(INTERVISTË)Howitt: Nëse do Maqedonia dhe Greqia emri zgjidhet brenda natës!

Duhet të arrihet një kompromis i vështirë mes Maqedonisë dhe Greqisë ndërsa kjo mund të bëhet brenda natës nëse ekziston vullnet politik nga të dyja palët. Kështu shprehet raportuesi në Parlamentin Evropian për Maqedoninë Richard Howitt, në një intervistë ekskluzive për Portalb.

Intervistoi: Elida Zylbeari

PORTALB: Gjatë vizitës tuaj në Maqedoni zhvilluat takime me kreun shtetëror, opozitën si dhe përfaqësuesit e sektorit civil. Çfarë ju thanë?

R.HOWITT: Kam zhvilluar takime me të gjithë, me Gruevskin, Cërvenkovskin me përfaqësuesit e organizatave joqeveritare me bashkësi të ndryshme të minoriteteve, me studentë, thjeshtë thuajse me të gjithë. Së bashku kemi ndarë brengosjet e njëjta sa i përket progresit të Maqedonisë kundrejt anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian (BE). Unë dua të merret data, kemi një moment krucial në muajin dhjetor kur mund të marrim një vendim pozitiv, diskutuam çështjet në lidhje më këtë si dhe hapat e mëtejshme që duhet të ndërmerren.

PORTALB: Maqedonia tre vite me radhë merr rekomandimin për datë, por jo dhe datën, pse mendoni se e njëjta nuk do të përsëritet edhe këtë vit? Pse ky vit është ndryshe?

R.HOWITT:  Po është e saktë se nuk ka marrë datë në mbledhjen e ministrave të Bashkimit Evropian. Por këtë vit me mbështetjen time të plotë dhe më pas të Parlamentit Evropian (PE) , Komisioni Evropian (KE)  shkoi një hap më tej duke theksuar se negociatat duhet të hapen dhe çështja e emrit të zgjidhet në fazën e hershme të bisedimeve. Kjo është iniciativë e re e Komisionit Evropian, zhvillojmë diskutime intensive me komisarin Shtefan Fyle, anëtarët e tjerë të BE-së dhe shpresoj dhe besoj që është e mundur. Nuk e parashikoj, nuk them se do të ndodhë definitivisht por besoj që është e mundur dhe bëj çmos për ta arritur këtë.

PORTALB: Thatë se bisedoni me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ndër to është edhe Greqia. Cili është disponimi i saj në lidhje me këtë qasje të re të KE-së për çështjen e emrit? 

R.HOWITT: Normalisht që nuk do ti shpalos publikisht bisedat e mia me grekët, por edhe me vendet tjera anëtare sepse dua të kemi një rezultat pozitiv ndërsa negociatat private janë të domosdoshme për ta arritur këtë. Nuk besoj se Komisari Fyle do të kishte ndërmarrë një iniciativë të tillë nëse ai nuk do të besonte se do të arrinte sukses. Puna ime nuk është të gjykoj sa do të del e suksesshme ajo por thjeshtë të ndihmoj në realizimin e iniciativës.

PORTALB: Shkurtë, thjeshtë. A mundet Maqedonia të fillojë bisedimet dhe më pas të zgjidh çështjen e emrit?

R.HOWITT:
 Duhet të arrihet një kompromis i vështirë nga të dyja anët. Me gjasë, me vullnet politik nga të dyja palët do të duhej vetëm një ditë për të arritur deri te zgjidhja. Problemi është se edhe Greqia edhe Maqedonia duhet të bëjnë një kapërcim të vështirë, ndërsa zgjidhje e pranueshme dhe e drejtë për të dy anët duhet të gjendet. 

PORTALB: A jeni takuar me mediatorin Nimetz? Cili është qëndrimi i Kombeve të Bashkuara të cilat me vite ndërmjetësojnë kontestin e emrit, në lidhje me, të themi, marrjen e timonit “në duar të veta”  tani nga ana e komisionit Evropian për këtë çështje?

R.HOWITT:  Nuk jam takuar personalisht me z.Nimetz, por kam pasur takime me përfaqësuesit e KB-së për të diskutuar procesin. Shpresoj se populli i Maqedonisë do ta ketë parasysh faktin që kam qenë në Athinë, kam folur edhe me komunitetin bullgar këtu, njashtu dhe Komisari Fyle ka qenë në Athinë dhe Sofje, domethënë është duke u zhvilluar një proces diplomatik shumë aktiv nga gjithë ne për të arritur sukses. 

PORTALB: Kur jemi te Bullgaria, e dimë ministri i jashtëm Mlladenov  ngriti çështjen e falsifikimit të historisë nga Maqedonia para vendeve të BE-së. Mendoni se Bullgaria do të jetë një Greqi e dytë për Maqedoninë?

R.HOWITT:  Çështje të hapura bilaterale kanë pasur edhe vendet tjera kandidate apo anëtare në BE. Shikoni për shembull vendin tim, Britaninë me Irlandën apo thjeshtë Francën me Gjermaninë. Por ne i kemi tejkaluar këto barriera historike. Këtu në Ballkan është ndryshe, dhe them se nuk është lehtë të përsëritet e njëjta formulë. Por duhet mësuar leksioni nga historia, që dallimet në të kaluarën duhet të lihen në të kaluarën dhe nëse shohim përpara mund ta kemi më lehtë ti tejkalojmë këto dallime. Marrëdhëniet e mira të Maqedonisë me fqinjët janë një pjesë shumë e rëndësishme e procesit aderues në BE dhe besoj që këtë e keni kuptuar. Nuk dua ta drejtoj gishtin nga një shtet të vetëm duke e quajtur atë si fajtore sepse kjo nuk ndihmon dhe negative.

PORTALB: Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë, disa sfera kyçe në të cilat vendi ka probleme ( mediet, administrata, korrupsioni, të drejtat e njeriut ) si duket shikohen më sipërfaqësisht dhe nuk theksohen aq shumë ngecjet sikurse në disa raporte të tjera ndërkombëtare, të Departamentit Amerikan për shembull . A e bën këtë KE-ja me qëllim, të themi “shikon nëpër gishta” problemet e vendit vetëm për ti dhënë asaj vullnet për të vazhduar përpara?

R.HOWITT:  Raporti i sivjetshëm nuk përmban asgjë tjetër përpos situatës reale dhe është serioz duke identifikuar hapat e mëtejmë që duhet përmbushur në procesin e reformave, është kritik por përmban kritika konstruktive. Aty janë të shënuara qëndrimet e Komisionit Evropian dhe ky është edhe qëndrimi të cilin unë e mbështes dhe do ta prezantoj në raportin tim të radhës që do ta prezantoj për votim para Parlamentit Evropian. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button