MBI MENDËSINË ANTILIBËR TË PUSHTETIT

Historia e librit ka nisur bashkë me historinë e përndjekjes dhe asgjesimit të tij, thotë dijetari arbëresh Aleksandër Stipçeviq (1930-2015). Ideja e parë për censurën shtetërore të librit ndodhi në Greqinë antike dhe, për habi, nuk u nxit nga pushtetarët despotë, po nga filozofi i madh Platoni, i cili në veprën Shteti kërkoi pastrimin e letërsisë nga librat që nuk ishin në harmoni me interesin dhe parimet morale të shtetit. Ai kërkoi madje dhe censurimin e veprave të Homerit dhe të tragjedianëve të tjerë grekë.

Gjithnjë sipas A. Stipçeviqit, autorit të veprës Historia e librit, konfiskimi dhe djegia e parë publike qe ajo e shkrimeve të filozofit Protagora, që ndodhi në shekullin V para erës së re në Athinë. Protagora u dënua me internim, sepse në veprën Për zotat, shprehu dyshimin e ekzistimit të tyre. Pas këtij rasti, veçmas në periudha kur pushtetarët ishin buzë greminës, u shpeshtuan konfiskimet dhe persekutimet e autorëve të veprave antishtetërore. Viktimë e kësaj mendësie antilibër qe dhe filozofi famëmadh Sokrati, të cilin e detyruan të pinte helm për shkak se nuk u besonte zotave të cilëve u beson shteti.

Në dallim nga Greqia, Roma ishte më e pamëshirshme ndaj autorëve që guxonin të prekin sedrën e perandorit, qoftë edhe nëpërmjet ndonjë aluzioni të mjegullt. Ndër ata qe e pagoi me jetë lirinë e shprehjes qe oratori Titus Labienus. Ai u vetëvra në kohën e sundimit të Augustit, të njohur si mik i artistëve dhe dashamir i madh i letërsisë, por që, me kalimin e moshës, u bë kundërshtar i rreptë edhe i letërsisë tunduese, të cilën nisi ta shohë si prishëse të moralit  të shoqërisë romake. Persekutimeve nuk u shpëtuan as autorë të tjerë të mëdhenj si Ovidi, Korneli Gali etj.

Përndjekje të librave dhe autorëve të tyre kishte edhe në Kinë, që nga botimi i veprave të Konfuçit, që nuk pajtoheshin me mendimet dhe veprimet e qarqeve sunduese. Kështu, në kohën e sundimit të perandorit Çin Shi-huang-ti (viti 213 para erës së re) u dogjën të gjithë librat e Konfuçit dhe krijuesve të asaj kohe, përveç librave të mjekësisë e të bujqësisë. Dhe kjo nuk qe e tëra, sepse Çin Shi urdhëroi që, brenda një dite, të vriten 470 autorë, të cilët kishin shkruar kundër tij. Traditën e egër të dhunës ndaj shkrimtarëve që nuk u nënshtroheshin dogmave pushtetare do ta trashëgojë edhe Kina komuniste e Mao Ce Dunit, i cili gjatë Revolucionit kulturor ekzekutoi pamëshirshëm mijëra krijues…

Fati i librave dhe autorëve mendjelirë u përkeqësua edhe më shumë gjatë periudhës së mesjetës, kur, bashkë me qytetërimin antik, u zhdukën pa nam e nishan një numër shumë i madh librash të bibliotekave të mëdha të qendrave evropiane. Vetëm një pjesë e tyre mbijetoi nëpër bibliotekat e manastireve, peshkopatave dhe shkollave fetare.

Nga periudha e Rilindjes evropiane e gjer te Revolucioni Francez libri ushtroi një ndikim të paparë në jetën shoqërore dhe rrjedhën e ngjarjeve historike. Por, pikërisht për këtë, u bë dhe cak sulmesh i pushtetarëve që nuk e toleronin rrezikimin e privilegjeve. Në këtë betejë të pabarabartë ndërmjet hegjemonëve dhe artistëve e pësuan këta të fundit, sepse persekutorët ua dogjën librat, ua sekuestruan pasuritë, i maltretuan, i internuan dhe i likuiduan pamëshirshëm, njësoj si në mesjetë. Ata hartuan ligje të posaçme, nëpërmjet të cilëve i bënin përgjegjës për librat e rrezikshëm edhe botuesit, shitësit dhe lexuesit e tyre.

Ndër ligjet barbare bën pjesë dhe ai i censurës preventive i vitit 1485, të cilin e zbatoi fillimisht kryeipeshkvi i Majncit Bertold von Heneberg. Sipas tij: Është me lehtë të zhvillosh luftë kundër ndonjë libri të rrezikshëm, nëse ai nuk botohet fare. Shembullin e kryeipeshkvit e ndoqën verbërisht dhe despotët tjerë, të cilët, sa herë që patën mundësi, dogjën shtypshkronja dhe tirazhe të mëdha librash. Ata formuan dhe komisione që kujdeseshin për pastërtinë e librave dhe që nuk do të jepnin leje për botimin e dorëshkrimeve të rrezikshme për shtetin dhe moralin shoqëror.

Por, meqë ndërkohë krijuesit rebelë gjetën mënyra për botimin e veprave të tyre, duke i shtypur ato në shtypshkronja vendesh të tjera, duke gjetur përkrahjen e tipografëve dhe librarëve të guximshëm, duke shkruar me pseudonime apo duke trilluar vendin e shtypjes dhe botuesin, pushteti shpiku mekanizmat e rradhës, të ashtuquajturit: regjistra të veprave të ndaluara. Këtë marifet e shpiku i pari mbreti anglez Henriku VIII, që tmerrohej veçmas prej librave të Martin Luterit. Në këto regjistra u gjendën edhe veprat e Dante Aligierit, Mishel Montenjit, La Fontenit, Bokaços, Erazmo Roterdamit, Rëne Dekartit, Blez Paskalit, Xhon Lokut, Daniel Defosë, Xhonatan Suiftit, Volterit, Rusosë, Didëroit…

Tradita e djegies publike të librave, heshtjes së emrave të autorëve dhe persekutimit të tyre metastazoi në gjenocid të paparë shpirtëror pas dy luftërave botërore, atëherë kur shumëkushi mendonte se shekulli XX nuk i takon kohës së gurit. Mjerisht, pas kësaj periudhe, fjalës së lirë dhe përhapjes së informacionit nisën t’u frikësohen njësoj të gjitha llojet e diktaturave, të djathta e të majta, madje edhe shumë vende të konsideruara demokratike e liberale perëndimore, ku censurën nuk e shihte gjithkush…

Në vitin 1933 Hitleri hartoi Regjistrin e zi me emrat e 71 autorëve të paraparë për linçim nga naziztët. Më 10 maj të vitit 1933 u dogjën në sheshin e Berlinit dhe jo vetëm qindra mijëra libra armiq të kombit gjerman. Gjer në vitin 1944, regjistrat u pasuruan me emra të rinj viktimash. Në to ishin dhe emrat e krijuesve të mëdhenj si: Tomas Mani, Stefan Cvajgu, Bertolt Brehti, Erih Maria Remarku…

Pas Luftës së Dytë Botërore, gjer në rrënien e Murit të Berlinit, flamurin e autocensurës së imponuar, cenzurës së egër zhdanoviste dhe persekutimeve më lemeritëse të artistëve shpirtlirë e mori BRSS dhe vendet tjera të kampit bolshevik. Likuidimet barbare të librave dhe autorëve të tyre ishin të përditshme, po dhuna nuk arriti ta gjunjëzojë shpirtin prometean të arstistëve. Përkundrazi, persekutimet shtazarake lindën disidencën e njohur ruse, nga gjiri i së cilës dolën emra të shquar shkrimtarësh, si: Ana Ahmatova, Osip Mandelshtami, Marina Cvetajeva, Boris Pasternaku, Aleksandër Shollzhenjicini…

Letërsia shqipe gjatë periudhës komuniste gjithashtu ka një listë të gjatë krijuesish të ekzekutuar, të persekutuar e të përndjekur letrarë, si: Musine Kokalari, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Havzi Nela, Uran Kalakula, Ndre Zadeja, Pjetër Arbnori, Vinçenc Prendushi, Bernardin Palaj, Lazër Shantoja, Ndoc Nikaj, Nikollë Mazreku, Zef Pllumi, Zef Simoni, Ethem Haxhiademi, Mitrush Kuteli, Vedad Kokona, Trifon Xhaxhika, Suzana Selenica, Ahmet Golemi, Faik Ballanca, Zyhdi Morava, Roland Gjoza, Namik Mone, Bilall Xhaferi,  Aleksandër Gera, Ernest Perdoda etj.

Disidentë pati edhe në mesin e krijuesve shqiptarë të mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, që nga Adem Demaçi dhe poeti i talentuar tetovar Sadudin Gjura, vdekja e të cilit ka mbetur enigmatike, e gjer tek krijuesit e shumtë që kaluan nëpër kazamatet sllave, në veçanti pas viteve të furtunshme si: 1945, 1968, 1981, 1991…

Kaq për sot.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button