Asfaltohet një segment i rrugës Reçan – magjistrale M4

Një segment i rrugës prej fshatit Reçan për te magjistralja M4 (Gostivar-Kërçovë), u asfaltua këtyre ditëve, ndërsa në vijim janë punët për mbushje me tampon të skajeve të rrugës (bankinave).

“Aktualisht u asfaltua një segment i rrugës në gjatësi prej 800 metrash dhe me gjerësi prej 3 metrash. Paraprakisht u bë përgatitja për asfaltimin e saj dhe meqë bëhet fjalë për një segment të rrugës së vjetër për në Dibër, bazamentin e ka shumë të fortë. Aktualisht punohet në mbushjen me tampon të skajeve të rrugës, me çka trupi i rrugës do të fitojë gjerësinë e nevojshme për përkalim të papenguar të automjeteve në dy kahjet”, thekson Senad Emini – inxhinier mbikëqyrës nga Komuna  e Gostivarit.

“Kjo rrugë është e një rëndësie të veçantë për banorët e fshatit Reçan, sepse përveç që do të mund të shfrytëzohet si rrugë alternative për lidhje me qytetin, do të ketë impakt pozitiv edhe në zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë, si dhe turizmit malor. Ishte kërkesë e banorëve të këtij fshati dhe në kuadër të programit Forume në bashkësi, hyri në prioritetet e Komunës së Gostivarit për vitin 2012 vetëm tamponimi i saj, por ne shkuam një hap më shumë dhe asfaltuam një segment të saj”, nënvizon Faton Jahja përgjegjës i  Zyrës së ZHEL-it.

Banorët lokalë shprehen tejet të kënaqur nga ky investim i Komunës, sepse ata këtë rrugë e konsiderojnë si të një rëndësie jetike për ta, thonë nga komuna.

Për realizimin e këtij projekti, Komuna e Gostivarit ndau nga buxheti i saj 2,5 milion denarë. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button