Lëvizja “Anti Bixhoz” paralajmëroi padëgjueshmëri qytetare dhe bllokim të rrugëve (VIDEO)

Do të shkojmë në padëgjueshmëri qytetare, bllokim të rrugëve si dhe protesta masive në qoftë se ky pushtet vazhdon t’i injoroje kërkesat tona, thanë sot nga Lëvizja “Anti Bixhoz”. Edhe pse individualisht secili politikan ka shprehur përkrahje për kërkesat e tyre, në realitet kjo nuk jep rezultate për arsye se sipas tyre, ky pushtet nuk është i angazhuar seriozisht në zgjidhjen e kësaj problematike, shkruan Portalb.mk.

Sipas kësaj Lëvizje, edhe pse shpesh here është premtuar dislokimi i kazinove si dhe kryeministri vet është shprehur i shqetësuar për situatën aktuale, sidoqoftë asgjë nuk është ndërmarrë në këtë drejtim, ngaqë sipas tyre ky pushtet nuk është i gatshëm të merret seriozisht me këtë problematikë.

“Individualisht të gjithë politikanët kanë shprehur përkrahje për kërkesat e Lëvizjes Anti Bixhoz, por realiteti është diçka tjetër për arsye se pushteti luan me dy karta dhe dukshëm nuk është e angazhuar seriozisht në zgjidhjen e kësaj problematike. Është premtuar dislokim i kazinove dhe bastoreve, gjithashtu edhe kryeministri potencoi se diçka duhet bërë për arsye se sipas tij situata është alarmante. Mirëpo, asgjë nuk është bërë. Zëvëndës kryeministri nuk u prononcua për dhënien e lejeve për zinxhirin e krijuar të bastoreve “Max Bet”. Bëjmë thirrje kompetenteve që sa më shpejtë ta shpëtojnë popullin nga kjo e keqe dhe të sjellin ligjin për dislokimin 3 kilometra larg vendbanimeve, deri atëherë të respektohet ligji ekzistues sepse vetëm në këtë mënyrë mund të anëtarësohemi në Unionin Evropian” thanë nga Lëvizja “Anti Bixhoz”.

Në qoftë se kërkesat e tyre vazhdojnë të hasin në vesh të shurdhër, ata paralajmërojnë masa më radikale me anë të së cilave do të përpiqen t’i bindin kompetentët për të ndërmarrë masa.

“Plani i ardhshëm është padëgjueshmëria qytetare dhe pas kësaj planifikojmë protesta masive në kryeqytet. Ne provuam çdo mënyrë, do të tentojmë përsëri mirëpo në qoftë se kërkesat tona vazhdojnë të hasin në vesh të shurdhër, ne më nuk do të heshtim, do ti bllokojmë rrugët e do të ndërmarrim masa tjera më radikale” deklaruan nga Lëvizja “Anti Bixhoz”.

Ndryshe, nga kjo Lëvizje disa here me radhë kanë organizuar protesta si dhe fushata vetëdijesuese në këtë drejtim. Ata kanë zhvilluar takime me të gjithë kryetarët e partive politike nga ana e të cilëve edhe kanë marrë premtimin se ky problem do të zgjidhet shumë shpejt, dhe se ligji për dislokimin e kazinove 3km larg vendbanimeve do të miratohet në parlament.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button