(Video) Arrestohen disa kumanovarë për trafikim njerëzish

Një grup i organizuar ka trafikuar persona ilegalë nga Afganistani dhe Pakistani të cilët përmes Greqisë dhe Maqedonisë përfundonin në vendet e Evropës Perëndimore. Grupi në fjalë ka trafikuar 60 ilegalë, por gjatë transportit të fundit janë zbuluar.

Qendra për shkatërrimin e kriminalitetit të organizuar – Njësia për tregti me njerëz dhe trafikim të migrantëve, pas zbatimit të hetimit njëmujor ngriti kallëzim penal kundër 14 personave.

“Ata ngarkohen për trafikim të migrantëve me prejardhje nga Lindja e Afërt dhe e Largët, si dhe nga vendet e Afrikës, të cilët nga Greqia fqinjë ilegalisht kanë hyrë në territorin e Maqedonisë. Prej këtu janë transportuar deri te fshatrat e rajonit të Likovës për trafikimin e mëtejshëm të tyre përmes territorit të Serbisë dhe Hungarisë drejt ndonjë vendi të Evropës Perëndimore”, theksojnë në MPB.

Të gjithë 14 të dyshuarit janë shtetas të Maqedonisë nga Kumanova të moshës prej 24 deri 55 vjeç. Ata gjatë muajit të kaluar dhe këtij muaji kanë marrë migrantët, kryesisht nga Afganistani, Pakistani dhe vendet arabe, në rajonin e Gjevgjelisë prej ku me automjete janë transportuar përmes Strumicës, Shtipit, Shën Nikolit deri në fshatrat e rajonit të Likovës, për trafikimin e tyre të mëtejshëm drejt Serbisë. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button