U kërcënua Shpend Ahmeti, u arrestua i dyshuari

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, nuk e ka nisur edhe aq mirë javën.

Të hënën ai është kërcënuar nëpërmjet një mesazhi telefonik nga një person me inicialet Sh.N.

Nuk dihet arsyeja pse personi në fjalë e ka kërcënuar kreun e Prishtinës.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës nëpërmjet zëdhënëses për rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti.

Ajo tha se personi në fjalë sot është paraqitur dhe me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.

“Personi i dyshuar për rastin e kanosjes qe ka ndodhur dje, pasi që ka pranuar thirrjen zyrtare nga ana e policisë, sot është paraqitur në polici dhe ndaj tij kanë përfunduar procedurat policore. Personi i dyshuar Sh.N. me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka theksuar Ahmeti.

Klan Kosova ka kontaktuar me asistentin e Ahmetit, Nezir Ismailin, për të marrë detaje lidhur me rastin.
Ismaili tha se për rastin duhet t’i drejtohemi policisë.

“Për rastin drejtohuni policisë. Ashtu e kemi bërë që detajet lidhur me rastin t’i jep policia”- tha Ismaili.

Edhe në raportin 24 orësh të Policisë është bërë i ditur rasti.

“Ankuesi mashkull K/Shqiptar, ka raportuar se një i dyshuar mashkull K/Shqiptar ka hyrë në objekt dhe duke e ofenduar verbalisht ka kërkuar takim me Kryetarin e Komunës. Dyshohet se një ditë më parë përmes mesazhit telefonik kishte kanosur të njëjtin. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori ndërsa rasti është duke u hetuar”, thekson raporti 24 orësh i policisë.

Rasti është cilësuar si kërcënim i personit zyrtar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button