LSDM-ja zyrtarisht publikoi kryeministrin teknik, Oliver Spasovski

Zoran Zaev, kryetari i LSDM-së dhe kryeministri në largim sot konfirmoi se tashmë Ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski është kandidati i LSDM-së për kryeministër teknik, transmeton Portalb.mk.

Gjithashtu, Zaev informoi se në vend të Koço Angjushevit, në pozitën e zv.kryeministrit për çështje ekonomike do të jetë tashmë Ministrja e punës dhe politikës sociale, Mila Carovska.

Zv.ministri i punëve të brendshme nga radhët e LSDM-së do të jetë Slavjanka Petrovska, ndërsa në punë dhe politikë sociale zv.ministre do të jetë Sanella Shkrijel.

Gjithashtu Zaev deklaroi se nesër në takimin e liderëve do të kërkon përsëri ndryshim të modelit zgjedhor në një njësi zgjedhore.

Përndryshe, nesër, liderët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski do të takohen dhe do të diskutojnë për qeverinë teknike. Fillimisht do të takohen Zaev dhe Mickoski, në ora 17:00 në ndërtesën e Qeverisë, ndërkaq në ora 19:30, tani për tani në lokacion të panjohur do të takohen edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti dhe Mickoski.

Në takime do të diskutohet për detajet e formimit të qeverisë teknike dhe për zgjidhjet kadrovike. Sipas marrëveshjes nga takimi i fundit i liderëve, më 3 janar duhet që të formohet qeveri e re teknike, sipas parimeve të Marrëveshjes së Përzhinës, ndërkaq zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet që të mbahen më 12 prill të këtij viti.

Sipas Marrëveshjes, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale do të udhëhiqen nga ministrat teknikë të opozitës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button