ANALIZË: Sukseset dhe dështimet ekonomike në vitin 2019!

Disa investuan në kapacitete të reja, disa të tjerë i zgjeruan ato ekzistuese, por një pjesë e kompanive u munduan të mbijetojnë në vitin ekonomik 2019. Disa nga biznesmenët dhe ekonomistët që i anketoi Portalb.mk i rendisin sukseset dhe dështimet në planin ekonomik në vitin që  kaloi, së bashku me problemet dhe rekomandimet për zgjidhjen e tyre.

Vlerësim pozitiv – rritja ekonomike, mbështetja nga shteti për firmat e vendit…

Disa ekonomistë thonë se si rezultat pozitiv ekonomik në vitin 2019 duhet të konsiderohet rritja e PBB-së mbi 3%, gjë që tregon se ekonomia megjithatë është në një zonë pozitive. Në vitin e kaluar, analistët në listën e “sukseseve” i kanë përfshirë edhe subvencionet shtetërore për firmat vendase, kthimin e TVSH-së për qytetarët, rritjen e rrogës minimale – por të gjitha këto me ngarkesë të madhe financiare në thesarin shtetëror.

“Është mirë që qeveria i respekton premtimet e saj parazgjedhore për kthimin e parave te qytetarët, duke e rritur rrogën minimale, duke i rritur rrogat në sektorin publik dhe shtetëror, pastaj përmes programeve të ndryshme të ndihmës sociale për personat e rrezikuar në aspekt social, e gjithë kjo është në rregull, por kjo mund të bëhet vetëm me ndryshime në shpërndarjen parësore të të ardhurave midis kapitalit, punëtorëve dhe shtetit. Shteti premton so do t’u ofrojë ndihmë financiare bizneseve, si dhe se do t’i mbulojë kontributet për sigurimet sociale në nivelin e rrogës së rritur minimale, si dhe subjekteve të tjera nëse i rrisin rrogat e punonjësve mbi shumën e rrogës minimale, e gjithë kjo në rregull, por prej ku i marr shteti paratë për këtë? Ata thonë se me shpenzimin e kujdesshëm e parave të popullit mund të sigurohen para për këtë qëllim. Sigurisht që kjo është pjesërisht e vërtetë, por pastaj lind pyetja pse këto para nga shpenzimi i kujdesshëm të mos harxhohen për zhvillim ekonomik, për forcimin e kapacitetit prodhues të ekonomisë, për rritjen e tregut të kapitalit fizik dhe njerëzor, duke i mundësuar kështu ekonomisë të japë më shumë vlera të reja” – vlerëson profesori Sami Bislimi.

Për disa biznesmenë, si pozitive duhet të vlerësohet pjesa e politikës ekonomike që synon mbështetjen e sektorit privat përmes burimeve të shumta – subvencione direkte për rrogat dhe kontributet, grante dhe përjashtime nga pagesa e tatimeve.

“Është pozitive që për herë të parë ekziston ky lloj i mbështetjes për kompanitë vendase për arsye të ndryshme, në ç’mënyrë shteti i ofroi mbështetje logjistike sektorit privat vendas, i cili disi ishte i diskriminuar në krahasim me kompanitë e huaja.  Megjithatë, për sa i përket problemeve të pranishme, mbështetja mund të konsiderohet modeste dhe si e tillë është e pamundur të japë ndonjë efekt më të madh. Nevojitet një qasje shumë më serioze sistemore për zgjidhjen e problemeve afatgjata” – thotë Marijana Perkovska, nga Klasteri i tekstilit.

Vlerësim negativ – produktivitet i ulët, shpenzime të larta, dështim i shpenzimeve kapitale

Mungesa e një strategjie kombëtare afatgjate për zhvillimin e sektorit të transportit, licencat akoma ekzistuese për transport, automjete të vjetruara – këto janë një pjesë e problemeve me të cilat përballet sektori i transportit në vitin 2019.

“Edhe në vitin 2019 nuk u bënë lëvizje serioze për zbatimin e masave dhe projekteve, si në të gjitha vendet e tjera, për zëvendësimin e automjeteve të vjetruara, që do të ndikonte në mbrojtjen e mjedisit dhe në sigurinë në komunikacion, duke e ndjekur shembullin e të gjitha vendeve të BE-së. Duhet të lehtësohet qasja në logjistikën financiare. Subvencionet nga IPA ose fondet e tjera të BE-së duhet të jenë më lehtë të qasshme, si dhe të sigurohet linja kreditore me përqindje të ulëta të kamatës, që do të ishin ndërmjet 2% dhe 3%, me minimum një vit periudhe mospagimi (grejs periudhë), nëse dëshirohet që të mbahen dhe të konsolidohen kompanitë që bëjnë transport të mallrave. Sigurisht që është i nevojshëm aktivitet intensiv i shtetit përmes organizatave kompetente për heqjen e licencave të transportit për”vendet e treta” ,të paktën për vendet fqinje (Shqipërinë, Serbinë, Bullgarinë, Greqinë), e më pas me Turqinë, si dhe të gjitha lejet që kërkohen për tranzit nëpër vende të caktuara në të cilat automjetet as nuk ngarkojnë, e as nuk shkarkojnë mall, e megjithatë qasja e tyre është e kufizuar dhe për këtë arsye përdoren masa jo-standarde të transportit. Nevojiten edhe aktivitete për nënshkrimin e marrëveshjeve të reja bilaterale, veçanërisht me vendet që më parë ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik dhe vende të tjera, me qëllim që të hapen tregje të reja të transportit”- thotë Biljana Muratovska nga shoqata e transportit “Makam-trans”.

Në sektorin real, viti ekonomik 2019 për disa ishte i suksesshëm, ndërsa për të tjerët më pak i suksesshëm. Industri të ndryshme u përballën me probleme të ndryshme. Punonjësit në industrinë e tekstilit, e cila përfshin një numër të madh të fuqisë punëtore, por rroga të ulëta, vitin e kaluar patën një rritje të rrogës minimale, të mbështetur nga subvencionet shtetërore. Nga ana tjetër, ky sektor i eksportit vazhdon të karakterizohet me produktivitet të ulët dhe probleme të shumta që e bëjnë produktin tekstil jo konkurrues.

“Problemi më i madh për ne si sektor i eksportit është kursi fiks i këmbimit të denarit. Për shkak të konkurrencës së lartë në tregjet evropiane dhe botërore me të cilat përballen eksportuesit për çdo ditë, është pothuajse e pamundur të bëhet korrigjimi i çmimeve. Nëse e bëni këtë, rreziku për ta humbur klientin tuaj është shumë i madh. Si do t’i shpjegoni një gjermani se për motive humane ai tani duhet të paguajë shërbim ose produkt më të shtrenjtë për 40-50%? Fakti që të gjitha shpenzimet e shprehura në denarë rriten deri në 2.5 herë, ndërsa kundërvlera në denarë e shërbimeve ose produkteve të eksportuara është e njëjtë, imponon një ndërhyrje urgjente për ta amortizuar këtë goditje”- thotë Marijana Perkovska nga Klasteri i tekstilit.

Disa nga problemet në sektorin privat janë zgjidhur, disa do të presin zgjidhje në vitin 2020, por sipas ekonomistëve, një nga dështimet më të mëdha ekonomike në vitin 2019 është dështimi për t’i realizuar investimet shtetërore, publike përmes buxhetit.

“Dështimi më i madh këtë vit është niveli i ulët i realizimit të investimeve kapitale (40.73%). Me një nivel të tillë të realizimit të investimeve kapitale, qeveria nuk është në gjendje ta rrisë cilësinë e të mirave dhe shërbimeve publike, e as nuk mund të stimulojë zhvillimin ekonomik, si bazë për arritjen e një rritjeje të qëndrueshme ekonomike. Qeveria do të duhet të fillojë një cikël të ri investimesh në fushat e përcaktuara si prioritete për zhvillim, ndërsa financat duhet t’i sigurojë po qe nevoja edhe përmes rritjes së borxhit publik. Ne vazhdojmë të marrim hua, por këto para shpenzohen pjesërisht për t’i paguar këstet e huazimeve të mëparshme. Pjesa e borxhit publik në PBB në fund të tremujorit të tretë të vitit 2019 është e njëjtë sikurse në fund të vitit 2017 (47.7%), ndërsa borxhi publik në të njëjtën periudhë u rrit për 618 milion euro. Vetëm në tre tremujorët e parë të vitit 2019 janë lëshuar bono shtetërore në vlerë prej 244 milion eurosh, si dhe kredi të huaja në vlerë prej 141 milion eurosh. Me këto para mund të stimulohet seriozisht zhvillimi ekonomik” – thotë profesori Bislimi.

Në edicioni e ardhshëm të “Analizës” do të trajtohen pritjet e biznesmenëve dhe ekonomistëve në vitin e ri 2020, i cili do të karakterizohet me cikël të ri zgjedhor – pavarësisht se a do të jenë zgjedhje parlamentare të parakohshme apo të rregullta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button