PËRÇAJ E SUNDO!

Në një shkrim të botuar para 120 vitesh në revistën enciklopedike Albania, Konica shkroi: Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm, një fataliteti të dhimbshëm që rri pezull mbi këtë popull të mjerë. Mjerisht, kishte të drejtë, sepse ne vazhdojmë të jemi lodër mashtrimesh të kushtueshme që e vrasin edhe optimizmin për të ardhmen.

Fatalitet i dhimbshëm duket se është dhe projekti i Mini Shengenit Ballkanik, të cilin dikush përpiqet ta zbatojë ngutas në praktikë, pas qëndrimit të prerë të presidentit francez Emanuel Macron për mospranimin e nisjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për inkuadrim në BE.

Këmbëngulësinë e Macron-it shumëkush e lidh me tendencën e futjes së dy shteteve të brishta ballkanike në kthetrat e Rusisë putiniste, që, mund të realizohet vetëm nëpërmjet vëllait të saj të vogël – Serbisë, në rrjetën e së cilës krieministri Rama po i ngatërron bashkëkombasit pa i pyetur fare.

Ndryshe, përse do ta braktiste papritmas diskursin e atdhetarit, që deri dje klithte për bashkim kombëtar, kurse sot kacagjelohet me liderët e Kosovës dhe bëhet përkrahësi më i devotshëm i një projekti që i përshtatet më shumë se gjithë të tjerëve Serbisë.

T’u kthehemi pak deklaratave pompoze të kryeministrit për ta kuptuar metamorfozën e tij nga militanti i bashkimit të trojeve shqiptare në të dyshuarin për esadtoptanizëm, duke u ndalur kryesisht në fluskat e lansuara në takimet e qeverive të dy shteteve shqiptare: Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

Po e nisim me takimin e parë të gjetobashomujëve shqiptarë, të mbajtur në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit më 11 janar 2014, ku, mes tjerash, u fol për rajonin pa kufij.

Një vit më pas (23 mars 2015), kur dy qeveritë shqiptare u takuan në Tiranë, shpërtheu atdhetaria, me moton: Një tokë, një popull, një ëndërr…

Ky log epik kryeqeveritarësh u përsërit shpesh, për të kulmuar më 15 janar 2019, me rastin e hapjes së pikës doganore të Kosovës në Durrës, kur kryeministri Rama thumboi propagandën antishqiptare të diplomacisë, Akademisë dhe Kishës Ortodokse Serbe, që na akuzon prej shekujsh për makthin e quajtur kastile “Shqipëri e madhe”. Me këtë rast Rama tha: “Shqipëria e madhe është sajesë e armiqëve të shqiptarëve. Nuk ka Shqipëri të madhe, ka një komb shqiptar që ka të drejtën e vet ta shoh veten në një sistem bashkëjetese. Nëse duan, le ta vazhdojnë këtë diskutim. Ëndrra jonë është publike nuk është e fshehtë dhe ne i besojmë shumë kësaj ëndrre për bashkimin e Shqipërisë, që do të realizohet herët a vonë”.

Kjo deklaratë bëri bujë të madhe, ndaj kryeministri, prej një numri shqiptarësh u shpall hero. Kjo, sepse askujt s’i shkonte mendja se beteja e tij për bashkimin e shqiptarëve ishte vetëm një profkë, që pas disa muajsh u zëvendësua me Mini Shengenin, nëpërmjet të cilit Serbia, që nuk i pranon krimet e Millosheviqit tebdiloset në shtet demokratik, dora e djathtë e Kasapit të Ballkanit – Vuçiqi vesh kostumin e liderit paqedashës, kurse ëndrra serbe për dalje në Adriatik bëhet e mundshme edhe në shekullin kur shqiptarët i kanë dy shtete. Dhe, që fataliteti i dhimbshëm të jetë zhgjëndërr lemeritëse, kryeministri Rama akuzon para botës Kosovën jokooperative me vendet fqinje, e cila qenka vetëpërjashtuar nga projekti i Jugosllavisë së re, të pagëzuar me eufemizmin Mini Shengen. Ai e përsëriti këtë akuzë në takimet e shengenistëve në Ohër (11 nëntor 2019) edhe në Durrës (21 dhjetor 2019), pa çarë kokën se kësisoj shtetin e ri të Kosovës po e shndërron në dele të zezë ballkanike.

Tani më Rama nuk i gjen në Kosovë vëllezërit e idealeve, po te milladinpopoviqët e rinj me kostume vuçiqësh, që e lavdërojnë kryeministrin shqiptar për zellin e treguar në zbatimin praktik të sajesës Mini Shengen. Vuçiqi me një frazë të vetme e lavdëron Ramën, e denoncon Kosovën dhe e lanë Serbinë nga gjenocidet. Lexojeni dhe binduni vetë, është apo s’është kështu: “Kryeministri Rama është në favor të bashkëpunimit tonë ekonomik, ndryshe nga disa të tjerë në rajon që këmbëngulin se ne duhet vetëm të kërkojmë ndjesë pasi jemi popull gjenocidal. Rama, për nismën e Shengenit të vogël, ka treguar kurajë të rrallë”.

Por, ta lëmë këtë për një moment dhe të shohim a është vërtet Mini Shengeni në favor të bashkëpunimit ekonomik të vendeve të Ballkanit të mbetura jashtë oborrit të BE? Si mund të realizohen favoret, që përmenden më së shpeshti në takimet e shengenistëve (afrimi i vendeve të Ballkanit drejt BE, tregu i përbashkët, heqja e kontrolleve kufitare, lëvizja e lirë e njerëzve, lufta e përbashkët kundër krimit të organizuar, njohja e ndërsjellë e diplomave në gjithë rajonin…), kur Kosova realisht nuk mund të futet në një bashkësie shtetesh, që ka në qendër Serbinë, e cila e mohon shtetësinë e saj. Si mund ta ndërtojë Kosova ardhmërinë në një bashkësi shtetesh me Serbinë, kur ajo nuk është distancuar akoma nga krimet millosheviqjane të bëra ndaj saj; kur, nëpërmjet presidentit Vuçiq, mohon masakrat serbe në Reçak e gjetiu; mohon dhunimet shtazarake të mijëra femrave shqiptare; nuk përfill klithmat e nënave shqiptare, bijtë dhe bijat e të cilave kalben në varrezat masive gjithandej nëpër Serbi; nuk e pranon shtetësinë e Kosovës, që lobon me para që shtetet të cilat e kanë pranuar pavarësinë e saj t’i anulojnë ato vendime (gjer më tani ajo ka bindur afër 15 shtete që t’i tërhjekin vendimet paraprake për njohjen e shtetit të Kosovës); militarizohet me armatimet më të sofistikuara ruse; kanoset se do ta bëjë sërish me luftë Kosovën Serbi; e njeh vetëm tregun e Kosovës të hapur për mallrat serbe, po nuk e hap tregun e saj për mallrat e Kosovës; angazhohet pro forma për njohjen e ndërsjellë të diplomave në gjithë rajonin, po nuk i pranon as diplomat e studentëve të Luginës, të cilët studiojnë në universitetet e Republikës së Kosovës etj., etj.

Këto janë vetëm disa prej shkaqeve që na bëjnë të jemi kundër Mini Shengenit, sepse me këtë projekt synohet kompensimi i mospranimit të shteteve të korruptuara ballkanike në gjirin e BE, aty ku duhet ta kenë realisht vendin; sepse ky projekt favorizon Serbinë me shpresën e kotë se ajo do të largohet dalëngadalë nga ndikimi rus; sepse, në rrethanat e sipërpërmendura, Kosova nuk ka asnjë mundësi për të qenë subjekt i barabartë i një bashkësie shtetesh ku valles i prinë Serbia e mendësisë garashaniniste; sepse shteti Amë i gjithë shqiptarëve, para se të shëndoshë dashurinë dhe vëllazërinë mes bijve të saj, lidhi vëllamëri me ata që ia tkurrin shtatin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button