Të shtunën takohen Zaev, Mickoski dhe Ahmeti për të diskutuar për qeverinë teknike

Liderët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski do të takohen të shtunën dhe do të diskutojnë për qeverinë teknike. Fillimisht do të takohen Zaev dhe Mickoski, në ora 17:00 në ndërtesën e Qeverisë, ndërkaq në ora 19:30, tani për tani në lokacion të panjohur do të takohen edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Këto informata i kanë konfirmuar nga shtabi i VMRO-DPMNE-së, njofton Portalb.mk.

Në takime do të diskutohet për detajet e formimit të qeverisë teknike dhe për zgjidhjet kadrovike. Sipas marrëveshjes nga takimi i fundit i liderëve, më 3 janar duhet që të formohet qeveri e re teknike, sipas parimeve të Marrëveshjes së Përzhinës, ndërkaq zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet që të mbahen më 12 prill të këtij viti.

Megjithatë, kryeministri aktual, Zoran Zaev, i cili sipas marrëveshjes duhet të japë dorëheqje dhe në vend të tij në qeverinë teknike të ulet një funksionar i LSDM-së, ka deklaruar se nuk do të ketë qeveri teknike, gjegjësisht zgjedhje nëse VMRO-DPMNE-ja nuk e zhbllokon procesin e miratimit të ligjeve në Kuvend.

“Unë jam i pari që t’i respektojmë të gjitha procedurat. Por, nëse lejohet opozita që në mënyrë të dukshme në Kuvend t’i bllokojë ligjet për realizimin e projekteve shtetërore që janë për qytetarët, atëherë ka arsye serioze që LSDM t’i anulojë zgjedhjet. Unë jam i pari i cili e respekton dialogun, por nuk kam qëllim që të jap dorëheqje nëse dikush i bllokon proceset. Nuk do të lejoj që dikush të bëjë obstruksione për disa zgjidhje ligjore. E drejta e diskutimit ekziston, por e drejta e qëllimit për bllokim të proceseve nuk është e lejueshme”, tha Zaev.

Sipas Marrëveshjes, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale do të udhëhiqen nga ministrat teknikë të opozitës.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button