Viti që po shkon

Viti 2019 do të mbahet mend për Maqedoninë e Veriut si viti i protokolleve të NATO-s. Edhe pse procedura e anëtarësimit të plotë duhet të mbarojë gjatë vitit në vijim, sërish, ishte pikërisht viti 2019 kur kryeministri Zaev u ul në tavolinën e liderëve të mëdhenj botërorë në takimin e paktit më të madh dhe më afatgjatë ushtarak që garanton stabilitetin veriatlantik. Flamuri i këtij shteti u valëvit krahas atij të Shqipërisë dhe flamujve të vendeve tjera anëtare të këtij pakti. Dhe e gjithë kjo ndodhi para se të kompletohet anëtarësimi formal në këtë organizatë.

Metëvërtetë është shokuese lehtësia me të cilën anashkalohet kjo informatë. Sikur të ishte diçka e përditshme, fakt fare pak i rëndësishëm ky anëtarësim që së shpejti do të ndodhë. Sikur të ishte kjo diçka që vetvetiu apo automatikisht duhej të ndodhte. Për më tepër, edhe vetë qeveria nuk e proklamon këtë fakt si ndonjë arritje të madhe, nuk e nxjerr maksimumin e efektit të marrëdhënies me publikun lidhur me ngjarjen më të rëndësishme historike të këtij shteti për dekadën e fundit. Shumë njerëzve u duket kjo si një punë jo fort e madhe.

Do ishte mire të rikujtohemi se për më tepër se një dekadë, nga samiti i NATO-s i vitit 2008, anëtarësimi ynë në këtë organizatë ishte gjë tërësisht e paimagjinueshme duke pasur parasysh të gjithë ato pengesa që dukeshin të patejkalueshme për vite me rradhë. E megjithatë, pengesat u tejkaluan dhe ja ku jemi, më afër NATO-s se kurrë më parë, e megjithatë, ne kemi një vit që vajtojmë pse nuk arrijmë të marrim date për fillimin e negociatave me BE-në e askush nuk flet për suksesin e anëtarësimit në NATO.

Pse duhet detyrimisht çdo here të jemi të zhgënjyer për shkak se nuk kemi diçka ndërsa nuk arrijmë të gëzohemi e as edhe të përshëndesim faktin që kemi në dorë diçka të vyer, diçka tepër të vlefshme? Ndoshta gjatë vitit 2020 do të mësojmë të gëzohemi për sukseset e arritura dhe të punojmë edhe më tepër për t’i realizuar edhe ambiciet e mëtejshme.

Viti 2019 do të mbahet mend edhe për zgjedhjet presidenciale. Zgjedhje këto kur më në fund, përsëri pas një dekade fituam një president normal, pas një abnormaliteti dhjetëvjeçar. Zgjodhëm një president i cili për asnjë moment nuk u tundua për të gjetur mënyra inekszistente për të falur dikë që mund të ishte heroina jonë e deridjeshme. Për asnjë moment nuk u mendua t’i tejkalojë kompetencat e veta dhe të bëjë një akt nga i cili do të pamundësohej vendosja e drejtësisë.

Përkundrazi, disa here radhazi ai thirri publikisht pikërisht në vendosje të asaj drejtësie dhe në bartje të përgjegjësisë për akuza për kriminalitet. E di që mund të thoni që kjo është diçka normale, se një president kështu duhet të sillet, por unë ju rikujtoj që vite me rradhë kishim president sjellja e të cilit ishte në vazhdimësi jo vetëm anormale por edhe kriminale. Është mirë herë pas here të kujtohemi se ku ishim gjatë dekadës së kaluar, kur opozita tërhiqeshe zvarrë nga Kuvendi, kur gjatë zgjedhjeve i jepej vrull retorikës fashiste, kur pas zgjedhjeve flitej për netët e kristalta të thikave të gjata, dhe kur ndryshimi i pushtetit ballafaqohej grusht shtet terrorist.

Por viti 2019 do të mbahet mend edhe për rastin “Shantazhi” ku ajo që duhet të ishte shpresa e vendosjes së drejtësisë përfundoi në bankën e të akuzuarit, e akuzuar pikërisht për korrupsion. Ishte ky një grusht i madh ndaj idesë për të pasur përgjegjësi penale për të gjithë ata që shkelën ligjin, shkeljet e të cilëve u harruan, u vjetërsuan dhe u bënë më pak interesante në krahasim me lajmin e viti ku prokurorja përfundoi e akuzuar për kriminalitet.

Drejtësia mbetet dëshirë e paplotësuar e këtij viti dhe e kësaj dekade. Vendosja e përgjegjësisë penale momentalisht duket po aq e pamundur sa që dukej hyrja në NATO dhjetë vjet më parë. Është koha që kjo të ndryshojë. Është koha që drejtësia përfundimisht të bëhet prioritet. Sepse drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button