Më shumë hyrje ilegale se dëbime nga Gjermania, shqiptarët të katërtit në listë

Shqetësim në Gjermani për hyrjet ilegale në vend përmes aeroporteve. Shqiptarët renditen të katërtit në listën e hyrjeve pa leje. Në 2019-n numri i hyrjeve ilegale ka qenë më i madh se ai i dëbimeve nga Gjermania, shkruan Dojçe Vele.

Sipas raportimeve të grupit mediatik gjerman, “Funke Mediengruppe” numri i hyrjeve të palejuara në Gjermani krahasuar me atë të dëbimeve ka qenë më i lartë. Nga janari në tetor 2019 autoritetet gjermane kanë regjistruar afër 21.000 dëbime nga Gjermania, 1000 vetë më pak, se vitin e kaluar. Kundrejt kësaj shifre qëndrojnë afër 33.000 hyrje ilegale në Gjermani në këtë vit. Vetëm në nëntor policia federale ka regjistruar afër 3.700 hyrje ilegale. Megjithatë parë në tërësi, gjatë këtij viti numri i hyrjeve ilegale ka shënuar një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë.

Sipas Policisë Federale gjermane personat që hyjnë ilegalisht në Gjermani në tre tremujorët e parë të këtij viti vijnë kryesisht përmes aeroporteve, 9.183 vetë. Ky mbetet problemi i vazhdueshëm i pazgjidhur i Gjermanisë. Pas kalimit të kufirit, hyrjes në Gjermani dëbimi i tyre bëhet shpesh shumë i vështirë, për shkak të pretendimeve ligjore që ngrihen sipas rastit, vërejnë mediat gjermane. Por edhe përmes kufirit gjermano-austriak hyjnë pa leje mjaft persona në Gjermani, 8.344 këtë vit, si edhe përmes kufirit gjermano-çek.

Sipas të dhënave të autoriteteve shumica e personave që hyjnë pa leje vijnë nga Afganistani (2.399), nga Nigeria (2.133), Turqia (1.721), Shqipëria(1.682) dhe Iraku (1.651).

Policia Federale gjermane flet për “një stanjacion të shifrave të kthimit” për personat pa të drejtë qëndrimi dhe përmend si arsye një “masë të madhe” të dëbimeve të pezulluara nga landet. Presidenti i Policisë Federale, Dieter Romann kritikoi po ashtu se landet ofrojnë një numër të vogël vendesh burgimi për personat që duhen dëbuar. “Matur me shifrën e 248.000 personave nga shtete të treta që duhen dëbuar, 577 vende burgimi që kanë landet janë shumë pak.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button