konflikt i tij me intelektualët dhe politikanët vendas dhe vitet e fundit i mbylli në Beograd. Ishte që në të gjallë tepër i vlerësuar, por njëkohësisht edhe disi i tërhequr.

Portalb ua rekomandon këtë libër.

Lajme të ngjashme

Back to top button