Sa pesticide ka në pemët dhe perimet?

“Ka fermerë të cilët i spërkatin frutat, ndërsa të nesërmen i nxjerrin në pazar dhe ashtu shesin helm”, thonë disa fermerë. Njohësit e mirë të rrethanave kërkojnë të sigurohet edukim për shkak të përdorimit të tepërt të pesticideve në bujqësi. Kjo situatë shpjegohet me rënien e ekonomisë por edhe me moralin.

Ndërsa në fokusin e publikut është ajri i ndotur dhe pasojat e tij mbi shëndetin, përdorimi i pesticideve në vend tashmë një kohë të gjatë është jashtë kontrollit, transmeton REL.

Pothuajse nuk ka kuptim të pyesësh njerëzit që shesin në treg nëse frutat ose perimet e tyre janë spërkatur.

Njohësit e rrethanave thonë që në bujqësi po përdoren doza të tepërta të pesticideve, për të mbrojtur të korrat dhe për të rritur prodhimtarinë. Komuniteti shkencor i lidh këto pesticide me një numër të sëmundjeve që shënojnë rritje. Veçanërisht janë të rrezikuar fëmijët të cilët i ndjejnë edhe sasitë më të vogla të pesticideve

Hulumtimet e bëra vitet e kaluara kanë treguar se mollët janë frutat më të spërkatura, kështu që nuk është e pazakontë që ato të spërkaten më shumë se 10 herë në vit, thotë profesori Ilija Karov. Është fakt që ka prani të madhe të pesticideve edhe në produkte të pemëtarisë, si dhe në vreshtari dhe prodhim të perimeve.

“Kam përvojë personale që prania e pesticideve në mollë janë në mënyrë drastike mbi maksimumin e lejuar që do të thotë se ato nuk janë të shëndetshme për t’u ngrënë, ndërsa ne ua japim edhe fëmijëve. Një doktorante imja ka punuar në këtë problem dhe rezultatet kanë  treguar prani jashtëzakonisht të madhe të pesticideve. Gjendja e njëjtë është edhe në prodhimtarinë e pemëve dhe ngjashëm. Në prodhimin e perimeve, nuk ka të dhëna zyrtare, por bëhet shumë pak kujdes për të ndihmuar fermerët në edukimin e tyre. Fermerët kanë frikë për rendimentet e tyre dhe kalojnë në përdorim të pakontrolluar të pesticideve me pak përjashtime”, thotë profesori Karov

Sipas ekspertëve për këtë situatë ka kontribuar kriza ekonomike, por edhe rënia e përgjithshme e moralit të njerëzve. Çdo mjet për të mbrojtur produktet bujqësore që lëshohet në treg në vend dhe që përdoret  duhet të regjistrohet dhe të ketë lejen autorizimin e duhur.

Por është gjithashtu veçanërisht e rrezikshme që në vend po hyjnë, në mënyrë të paligjshme, edhe pesticide me cilësi të dyshimtë për të cilat askush nuk është i sigurt se nga vijnë dhe sa toksike janë, thotë Veljo Tantarov nga Unioni i fermerëve.

“Ekziston një shërbim special në Ministrinë e bujqësisë që merret me përdorimin e pesticideve dhe pa miratimin e tyre ato nuk importohen, por bëhen me dallavere, importohen fshehurazi dhe disa prej tyre bëjnë, disa nuk bëjnë”, thotë Tantarov.

Produktet për mbrojtje të produkteve bujqësore duhet të përdoren në përputhje me udhëzimet, por Tantarov e thekson faktin që në treg përfundojnë edhe produkte që janë trajtuar me pesticide një ditë më parë.

“Askush nuk kontrollon “karencën”e domateve, mollëve, dardhës që shiten në treg. Kush ka kontrolluar se sa nga pesticidet kanë mbetur në pemë. Më së shumti spërkaten produktet në vreshtari, pemëtari dhe kulturat e produkteve nën sera. Nëse nuk i spërkatni, nuk ka fruta. Por, prodhuesi e ka shënuar se deri kur duhet të bëhet spërkatja dhe sa është karenca, e jo spërkatja të bëhet sot, ndërsa produkti të lëshohet nesër në treg, është helm ”, thotë Tantarov.

Koha që duhet të kalojë nga aplikimi i fundit i pesticideve deri te vjelja quhet karencë. Është detyrë e prodhuesit të kujdeset për karenocën dhe ajho duhet të respektohet rreptësisht për të fituar produkte të sigurta për shëndetin.

Njohësit e rrethanave dhe fermerët po kërkojnë që shteti t’i kushtojë më shumë vëmendje edukimit dhe bisedave me fermerët se çfarë do të thotë aplikimi i pesticideve.

“Më herët ka pasë nga 12 deri në 15 trajtime, par tani numri i spërkatjeve në pemëtari është zvogëluar, por prapë për të mbrojtur prodhimin janë përdorur përgatitjet që preparatet kanë në udhëzime, por kur bëhen analizat kimike, ato tregojnë se produkti nuk është zbërthyer, që do të thotë se ato përdoren në një kohë kur ato preparate nuk duhet të përdoren. Nuk mund të jap një mendim pozitiv se hahet ushqim i sigurt për sa i përket pranisë së pesticideve në të”, thotë profesori Karov.

Vitet e fundit, na ka ndodhë që produktet tona bujqësore të cilat eksportohen të përmbajnë vlera dhe sasi më të larta pesticidesh, prandaj edhe na janë kthyer nga tregjet e huaja.

Shembulli i fundit i tillë ishte vitin e kaluar dhe kishte të bënte me produktet nën sera, por autoritetet i heshtin këto situata, thotë profesori Karov.

Kjo temë u aktualizua para disa vitesh pasi mostrat e testuara në Kroaci të trangujve rezultuan se ishin pozitive për prani të pesticide, ndërsa e njëjta na ndodhi edhe me rrushin në Francë.

Ekspertët theksojnë se Maqedonia duhet të kujdeset për sigurinë e produkteve që përfundojnë në tregjet brenda dhe jashtë vendit.

“Dhe që produktet tona të mos kthehen për këto arsye, fermerët do të duhet të kuptojnë se ata do të duhet të mësojnë të përdorin më pak pesticide dhe insekticide”, thotë profesori Karov.

Ndërkohë është shumë e rëndësishme që njerëzit të blejnë produkte nga burime të verifikuara, megjithëse është gjithnjë e më e vështirë të gjesh prodhues të ndërgjegjshëm.

Kjo situatë shpjegohet me rënien e ekonomisë, por dhe i moralit prej vitesh në vazhdimësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button