Korruptimi i mediave në Maqedoninë e Veriut, metodë ruse kundër integrimit të vendit në NATO (VIDEO)

Zhvillimi i rrjeteve sociale dhe mënyrave alternative për informim ka sjellë probleme të mëdha me informimin e drejtë dhe të saktë. Në fushën e internetit është e vështirë të dallohet e vërteta nga gënjeshtra, gazetari nga manipuluesi. Lajmet e rreme filluan të praktikohen si “click bait”, ose karrem klikimi. Një mënyrë për të grumbulluar sa më shumë vizita në portalet online, që të rritet edhe fitimi nga shërbime të ndryshme që paguajnë reklama në internet. Por shpejt lajmet e rreme u shndërruan në armë të fuqishme politike kudo, shkruan EuroNews Albania.

Nga: Ferikan Iljazi Arifi

Bota për herë të parë e pa në vepër potencialin dhe pasojat e mëdha që sjellin lajmet e rreme me zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe referendumin britanik për dalje nga Bashkimi Evropian.

Kjo dukuri erdhi shpejtë edhe në Ballkan. Konkretisht në Maqedoninë e Veriut, një shtet i brishtë me shoqëri të ndarë në bazë etnike, fetare, politike. Një terren ideal për lajme të rreme. Një dekadë e gjysmë pas konfliktit të armatosur të vitit 2001, Maqedonia e Veriut po zgjidhte seriozisht mes Lindjes dhe Perëndimit. Skandali me përgjimet ilegale rrëzoi qeverinë e Nikolla Gruevskit dhe hapi rrugën për marrëveshjet historike, që do të zhbllokonin proceset integruese të Maqedonisë së Veriut drejt NATO-s dhe BE-së. Por jo të gjitha fuqitë e mëdha e pritën mirë këtë ndryshim kursi në Shkup.

Dokumente sekrete të shërbimeve të Maqedonisë së Veriut, të publikuara nga mediat vendase dhe ndërkombëtare, thonë se agjentë rusë dhe serb po punojnë kundër integrimit të vendit në NATO, duke përdorur metoda të ndryshme veprimi. Një ndër metodat është korruptimi i mediave në vend për të informuar dhe dezinformuar në favor të Rusisë dhe kundër perëndimit.

Në një dokument që e kanë siguruar gazetarë vendorë dhe ndërkombëtarë nga inteligjenca e Maqedonisë së Veriut, e përpiluar në vitin 2017, shkruan se Ambasada e Federatës Ruse koordinon një sërë aktivitetesh zbuluese që kanë për qëllim largimin e shtetit nga “perëndimi”, dhe se rusët janë tejet të interesuar për ndikimin nëpërmjet mediave.

Aktivitetet e regjistruara të pjesës zbuluese të ambasadës dhe kontakteve të tyre direkte me përfaqësues të mediave nga kampusi shqiptar dhe maqedonas, vënë në pah rëndësinë e sferës mediatike për pasimin e informacioneve/dezinfomatave dhe spekulimeve, në favor të Rusisë. Në këtë drejtim, vërehet koordinimi gjatë publikimit të shkrimeve, analizave dhe vlerësimeve me aktivitetet e Ambasadës ruse dhe Ministrisë së jashtme ruse.

Dokumentet shfaqin edhe përpjekjet e inteligjencës serbe për të mbështetur nacionalistët anti-perëndimorë dhe pro-rusë në Maqedoni. Agjenti serb Goran Zhivaljeviç koordinon edhe shkrimet e mediave edhe veprimet politike në Parlament, nëpërmjet një deputeti.

Nga përmbajtja e bisedave, mes të tjerash, mund të konstatohet se edhe prania e gazetarit dhe analistit Mirosllav Llazanski në Republikën e Maqedonisë, është organizuar me ndihmën e Goran Zhivaljeviç, i cili po ashtu bën organizimin se me kë do të kontaktojë gazetari dhe e informon dhe i jep udhëzime. Meqë vetë prania e Zhivaljeviçit dhe kontaktet, intervistat me persona të rëndësishëm nga politika e Maqedonisë nuk do të ishin adekuate, ai këtë gjë e bën nëpërmjet deputetit Stoillkoviç, i cili siç mund të vërehet nga komunikimi, të gjithë veprimet i ndërmerr pas konsultimeve me zbuluesin.

Ish-ministri i brendshëm i  Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, Oliver Spasovski,  kryeministri në detyrë dhe ministri i brendshëm i serbisë Nebojsha Stefanoviç, të pyetur nga Euronews Albania për lajmet e rreme dhe kërcënimet hibride, thanë se medoemos duhet të bëhen ndryshime ligjore dhe të krijohen mekanizma të tjera për luftimin e kësaj dukurie.

“Ka lajme të rreme, propagandë dhe gjithçka tjetër u jepet qytetarëve të shtetit tonë. Duhet të kërkojmë zgjidhje  adekuate për tu ballafaquar me këto çështje. E sidomos me lajmet e rreme të cilat vërtetë mund të krijojnë gjendje të ndryshme, skenare, të cilat mund të shkaktojnë trazira tek qytetarëve”, thotë Oliver Spasovski.

Ministri i brendshëm serb Nebojsha Stefanoviç tha se Serbia synon të bëhet garantues rajonal në luftën kundër lajmeve të rrejshme, por nuk komentoi zërat se propaganda ruse në Maqedoninë e Veriut, vjen pikërisht nga Serbia.

“Nuk është një temë që e prek vetëm ministrinë e brendshme. Mendoj se lajmet e rreme të cilat lëshohen, me qëllim që të formohet një mendim i caktuar publik dhe për të ndërhyrë në sigurinë e shteteve, duhet të trajtohet si një çështje e gjerë shoqërore”, deklaroi Nebojsha Sefanoviç, ministri i brendshëm i Serbisë.

Ai gjithashtu tha se janë gati për një dialog ndërinstitucional Brenda shtetit dhe se mund të bëhen partner konstruktiv që mbron interesin dhe sigurinë e rajonit.

Gazetarët të cilët u morën në intervistë duket se e vërejnë qartë propagandën me lajme të rreme në Maqedoninë e Veriut. Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve Mlladen Çadikovski thotë se skema e përhapjes së lajmeve bëhet nga vendet e huaja, dhe realizohet nëpërmjet garniturave vendore politike dhe mediave që paguhen nga shërbime të huaja.

“Kryesisht promovohen dhe prezantohen nga ana e disa garniturave/partive politike, grupimeve e që janë të lidhura dhe shërbime të huaja të inteligjencës. Gjithmonë kanë një qëllim të përbashkët. Ndonjëherë duan ti prishin vlerat e sistemit, apo besimin në sistemin e shtetit, mediat dhe ngjashëm”, u shpreh Mlladen Çadikovski.

Këto fushata propagandistike shfaqen sidomos në prag të proceseve të rëndësishme në vend, që trazojnë rrugën drejt aleancave veri-atlantike.

Raporte të tjera ndërkombëtare flasin për përpjekjet ruse për të dështuar referendumin për ndryshimin e emrit zyrtar në Maqedoninë e Veriut. Sipas raporteve, biznesmenë rus kanë derdhur para në media dhe tek disa grupe nacionaliste për fushatën “Bojkotoj”, që kundërshtonte ndryshimin e emrit të shtetit.

Drejtuesja e projektit për mendim kritik të qytetarëve Elida Zylbehari thotë se kjo propagandë transmetohet edhe në Maqedoninë e Veriut përmes mediave ruse të themeluara në Serbi. Sipas saj gjatë proceseve më të mëdha në shtet si zgjedhjet apo ngjarja e 27 prillit, gjatë sulmit në Parlament apo gjatë Referendumit, në mediat shqipatare dhe ato maqedonase është shpërndarë një valë e madhe dezinformatash.

“Problemi më i madh në disa vende, ku kishte edhe ndikime të jashtme, në disa media kemi parë përkthime nga shtetet fqinje, posaçërisht nga mediat e Serbisë, ku ka vetëm media ruse dhe duke u përkthyer, duke u transmetuar në vendin tonë, ato shtrembërohen”, ka deklaruar Elida Zylbeari.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button