Nga protestat e sivjetme u larguan nga pushteti 4 udhëheqës arabë

Duke pasuar suksesin e Pranverës Arabe të vitit 2011, në vitin 2019 një tjetër valë protestash të mëdha detyruan 4 udhëheqës në Lindjen e Mesme të tërhiqen, pasi aspiratat për ndryshime jehuan në të gjithë rajonin, shkruan Anadolu Agency (AA).

Protestuesit arritën që të mënjanojnë hijen e frikës për të larguar udhëheqësit në Sudan, Algjeri, Irak dhe Liban. Demonstruesit mbeten të vendosur të bëjnë reforma të vërteta, jo vetëm ndryshime kozmetike.

Në dhjetor të vitit 2018, populli sudanez doli në rrugë shkaku i ekonomisë së rëndë në protestat që u përshkallëzuan në kërkesa për ndryshime të mëdha.

Më 11 prill, presidenti i Sudanit Omar al-Bashir u tërhoq pas demonstratave që zgjatën disa muaj kundër sundimit të tij 30-vjeçar.

Sipas Komitetit Qendror të Mjekëve Sudanezë (CCSD) të opozitës, më shumë se 300 protestues janë vrarë që nga shpërthimi i protestave kundër sundimit të al-Bashir, me dhjetëra të tjerë që llogariten të zhdukur.

Këshilli i Përkohshëm Ushtarak (MTC), i formuar pas marrëveshjes midis këshillit dhe Forcave të Deklaratës së Lirisë dhe Ndryshimeve, një organizatë ombrellë e grupeve të opozitës, tani po mbikëqyr një “periudhë të përkohshme” 2-vjeçare gjatë së cilës është zotuar të zhvillohen zgjedhjet presidenciale.

Më 14 dhjetor, Bashir u dënua me dy vjet burg për korrupsion dhe mbajtje të paligjshme të devizave të huaja dhe u dërgua në një institucion të mirëqenies sociale për të mbajtur dënimin e tij.

– Algjeria

Më 16 shkurt, algjerianët organizuan protesta masive menjëherë pasi partia në pushtet Fronti Çlirimtar Kombëtar (FLN) njoftoi që Abdelaziz Bouteflika do të kërkonte një mandat të pestë si president, që ishin planifikuar të mbahen në prill.

82-vjeçari Bouteflika ka qeverisur me Algejrinë që nga viti 1999. Pasi humbi mbështetjen ushtarake dhe ishte nën presion nga protestat në rrugë, 20 viteve të sundimit të tij u erdhi fundi më 2 prill.

Protestat në Algjeri me këmbëngulje vazhduan mbi 10 muaj, ndonëse ushtria burgosi dhjetëra zyrtarë të ish-regjimit për akuza për ryshfet.

Që nga muaji prill, algjerianët kanë shprehur mosbesim ndaj të gjithë zyrtarëve të Bouteflikës, përfshirë presidentin e përkohshëm Abdelkader Bensalah, kryeministrin Noureddine Bedoui, si dhe ish-kreun e Këshillit Kushtetues Tayeb Belaiz, i cili dha dorëheqjen në 16 prill pas protestave.

Gjatë protestave u arrestuan shumë aktivistë dhe opozitarë.

Establishmenti ushtarak i udhëhequr nga gjenerali Ahmed Gaid Saleh, i cili ndërroi jetë javën e kaluar në moshën 79 vjeç pas një sulmi në zemër, arriti të shmangte një fazë kalimtare dhe duke u mbështetur në Kushtetutë mbajti zgjedhje presidenciale më 12 dhjetor.

Me dalje në zgjedhje prej 40 për qind, zgjedhjet rezultuan në fitore të Abdelmadjid Tebboune, i cili u zgjodh president me 58,15 për qind të votave.

Kryeministri Noureddine Bedoui ia deponoi dorëheqjen presidentit Tebboune, i cili i kërkoi ministrit të Punëve të Jashtme, Sabri Boukadoum, të jetë kryeministër i përkohshëm.

Mes viteve 1984 dhe 1991, Tebboune shërbeu si kryetar komune në Tiaret, Adrar, dhe Tizi Ouzou.

Tebboune, që nga shumë persona shihet si një nga simbolet e regjimit 3-dekadësh të Bouteflikas, gjatë fushatës së tij u zotua që të përmbushë kërkesat e protestuesve.

– Irak

Që nga fillimi i muajit tetor, Iraku ka qenë i përfshirë nga protestat masive shkaku i kushteve të vështira të jetesës dhe korrupsionit, duke detyruar kryeministrin Adel Abdul-Mahdi që të japë dorëheqje.

Sipas Komisionit të Lartë të Irakut për të Drejtat e Njeriut, të paktën 496 njerëz janë vrarë dhe rreth 17.000 të tjerë janë plagosur në protestat.

Protestuesit kërkonin largimin dhe llogaridhënien e të gjitha elitave politike që akuzohen për korrupsion, e të cilat janë në pushtet që nga rënia e regjimit të Saddam Husseinit në vitin 2003.

Pas dorëheqjes së Abdul-Mahdit, është ngritur një debat mes palëve politike rreth emërimit të kryeministrit të ri.

Të enjten, ligjvënësit irakienë refuzuan dorëheqjen e presidentit Barham Salih, i cili dëshironte të tërhiqet shkaku i presionit për të zgjedhur si kryeministër guvernatorin e provincës Basra, Asaad al-Eidani.

Al-Eidani, i cili u propozua nga shumica parlamentare Aleanca Al-Binaa, është propozimi i tretë për kryeministër që refuzohet nga protestuesit, pasi ai akuzohet se ka përgjegjësi për vrasjen e protestuesve në Basra.

Situata në Irak mbetet e paqartë dhe protestuesit janë të vendosur që të kenë një kryeministër të ri të pavarur i cili nuk varet nga qarqet aktuale politike.

– Liban

Për shumë vite, sektarizmi i ka dhënë formë Libanit, por protestat e fundit kundër vështirësive ekonomike kanë bërë bashkë libanezët nga fraksionet e ndryshme sektare dhe politike.

Protestat masive shpërthyen në Liban më 17 tetor kundër planeve qeveritare për të vendosur taksa për aplikacionin WhatsApp dhe shërbimeve tjera të mesazheve, ndërsa protestuesit shumë shpejtë adresuan edhe ankesat më të gjera.

Trazirat detyruan kryeministrin Saad Hariri që të japë dorëheqje shkaku i krizës më të vështirë ekonomike që nga lufta civile e viteve 1975-1990.

Pasi Hariri u tërhoq më 29 tetor, konsultimet parlamentare rezultuan që Hassan Diab të emërohet kryeministër i ri më 19 dhjetor.

Mirëpo, protestat vazhduan kundër politikave të Diabit dhe të Bankës Qendrore, ndërsa Hariri dhe zyrtarët tjerë bënin thirrje për t’u dhënë fund protestave.

Libani vuan nga papunësia e lartë, rritja e ngadaltë dhe një nga nivelet më të larta të borxhit në botë. Sipas Ministrisë së Financave të Libanit, në tremujorin e parë të vitit 2019 borxhi ka arritiur në 86,2 miliardë dollarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button