VITI I RI

Ja iku edhe një vjet… Fillon viti i ri. E, fillimin e vitit e feston pjesa më e madhe e botës më një janar, që është datë e kalendarit gregorian. Pjesa tjetër kanë data të tjera për këtë vit.

Te ne kjo ditë konsiderohet si festë e krishterimit, prandaj shumë klerikë myslimanë thonë se ajo duhet të hiqet nga lista e festave. Prandaj, si duket, shumë vendbanime ku jeton popullsia e besimit mysliman kohëve të fundit nuk stolisen me drita.

Po cila është e vërteta e vitit të ri? Ajo fare nuk ka të bëjë me krishtenizmin e as me fetë tjera monoteiste për shkak se është shumë më e vjetër dhe lidhet me traditat e popujve paganë, të cilët e kanë festuar vitin e ri si një cikël të ri të jetës, i cili fillon me mbarimin e dimrit dhe fillimin e pranverës. Pra bëhet fjalë për ripërtërirjen e natyrës. Dhe, gjithkund, në çdo studim që ka të bëjë me vitin e ri theksohet se festa e vitit të ri është e moçme me mijëra vjet, se në fakt më shumë është një dok, një adet, se sa një festë në kuptimin e sotëm. Vitin e ri të tyre e kanë festuar edhe shumë fise të cilat as nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për fetë monoteiste ose nuk kanë pasur kontakte me njerëz të tjerë jashtë rrethit të fisit të tyre. Për të gjithë ata viti i ri thjeshtë është një ditë kthesë nga dimri në pranverë kur fillon të ngjallet natyra, gjethon mali e fusha, blerojnë livadhe e kullota, lulëzojnë lulet e fushës e të malit, pemët etj. Me një fjalë është paralajmërim për gjithë ato begati të cilat do të vijnë me verën dhe me vjeshtën. Prandaj është i kuptueshëm gëzimi që kanë pasur njerëzit për këtë ditë.

Disa autorë e venë në dukje se në lindjen e mesme viti i ri është festuar para katër mijë vjetësh. Edhe grekët e lashtë e kanë pasur si ditë të rëndësishme në listën e festave të tyre. Pas tyre edhe romakët.

Vitin e ri nuk e ka si festë të veten vitin e ri. Thuhet se Mojsiu (Musa) vetë e ka ndaluar këtë festë. As krishtenizmi nuk e ka ë listën e fetsave të shumta, ndonëse ka shumë dëshmi se krishtenizmi ka asimiluar shumë festa pagane ngase kështu i ka larguar njerëzit nga besimi në shumë zota dhe e ka përfshirë në besimin e ri.

Ngjashëm qëndorojnë punët edhe me stolisjen e bredhit që bëhet për kërshëndella. Bredhi e ka origjinën nga lashtësitë paraantike e antike, kur njerëzit kanë varur prodhime ushqimore e stoli nëpër degët e drurëve afër faltoreve të tyre si dhurata për perënditë. Natyrisht krishterizmi nuk e ka pranuar këtë adet dhe e ka zbutur maksimalisht duke e lejuar stolisjen e bredhit si adet nëpër shtëpitë e besimtarëve të vet, që më vonë kalon në traditë. Natyrisht stolisja e dikurshme as për së afërmi nuk ka qenë si ajo që bëhet sot për arsyen e thjeshtë se rryma elektrike dhe dritat me rrymë janë të vona, tepër të vona, në shekullin 19 për t’u përsosur në shekullin 20.

Vitin e ri si festë romake më një janar e ka caktuar Jul Cezari dhe nga atëherë ajo festohet në disa vende të Evropës, si ditë e të ashtuquajturave saturnale, kur i bëheshin therorë Saturnit dhe me këtë rast organiozoheshin gosti të mëdha. Ndër helenë saturnalet quheshin Krone. Më vonë, me shumë kompromise, edhe krishtenizmi e hap një derë të vogël që viti i ri të futet në listën e festave. Kjo ndodh shumë pasi perandorit romak Konstatntin i cili në vitin 345 e shpall krishtenizmin si festë zyrtare.

Në fund të theskojmë se te shqiptarët është ruajtur Dita e pranverës, 14 marsi, një festë pagane që në fakt mendohet të ketë qenë viti i ri ilir.

Pa i hyrë çështjes më thellë, a është a s’është viti i ri i këtillë ose i atillë, le të themi se te ne paraqitet njëfarë demagogjie kur është në pyetje viti i ri dhe stolisjet që bëhen nëpër qytete sepse në lagjet ku jetojnë shqiptarët nuk ka stolisje, mirëpo shumica e prindërve i nxjerrin fëmijët që t’i shohin stolitë e bëra për vitin e ri në lagjet tjera.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button