SHBA: Trump urdhëroi vrasjen e kreut të Forcës Kuds të Iranit

 SHBA konfirmoi se në një sulm ajror është vrarë komandanti i Forcave Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit, Qasem Soleimani, në kryeqytetin irakian Bagdad, raporton Anadolu Agency (AA).

Sulmi pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Bagdadit vrau Soleimanin, një nga komandantët më të fuqishëm të Gardës Revolucionare të Iranit, dhe Abu Mahdi al-Muhandis-in, nënkryetar i grupit Hashd al-Shaabi, ose Njësia Popullore e Mobilizimit, njoftuan mediat lokale.

“Me urdhër të Presidentit (Donald Trump), ushtria amerikane ka ndërmarrë një veprim vendimtar mbrojtës për të mbrojtur personelin e SHBA-së jashtë vendit duke vrarë Soleimanin”, tha Pentagoni në një deklaratë.

Soleimani prej disa kohësh ishte komandant i Forcave Kuds, i cili ishte përfshirë në listën e grupeve terroriste nga SHBA-ja që nga viti 2007. Grupi vlerësohet të ketë 20.000 anëtarë.

Menjëherë pas raportimit për vrasjen e udhëheqësit ushtarak, Trump postoi flamurin e SHBA-së në Twitter pa asnjë koment.

Pentagoni akuzoi Soleimanin se po planifikonte të kryente sulme ndaj diplomatëve dhe stafit të SHBA-së në Irak dhe rajon, duke thënë se udhëheqësi i vrarë ishte përgjegjës për vdekjen e qindra anëtarëve të stafit amerikan dhe të koalicionit.

“Ky sulm kishte për qëllim pengimin e planifikimit të sulmeve të ardhshme të Iranit. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur njerëzit tanë dhe interesat tona kudo që janë në gjithë botën”, thuhet në deklaratë.

Sulmi erdhi mes tensioneve Iran-SHBA, pasi mijëra irakianë sulmuan kompleksin e ambasadës amerikane në Bagdad të martën, duke protestuar kundër sulmeve ajrore të së dieles në Irak dhe Siri kundër milicisë Kataib Hezbollah, në të ciliat u vranë të paktën 25 luftëtarë.

Sulmet ajrore ishin përgjigje të një sulmi me raketa të premten në një bazë ushtarake amerikane në Kirkuk, për të cilën u fajësua Kataib Hezbollah, i cili është pjesë e grupit Hashd al-Shaabi të mbështetur nga Irani. Sulmi i së premtes la të vrarë një kontraktues amerikan dhe plagosi katër anëtarë të stafit amerikan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button