TË (RI)MENDOSH LINDJEN E MESME

Këtyre ditëve, me një intensitet më të lartë, sërish në agjendën globale na imponohet Lindja e Mesme, një pjesë kjo vazhdimisht turbulente e botës, një rajon me “më shumë histori se çdo pjesë tjetër e botës”, ku feja e shekullarizmi përfyten, ku sundojnë nacionalizmat e improvizuar, ku ligjin e bëjnë xhumlukijet (diktaturat e trashëgueshme), ku ndërthuret luksi me varfërinë, ku ndodh tragjedia dhe dështimi i politikës ndërkombëtare dhe njerëzimit, ku aplikohet teoria e “balancimit të kërcënimit” (Walt, 1985), ku s’ka paqe shoqërore për shumë dekada. Gjenerali iranian (Sulejmani) dhe SHBA-të janë dy imazhet e vlimit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndërkohë përfliten skenaret më ogurzeza, Lufta e Tretë Botërore, Armagedoni, apokalipsa… Teori nga më të ndryshmet, të komplotit, çrregullimi i ri global e të tjera. Dhe qëkur kemi rënë në mendtë tona, Lindja e Mesme,  qendër e gravitetit në tregun global të naftës që në gjirin e saj ka 65.5% të të gjitha rezervave botërore të zbuluara të këtij burimi (Balat, 2006), gjithnjë në qendër të vëmendjes.

“Lindja e Mesme” është term politik që përdoret për të shënuar rajonin dhe shtetet e Azisë Jugperëndimore nga Egjipti deri në Iran (përfshirë edhe këto dy shtete). Vendet që përfshin ky nocion janë Bahrejni, Emiratet e Bashkuara Arabe, Administrata Autonome e Palestinës, Iraku, Irani, Izraeli, Katari, Kuvajti, Libani, Egjipti, Sudani, Siria, Arabia Saudite, Turqia, Omani, Jordania dhe Jemeni. Sipas disa të tjerëve sintagma Lindje e Mesme përfshin hapësirën nga Suezi deri në Singapor. Këtë term për herë të parë e ka përdorur historian aerika Aflred Th. Mahan (1840-1914) në vitin 1902 në artikullin “Gjiri Persik dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare” të botuar revistën britanike National Rewiev. Nga fillimi i shekullit XX nocioni në fjalë përdoret dhe si zëvendësim i Lindjes së Afërt (si i kundërt me Lindjen e Largët).

Për të kuptuar më mirë këtë rajon, lexuesit shqiptar vitin që lamë pas iu ofrua një botim i ri kryevepër: Historia e Lindjes së Mesme moderne (Logos-A, 2019). Ky libër i autorëve William L. Cleveland dhe Martin Bunton paraqet një tekst të vëllimshëm por të lehtë në lexim, një doracak të veçantë për të kuptuar një pjesë “ekzotike” e “plot energji” të botës, për të cilën janë krijuar stereotipa të ekzagjeruar;  një gjeografi e trazuar ku mbizotëron çrregullimi, konfuzioni dhe anarkia, pa gjetur akoma një rrugëdalje. Dy profesorët, njëri nga Universiteti Fraser dhe tjetri nga Victoria, shqyrtojnë thellësisht Lindjen e Mesme, djepin e tre feve dhe qytetërimeve të mëdhenj, një hapësirë ku kufijtë, sipas autorëve, fillojnë me Egjiptin në perëndim e përfundojnë me Iranin në lindje, Turqinë në veri dhe Gadishullin Arabik në jug. Kjo vepër përfshirëse dhe informuese është një analizë e thellë mbi historinë e Lindjes së Mesme, që nga periudha e Profetit Muhammed (shek. VII), tek ajo e dinastive, Perandorisë Osmane, imperializmit perëndimor europian, deri në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, duke bërë pjesë edhe fuqizimin global amerikan pasyqruar edhe në Orient, për të mbërritur kështu në periudhën bashkëkohore, në viti 2015. Gjithsesi fokusi kryesor përqendrohet në shekujt XVIII-XX.

Kemi të bëjmë me një histori të avancuar të Lindjes së Mesme, ku fetë janë më tepër se religjion, pjesë e qeverisë dhe e së drejtës. Libri zbërthen ndërhyrjen e aktorëve vendës dhe mbështetjet/ndërhyrjet nga Perëndimi, politikat e centralizimit të brendshëm përballë perëndimizimit, depërtimin kolonial perëndimor, mënyrën se si janë krijuar “shtetet-komb fasadë” (Haddad, 1995), shtetet e reja që njohim sot, rolin e nacionalizmit dhe liderëve arabë, kryesisht me tipare despotike; kombndërtime që në të shumtën e rasteve nuk kanë elementet substancialë të një procesi të kësaj natyre; versionet e ndryshme të Islamit (puritan, reformist, popullor); indoktrinimin ideologjik, shekullarizmin, autoritetin e shtetit, binomin elitë-popull e shumë çështje të tjera. Ndonëse i bazuar në një kornizë të historisë politike, vihet re ndërveprimi i perspektivave të shumta: historia e fesë, sociologjia, studimet kulturore, analizat ekonomike e kështu me radhë. Autorët, mes të tjerash, nga një këndvështrim tejorientalist, vënë në fokus edhe pushtetin e formave tradicionale të të menduarit dhe besimit, ritheksimin e idenitetit islam përballë regjimeve të thyera moralisht të Lindjes së Mesme (Sluglett). Libri nuk ofron përgjigje, por e nxit lexuesin kritik që të shkojë drejt një përfundimi duke marrë shkas nga dukuritë dhe faktet (Connaly).

Ky libër, që e pajis lexuesin me një kulturë lidhur me trendet dhe lëvizjet historike të Lindjes së Mesme, do t’u hyjë në punë në veçanti katedrave dhe studentëve të orientalistikës, por edhe atyre të studimeve historike, të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe shumë disiplinave të tjera. Historia e Lindjes së Mesme moderne është një kontribut i rëndësishëm për lexuesin shqiptar, që në një mënyrë apo në një tjetër ka lidhje historike dhe shpirtërore me Lindjen e Mesme, madje kohëve të fundit edhe probleme mendësie, filozofie, në veçanti intelektuale.

Qasja objektive e Cleveland-it dhe Bunton-it, kujtojmë se do të nxisë diskutime konstruktive për të kaluarën, për të sotmen dhe të nesërmen tonë në një botë të trazuar, të ngushtuar dhe të afërt; do të japë një kontribut për kurimin e “sindromës Orient” dhe për ndërtimin e një vetëperceptim më fleksibël, më të hapur dhe më kozmopolit karshi çdo elementi historik dhe kulturor. Sadoqë shënjestrohet, Orienti na fton për ta kuptuar më drejt dhe për ta paqtuar atë, sepse të gjithë jemi në një anije si njerëzim dhe ngjarjet në njërin skaj, domosdoshmërsht impaktojnë edhe epiqendrën, edhe periferinë, edhe skajet e tjera të globit. Siç shprehet Joe Kaeser, “nëse kemi një Lindje të Mesme të trazuar, kemi një botë të trazuar.”

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button