Talebanët kanë rënë dakord për armëpushim

Këshilli drejtues i Talibanëve ra dakord të dielën për një armëpushim të përkohshëm në Afganistan, duke siguruar kështu një dritare për nënshkrimin e një marrëveshje paqeje me Shtetet e Bashkuara. Lajmi u njoftua nga zyrtarë të grupit kryengritës pa dhënë detaje se kur do të niste armëpushimi.

Uashingtoni kishte kërkuar armëpushim përpara nënshkrimit të çdo marrëveshje paqeje, transmeton VOA.

Një marrëveshje paqeje do t’i jepte mundësi SHBA-së të rikthente trupat në atdhe nga Afganistani dhe do t’i jepte fund angazhimit të saj ushtarak 18-vjeçar atje, konflikti më i gjatë ku janë përfshirë SHBA-të.

Uashingtoni nuk ka bërë ende asnjë koment mbi këtë çështje.

SHBA-ja ka kërkuar që çdo marrëveshje për paqe të përfshijë një premtim nga Talebanët se Afganistani nuk do të përdoret si bazë nga grupet terroriste. SHBA-ja ka aktualisht rreth 12 mijë trupa në Afganistan.

Kohëzgjatja e armëpushimit nuk u specifikua, por sipas njoftimeve pritet të zgjasë 10 ditë. Gjithashtu nuk u specifikua edhe dita se kur do të nisë armëpushimi.

Katër anëtarë të ekipit negociator të Talebanëve u takuan për rreth një javë me këshillin qeverisës përpara se të binin dakord për armëpushimin e shkurtër. Ekipi negociator u kthye të dielën në Katar, ku talebanët kanë zyrën e tyre politike dhe ku i dërguari i posaçëm i Paqes Zalmay Khalilzad po zhvillon bisedime paqeje me milicinë fetare që nga shtatori i vitit 2018.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button