Shërbimi i prokurorisë publike me staf mirë të kompletuar është parakusht për prokurori publike të pavarur dhe efikase (Infografik)

Sistemi i prokurorisë publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk mund të funksionojë në mënyrë efikase dhe të pavarur pa shërbim të prokurorisë publike që ka staf të kompletuar mirë, profesional dhe kompetent. Ky shërbim, sipas ligjit, duhet të përbëhet nga ekspertë, pastaj hetues të veprave penale dhe staf teknik e ndihmës, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Analiza funksionale e sistemit të prokurorisë publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut është hartuar si pjesë e projektit “Efikasitet dhe efektivitet i rritur në sigurimin e drejtësisë përmes përmirësimit të performancës së institucioneve gjyqësore” të cilën e  ka implementuar Qendra për hulumtime juridike dhe analiza – QHJA dhe PrajsuoterhausKupers Maqedoni (PricewaterhouseCoopers), e financuar nga UK aid përmes Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, i përcaktoi gjetjet dhe rekomandimet e mëposhtme në pjesën e funksionimit të shërbimit të prokurorisë publike:

Sipas sistematizimit aktual, në nivel të të gjithë prokurorisë publike, parashikohet që shërbimi i prokurorisë publike të ketë 1.109 të punësuar. Megjithatë, faktikisht janë të plotësuara vetëm një e treta e këtyre vendeve të parapara të punës, përkatësisht ka 349 të punësuar, ose 31 përqind.

Mos kompletimi i stafit ka ndikim të drejtpërdrejtë në efikasitetin e punës së shërbimit të prokurorisë publike. Numri i madh i vendeve të paplotësuara të punës, posaçërisht pozicionet drejtuese në këtë shërbim, ndikojnë në kohezionin, pavarësinë dhe cilësinë e punës së prokurorisë publike në tërësi.

Pengesë shtesë, siç është theksuar në analizë, paraqet metodologjia me të cilën është hartuar sistematizimi i vendeve të punës në këtë shërbim, e cila nuk korrespondon me nevojat reale të punës, prandaj nuk mund të nxirren përfundime relevante për atë se çfarë efekti ka mbi procesin e punës plotësimi prej  31%.

Dy dokumentet sipas të cilëve është organizuar shërbimi i prokurorisë publike, Rregullorja e brendshme për punë dhe Rregullorja për sistematizim nuk janë të harmonizuara, kështu që aktualisht është e pamundur të thuhet me siguri se sa është numri i nevojshëm i të punësuarve që shërbimi të funksionojë pa probleme dhe në mënyrë të pavarur.

Infografik
Infografik

Një nga problemet thelbësore në shërbimin e prokurorisë publike janë vendet e paplotësuara në kuadër të strukturës udhëheqëse. Kështu, nga gjithsej shtatë departamente në këtë shërbim, drejtues ka vetëm në një departament – në atë për çështje financiare. Sidoqoftë, pavarësisht nga kjo, analiza ka treguar që mjetet e propozuara në kuadër të Projekt-buxhetit të PPRMV-së për punësime në prokurori në shumicën e rasteve nuk janë aprovuar nga Ministria e financave. Kjo kontribuon që shërbimi të sillet në situatë që realisht nuk mund të punësojë njerëz të rinj.

Departamenti i Teknologjisë së Informatikës në shërbimin e prokurorisë publike, për shembull, duhet të ketë një drejtues dhe dhjetë anëtarë tjerë të stafit, por aktualisht ka vetëm një punonjës në pozitën e Këshilltarit për zhvillim dhe mbështetje. Në nivel të tërë prokurorisë ka edhe tre të punësuar me kontratë për vepër, të cilët kryejnë punë që ndërlidhet me fushën e teknologjisë së informatikës, njëri në Prokurorinë e Lartë Publike në Shkup dhe nga një në Shtip dhe Manastir.

Aktualisht, për shkak se nuk ka drejtues të emëruar përkatësisht prokuroritë nuk kanë sekretarë, nuk është e mundur që ndaj personelit administrativ të realizohet as edhe një procedurë disiplinore, sepse, sipas ligjit dhe Rregullores për sistematizim, procedurat e tilla realizohen  para një komisioni që përbëhet nga sekretarë të përgjithshëm, e në realitet ka vetëm një Sekretar të përgjithshëm.

Rekomandime për zgjidhjen e problemeve:

  • Të konsolidohet korniza ligjore për shërbimin e prokurorisë publike dhe të hartohet strategji e re për të siguruar funksionimin cilësor dhe pa pengesa të shërbimit.
  • Të plotësohen pozitat drejtuese në nivel të sekretarit dhe drejtuesve të departamenteve të parapara me sistematizimet në të gjitha prokuroritë publike.
  • Të barazohet statusi i nëpunësve të prokurorisë publike të cilët punojnë në shërbimin e prokurorisë publike.
  • Të hartohet sistematizim i ri sipas indikatorëve të paracaktuar të matshëm.
  • Të krijohet sistem funksional për përgjegjësi disiplinore, vlerësim dhe punësim pa pengesa.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button