Tetovë: Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së e lëshuan seancën e këshillit, shkak ndryshimi i emrit të shtetit

Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së në Komunën e Tetovës nuk morën mbështetjen e asnjë partie tjetër sot në mbledhjen e këshillit për të tërhequr pikën e rendit të ditës e cila parashihte ndryshimin dhe plotësimin e statutit të Komunë së Tetovës, gjegjësisht ndryshimin e emrit të shtetit në dokumentet e kësaj komune. Si pasojë, këshilltarët e kësaj partie në mënyrë demonstrative e lëshuan seancën e 27-të të Këshillit. Për kryetaren Arifi, ky gjest nuk ju ndihmon qytetarëve dhe është për qëllime politike, shkruan Portalb.mk.

Ende pa u shqyrtuar asnjë nga pikat e rendit të ditës, këshilltari Aleksandar Veljanovski kërkoi fjalën, në të cilën vendosi ultimatum për atë se në qoftë se nuk tërhiqet pika e cila parashihte ndryshimin e statutit të Komunës së Tetovës, gjegjësisht ndryshimin e emrit të shtetit në dokumentet e kësaj komune, këshilltarët nga radhët e VMRO-DPMNE do ta lëshojnë seancën.

Sipas këshilltarit Veljanovski, partia e tij do t’i merr parasysh obligimet që vijnë nga Marrëveshja e Prespës atëherë kur vendi do të marrë datë për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian.

“Kërkojmë tërheqjen e kësaj pike të rendit të ditës, Marrëveshja e Prespës për ne si parti është e papranueshme, ne do të marrim obligime vetëm atëherë kur do të marrim datën për fillim të negociatave me BE-në. Republika e Maqedonisë nuk e morri datën, e as nuk është ende anëtare e NATO, andaj ne si këshilltarë të VMRO-së nuk shohim arsye të bëjmë këtë ndryshim të emrit. Qytetarët e Tetovës votuan për projekte konkrete, për ajër dhe rruga të pastërta, salla sporti e parqe e jo për ndryshimin e emrit të shtetit nga ana e këshillit të komunës” theksoi Aleksandar Veljanovski.

Nga ana tjetër, për kryetaren e Komunës së Tetovës ky veprim është për qëllime politike dhe se nuk ju ndihmon qytetarëve.

“Me Marrëveshjen e Prespës janë sjellë vendime shumë të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët e vendit, si rezultat i vendimeve të kësaj marrëveshje, ne jemi në përfundim të aprovimit të protokollit për anëtarësim në NATO. Të gjitha tendencat në nivele lokale ku diskutohen politikat lokale të përdoren për qëllime politike, nuk janë të pëlqyeshme dhe nuk ju ndihmon qytetarëve”  tha Teuta Arifi.

Marrëveshja e Prespës e arritur më 17 Qershor 2018 ndërmjet Shkupit dhe Athinës, pas negociatave disa dekadash çoi në ndërrimin të emrit të Maqedonisë, në Maqedonia e Veriut.

Kjo i mundësoi vendit tonë anëtarësimin në NATO, proces i cili është në fazën e ratifikimit të protokollit nga vendet anëtarë. Deri më tani 17 vende kanë dhënë dritë jeshile dhe kanë mbetur 12 tjera për të miratuar faktin që Maqedonia e Veriut të bëhet shteti i 30-të në Aleancën Veri-Atlantike. Ndërsa edhe përskaj pritshmërive, në qershor nuk morëm datë për hapjen e bisedimeve për integrim në BE, proces për të cilin Këshilli Evropian, siç shpreson Qeveria, duhet të japë dritë jeshile në tetor të këtij viti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button