LSDM pro-kufizimit të fjalimeve për ‘branitellat’

Komisioni parlamentar për punë dhe politikë sociale, ku po debatohet propozim/ligji për branitellat, nesër do të vazhdojë punën e tij, pas ndërprerjes disa ditore, për shkak të keqinterpretimeve procedurale që u bënë pas kërkesës së deputetëve të VMRO DPMNE-së për shkurtimin e diskutimeve të anëtarëve të komisionit. Kryetarja e këtij trupi punues Cvetanka Ivanova nga LSDM-ja, tha sot se partia që ajo përfaqëson i mbështet të gjitha propozimet e VMRO DPMNE-së, përfshirë edhe kërkesat e fundit për shkurtimin e fjalimit të deputetëve.

“Të gjitha propozimet që do të vijnë nga deputetë, do të vihen në votim; veçanërisht ai i VMRO-DPMNE-së për kufizimin e diskutimeve për të cilat LSDM-ja ka marrë qëndrim të qartë, pra mbështesim që në këtë seancë, për këtë pikë – kufizimin e diskutimeve, dhe e gjithë kjo, në interes të miratimit efikas dhe të shpejtë të ligjit për ‘branitellat’, tha Cvetanka Ivanova, kryetare e Komisionit për punë dhe politikë sociale

Deputeti i VMRO DPMNE-së Aleksandër Nikollovski tha se pret që mbështetja e LSDM-së të japë rezultate në seancën e nesërme të komisionit. Ai theksoi se VMRO DPMNE po shqyrton të gjitha mundësitë e rregullores për përshpejtimin e punës së Komisionit, që ligji të kalojë sa më shpejtë në seancë plenare.

“Dëshiroj të theksoj se VMRO-DPMNE përmes deputetit Vele Gjeorgjeievski, e ka dërguar tashmë propozimin, i cili duhej të vihej në votim, për kufizimin e diskutimeve në 10 minuta, replikat në 3 minuta dhe kundër replikat në 1 minutë, me të drejtë paraqitjeje vetëm një herë nga ana e deputetëve,  që është praktikë edhe në kuadër të seancave plenare të parlamentit të Maqedonisë’, tha Aleksandër Nikollovski, deputet i VMRO DPMNE-së

Për BDI-në, e cila për këtë çështje kërkoi mendim nga komisioni për çështje të rregullores, kjo tentativë e partive maqedonase është tendencë për të cunguar lirinë e shprehjes. Ne do të marrim pjesë në seancën e nesërme ashtu siç kemi marrë pjesë në të gjitha seancat që kanë të bëjnë me ligjin për të ashtuquajturit mbrojtës të integritetit të Maqedonisë, deklaroi Devaja.

“Jemi të vetëdijshëm se ka tendencë për të suspenduar demokracinë duke suspenduar të drejtën e shprehjes, ashtu siç ka paralajmëruar kryetari jonë disa herë sot e ritheksojmë qëndrimin tonë se, marrja apo suspendimi i së drejtës për tu shprehur në parlament është paralajmërim për suspendim të demokracisë në vend. Shërbimet kuvendore, mund të mendojmë forma më të ndryshme dhe më kreative për të grupuar amendamentet si taktikë për të shkurtuar diskutimet megjithatë ne jemi të përgatitur për gjitha këto sfida”, tha Ermira Mehmeti Devaja, deputete e BDI-së.

Nga BDI paralajmërojnë se nuk përjashtojnë mundësinë që të përdorin edhe komitetin për marrëdhënie mes bashkësive ndëretnike për të parandaluar miratimin eventual të projekt ligjit të branitellave.

Puna e deritanishme e komisionit për punë dhe politikë sociale u ndërpre për shkak se propozuesit e ligjit për branitellat, deputetët e VMRO DPMNE-së kërkuan shkurtimin e fjalimeve të deputetëve, dhe BDI-ja e çoi çështjen për mendim tek Komisioni për çështje të rregullores. /alsat-m/ /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button