Zyrtarisht Kuvendi zgjodhi Qeverinë teknike, këta janë ministrat e rinj

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut është votuar përbërja e Qeverisë teknike, në krye me kryeministrin teknik Oliver Spasovski, i cili ka prezantuar anëtarët e Qeverisë teknike, transmeton Portalb.mk.

Gjithsej 101 deputetë votuan ‘për’ formimin e Qeverisë teknike, derisa nuk pati asnjë ‘kundër’ dhe të ‘përmbajtur’.

Gjithashtu në ora 18:00 është paralajmëruar zgjedhja e zv.ministrave, ndërsa në ora 18:30 janë të ftuar në selinë e Presidentit Stevo Pendarovski, në Villa Vodno.

Kryeministër do të jetë Oliver Spasovski, për ministre të Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, për ministër pa resor, zëvendëskryeministri i deritashëm për Çështje Ekonomike, Bujar Osmani, për ministre pa resort do të jetë Mila Carovska. Për ministër të Brendshëm do të jetë Naqe Çullevin.

Nga LSDM-ja për zv.ministër shtesë të Punëve të Brendshme kanë propozuar, Sllavjanka Petrovska dhe për Punë dhe Politikë Sociale, Sanella Shkrijelj.

Me Marrëveshjen e Përzhinos, në Qeverinë teknike anëtarë duhet të ketë edhe partia opozitare më e madhe në vend, siç është për momentin, VMRO-DPMNE-ja. Nga kjo parti, krahas Çullevit, për ministër i Punës dhe Politikës Sociale kanë propozuar, Rashella Mizrahi, për zëvendësministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Nevenka Stamenkovska Stojkoski dhe për Bujqësi, Cvetan Trifunovski.

“Koha e broçkulla dhe kalkulimeve të rreme ka përfunduar, të gjithë duhet të përkushtohen për të realizuar zgjedhjet korrekte dhe demokratike. VMRO-DPMNE-ja tash duhet të dëshmojë se është për demokraci”, tha Spasovski.

Ai gjithashtu tha se kjo është e rëndësi, sepse duhet të vazhdojë zhvillimi ekonomik, perspektiva euroatlantike, për tërheqjen e investimeve të reja.


16:15 – Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në ora 16:30 duhet ta fillojë seancën për zgjedhjen e qeverisë së re teknike, e cila duhet të organizojë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 12 prill.

Mandatar për qeverinë e re është Oliver Spasovski, zëvendëskryeministër dhe ministër i Brendshëm i cili deri te Kuvendi ka dorëzuar propozim për përbërjen e qeverisë së re dhe programin për punën e tij.

14:45 – Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në bazë të nenit 84 të Kushtetutës, dhe në pajtim me nenin 43 të Ligjit për Qeveri, ia ka dhënë mandatin kryeministrit të ardhshëm teknik, Oliver Spasovski, njofton Portalb.mk.

Spasovski - Pendarovski
Spasovski – Pendarovski
Spasovski - Pendarovski
Spasovski – Pendarovski

12.54 – Kuvendi e konstatoi dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot e konstatoi dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev, të dorëzuar pas marrëveshjes së partive politike në vigjilje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 12 prill. Pritet që deri në mesnatë Kuvendi ta votojë Qeverinë teknike, të cilën do ta kryesojë Oliver Spasovski dhe e cila prej nesër, dhe në njëqind ditët e ardhshme duhet t’i organizojë zgjedhjet.

Zaevi nuk e shpjegoi dorëheqjen para deputetëve, por në dokumentin e dorëzuar deri te Parlamenti bëri të ditur se e dorëzon pas marrëveshjes së liderëve të partive për zgjedhje më 12 prill.

Kabineti i kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi paradite bëri të ditur se dorëheqjen Zaevi e kishte dorëzuar deri te presidenti Stevo Pendarovski, i cili duhet t’ia japë mandatin Spasovskit. Ai, deri te Kuvendi duhet të dorëzojë përbërjen e Qeverisë së re teknike dhe programin për punë.

08.00 – RMV, sot do të zgjidhet Qeveria teknike që do ta çojë vendin në zgjedhjet e prillit

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut pritet që sot ta zgjedhë qeverinë teknike në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që duhet të mbahen më 12 prill, siç paraprakisht u dakorduan liderët e partive politike. Procesi sot duhet të mbarojë deri në mesnatë, ndërsa prej nesër ajo duhet të fillojë me punë.

Procedura fillon me dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev, një veprim që ai e paralajmëroi se e ka bërë.

“Besoj se shumë shpejtë do të arrijë në Kuvend, që të mund gjatë ditës të fillojë procedura dhe përfundojnë punët për zgjedhjet e qeverisë kalimtare”, tha Zaev, në emisionin “Utrinski Brifing”.

Ai pret që e gjithë procedura të kalojë pa problem, duke përkujtuar se praktika e formimit të qeverisë kalimtare është vendosur që në vitin 2016, me kërkesë të LSDM-së, kur ata ishin në opozitë.

Pasi për këtë formalisht do të njoftohet kryetari i parlamentit Talat Xhaferi, ai thërret seancë dhe Parlamenti e konstaton dorëheqjen.

Pastaj kryetari i Kuvendit e njofton presidentin e shtetit Stevo Pendarovskin, i cili duhet t’i japë mandat ministrit të Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, i cili nga trupat më të lartë të partisë së LSDM-së ishte propozim për kryeministër teknik dhe për të cilin ka harmonizim edhe nga ana e VMRO-DPMNE-së opozitare.

Spasovski më pas duhet ta propozojë qeverinë e re teknike dhe ajo përbërje qeveritare do të udhëheq me vendin në periudhën deri në zgjedhje.

Qeveria teknike formohet njëqind ditë para zgjedhjeve.

Qeveria teknike duhet t’i zbatojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në qeverinë kalimtare, opozita, përveç ministrit të Punëve të Brendshme, propozon edhe ministër të Punëve të Brendshme si dhe zëvendësministra shtesë të Financave, Shoqëri Informatike dhe Administratë dhe të Bujqësisë, ndërsa pushtetit  merr zëvendës në MPB dhe MPPS.

VMRO-DPMNE e propozoi Naqe Çulevin, profesionist i Agjencisë për Zbulim si propozim i ri për njeri të parë në MPB në Qeverinë teknike.

LEXO: LSDM dhe VMRO-DPMNE u morën vesh për ministrin e punëve të brendshme në Qeverinë teknike

Sipas propozimit të LSDM-së, zëvendësministër i Punëve të Brendshme do të jetë Slavjanka Petrovska, ndërsa e Punës dhe Politikës Sociale Sanella Shkrijel.

Koncepti Qeveri teknike ose e Përzhinos ishte vendosur pas krizës së krijuar, pasi që kryeministri Zoran Zaev, atëherë lider i opozitës në vitin 2015 filloi me publikimin e “bombave”, pas të cilave vijuan zgjedhje të parakohshme.

Ky koncept, që tani është obligim ligjor, është pjesë e Marrëveshjes së Përzhinos që në vitin 2016 e arritën ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryeministri aktual Zaev, i cili atëherë ishte në opozitë dhe përfaqësuesit e partive të tjera me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button